Fate Lufte

Ekspozita e Oktrovës, e hapur të hënën paradite, në kuadër të përvjetorit të 13’të të hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë, paraqet një pasqyrim të punës së saj tremujore në Kosovë, kur ajo po e shoqëronte misionin që evakuoi refugjatët e Kosovës nga Maqedonia për në Gjermani. deri në hyrjen e forcave të NATO në Kosovë, më 12 qershor 1999, Oktrova raportonte për radion prestigjioze gjermane Deutche Velle nga kampet e refugjatëve të Maqedonisë.
Autorja e ekspozitës pohon se nuk pretendon që fotografitë e shkrepura nga ajo janë fotografi artistike më tepër se një dëshmi rrëqethëse, gjegjësisht, një rikujtim i tmerrit të përjetuar nga shqiptarët gjatë luftës në Kosovë, dhe i ankthit pas përfundimit të saj.
“Kjo ekspozitë fotografike është një dëshmi. Është përjetimi më i fortë i jetës sime. Janë fatet e njerëzve të nëpërkëmbur nga lufta”, theksoi Mirela Oktrova në hapje të ekspozitës së saj.
Në të vërtetë, gjithçka nisi një të diele të Pashkëve, në vitin 1999…
“Në atë kohë hyrjen në Kosovë e kisha përfytyruar në shumë mënyra të ndryshme… por, kurrsesi jo e hipur mbi një tank britanik. Për vërtetësinë e përjetimit të dikurshëm, sot s’arrin të më bindë dot as çasti i fiksuar në celuloid”, shkruan, mes tjerash, Oktrova në shënimet e saj pranë fotografive.
Pjesë e ekspozitës janë gjithsejtë 110 fotografi, të ndara në katër sektorë, dhe 20 shënime. Në fotografitë e Oktrovës kryesisht dominojnë portretet që i kushtohen dramës humanitare të Luftës në Kosovë, të konkretizuara përmes fateve të fëmijëve dhe të të moshuarve, që nga gazetarja Oktrova u fotografuan nëpër kampet e refugjatëve në Maqedoni.
“Instiktivisht fillova të fotografoja figura që as nuk i lija e as nuk më linin dot. Janë këto fotografi të momentit, pa i vënë re personazhet, derisa po përpiqesha që të përfitoja dëshmi”, u shpreh tutje Oktrova.
Pjesa e parë e ekspozitës së Oktrovës paraqet ikjen e parë nga “ferri”, siç e quan ajo kampin, ndërkohë që pjesa e dytë përmban portrete me shprehje të ndryshme emocionale, pastaj vjen edhe largimi i dytë nga “ferri”, ndërsa krejt në fund edhe epilogu.
“Nga zona e luftës u ktheva pas tre muajsh. Pesha e përjetimeve dukej sikur do ta pengonte aeroplanin që të ngrihej, ndërkohë që shiu më përkujtoi se kishte muaj që më ishin shteruar lotët…”, shkruan Oktrova në shënimet e saj të kujtimeve.
Ekspozita e fotografive të Oktrovës, e hapur në Sallën e Ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, është hapur ndërkohë për publikun tiranas.
Ndryshe, Mirela Oktrova mban titullin doktor i shkencave. Ajo ka dhënë një kontribut të madh në fushën e gazetarisë së shkruar dhe asaj televizive, përmes shkrimit të skenarëve dhe filmave dokumentarë, e deri tek botimet e ndryshme me karakter studimor për gazetarinë radiofonike, televizive dhe shtypur në Shqipëri dhe në Kosovë. Aktualisht, Mirela Oktrova është drejtoreshë e Televizionit Shqiptar.