Tito nuk ishte këtu

Për ata që s’e dinë, Josip Broz Tito sundoi me Jugosllavinë për 35 vjet. Por, ai nuk ishte vetëm një partizan revolucionar që e mbrojti vendin e tij nga fashizmi dhe stalinizmi i shfrenuar, por edhe një burrështetas që madhëronte vëllazërimin dhe bashkimin e bashkëkombësve, rreth idesë së tij për një Evropë Juglindore ndryshe. Mbi bazat e një komunizmi të pavarur dhe të painkuadruar, Tito dhe bashkëpunëtorët e tij realizuan vizionin e tyre përmes krijimit të një federate socialiste – Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Me autoritetin e një diktatori dhe me sharmin e një komandanti të madh, por edhe përmes forcës së represionit dhe lirisë së lëvizjes, Tito arriti të joshte jo vetëm popullin e tij, por edhe gjithë botën – në një mënyrë krejtësisht kontroverse. Pas vdekjes së tij, më 1980, Jugosllavia gradualisht rrëshqiti drejt kolapsit, derisa nuk filloi shpërbërja e saj e plotë, në vitin 1991.
Por, a përfaqëson pra, në fakt, kujtimi i kohëve të fundit i Tito’s dhe i Jugosllavisë vetëm një amnezi, apo një përballje me realitetin historik?
*
Çfarë ndodhi pas kolapsit? E kaluara e afërt, dhe ngjarjet e saj të llahtarshme, bashkë me realitetin aktual social në shtetet e krijuara nga ish-Jugosllavia, shpesh shpijnë drejt rishfaqjes së imazhit të Tito’s në shoqëri – si një figurë heroike, gjegjësisht si përfaqësim i epoke të komunizmit të painkuadruar, e cila shkakton një transfigurim të kujtimeve (jugo)nostalgjike. Tito, pra, mbijetoi, dhe ai ende jeton në mendjet e shumëkujt – si një simbol i “kohërave të mira të vjetra”.
Por, si reagojnë gjeneratat e reja – të cilat Titon e njohin vetëm përmes librave dhe kujtimeve të prindërve të tyre – ndaj këtij akti balancues mes fakteve historike dhe njëlloj romantizmi mitik, apo amnezie?
Gjatë gjithë jetës së tyre ‘Tito Nuk Ishte Këtu’. Gjatë pjesës më të madhe të jetëve të tyre Jugosllavia nuk ekzistoi. Si, pra, e përjeton kjo gjeneratë ndeshjen me këtë figurë kontroverse, dhe glorifikimin e kohërave mungesa faktike e të cilave vazhdon të jetë pjesë e narracionit aktual edhe tani?
**
Projekti ‘Tito Nuk Ishte Këtu’ merret pikërisht me trajtimin e intervenimeve letrare dhe performative prapa diskurseve publike të së kaluarës dhe të tashmes në Evropën Juglindore. Së këndejmi, organizatorët e projektit ftojnë shkrimtarët e rinj nga të gjitha shtetet e krijuara nga ish-Jugosllavia (BeH, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia) dhe nga Gjermania që të shqyrtojnë këtë çështje përmes teksteve letrare, dhe që këto shqyrtime të tyre letrare t’i dorëzojnë për konkurrim.
Një juri, e përbërë nga ekspertë të fushës, do të përzgjedhë tetë tekste, të cilat pastaj do të përdoren për një intervenim perfomativ nga ana e artistëve performues nga e gjithë ish-Jugosllavia.
E, në fund, këto perfomansa do të shfaqen në shtator (2012) në BeH – megjithëse qyteti mbetet të përcaktohet më vonë. Shkrimtarët e përzgjedhur do të ftohen në këtë fundjavë të performansave, dhe do të prezantohen para audiencës nëpërmes një paneli të organizuar.
Që të dyja, teksti dhe perfomansa, paraqesin një përpjekje për një promovim tjetërfare të Jugosllavisë në shekullin 21, duke u bazuar në qasjet individuale të gjeneratës së re. Ndryshe, ky program synon të arrijë një qasje të avancuar kritike/artistike ndaj të kaluarës së përbashkët, dhe të mbështes bashkëpunimin dhe rrjetin artistik ndërmjet ish-rajoneve jugosllave, të cilat rrallëherë bashkëpunojnë në lëmin e shkëmbimeve kulturore.
Projekti ‘Tito Nuk Ishte Këtu’ organizohet nga Ksenija Cockova, Elisabeth Desta, Nita Hasani, Juliane rahn dhe Ivana Vaseva.
Apljkimi është i hapur për shkrimtarët dhe artistët e rinj (me moshë mes 18 dhe 35-vjeçare) nga të gjitha shtetet e krijuara nga ish-Jugosllavia dhe nga Gjermania. Punimet e tyre do të pranohen deri më 15 korrik, kur edhe do të shqyrtohen nga një juri e pavarur.
Fituesit do të shpallen më 23 korrik, ndërsa të gjithë aplikuesit do të informohen përmes e-mallit lidhur me pranimin ose refuzimin e punimeve të tyre. Të gjitha detajet relevante rreth formës së aplikimit, gjatësisë së tekstit, gjuhës, etj., mund të sigurohen përmes kontaktit (në anglisht) në e-mail adresën: [email protected] /* */