E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çaço: Fitorja e fundit, thjesht e mrekullueshme

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Suksesi në Ruzhdi Bizhuta vërtetoi se Luftëtari është ekipi më i fortë, më i kompletuar dhe më i përgatitur i kategorisë së parë

Luftëtari fitoi në Elbasan 2-3 me ekipin vendës. Gjirokastritët shkuan në Elbasan jo për ballokume, por për tu ndeshur me ekipin vendas me një avantazh prej 7 pikësh nga ndjekësi më i afërt, që ishte edhe shkëputja më e thellë e krijuar deri tani, si dhe me një mal mungesash, pa Devollin, Norën, Sinanin dhe Stratin për arsye kartonësh, dhe Stoja e Shalarin nga dëmtimet.

Pra, ishin 6 mungesa, ndërkohë që edhe ekipet më në zë ndonjëherë tjetërsohen vetëm me mungesën e njerit prej yjeve të tyre. Kështu, jashtë prognozave, Luftëtari korri një fitore të bujshme në transfertë me ekipin më me tradita që luan në kategorinë e parë, Elbasanin.

Jasmin Raboshta u tregua i pamëshirshëm, duke manifestuar shpirtin e tij futbollistik shkodran dhe Florjan Braho tregoi se është djali i Sefedinit (Sefedin Braho, simbol i futbollit gjirokastrit), kur e thërret kushtrimi i të parëve. Kjo është fitorja e 6-të e Luftëtarit në transfertë dhe pa dyshim që është më brilantja, sepse e arriti ndaj ekipit më hijerëndë dhe me formacionin e tij të dytë.

Tregues Ndërkaq, u thellua diferenca në 9 pikë nga ndjekësi më i afërt. Raboshta, i cili ka veshur edhe fanellën e Elbasanit, arriti kuotën e 10 golave, ndërsa Braho shënoi golin e tij të parë në atë ndeshje delikate. Ndeshja e radhës është po në transfertë dhe po me një ekip me emër në këtë kategori dhe pretendime për superligën, Lushnjën.

Me fitoren e fundit Luftëtari tregoi katërcipërisht se është më i forti, më i kompletuari dhe më i përgatituri ndër ekipet e kategorisë së parë, kështu që e meriton në mënyrë të padiskutueshme ngjitjen në superiore. Pa dyshim që elozhet, përvec Raboshtës dhe Brahos, u takojnë gjithë atyre që luajtën, si dhe stafit teknik, me në krye Nevil Deden, që i motivoi ata për të të luajtur në sulm të çmendur për fitoren.

Kanë mbetur edhe 10 ndeshje nga ky kampionat dhe Luftëtari deri tani është treguar dinozuari i tij, por janë gjithë mundësitë për të vazhduar i tillë dhe, me sa rezulton, kundështar të fortë do të ketë vetëm euforinë. Në Elbasan Luftëtari tregoi se forcën e ka vërtet te grupi dhe jo tek yjet. Besëlidhja dhe Kukësi tani duhet të krenohen që humbën aq ngushtë në Gjirokastër, 1-0.

Çaço Ervis Çaço, beratasi i Luftëtarit, mesfushori që përgatiti 2 golat  e parë, shprehet: Në Elbasan arritëm një fitore të mrekullueshme, të merituar plotësisht, në sajë të lojës së grupit. Luajtëm me grintë, duke u moblilizuar së tepërmi për të kompensuar edhe mungesat e shumta që patëm. Shpreh bindjen se marshimi i nisur do të jetë po aq bindës drejt suksesit përfundimtar.

Lushnja ka vlerat dhe veçoritë e saj, por ne do të shkojmë aty me po të njëjtin seriozitet dhe mobilizim si në Elbasan, për të treguar përsëri se jo rastësisht bëjmë ligjin në kategorinë e parë. E kemi të qartë se ndeshja do të ketë koeficient të lartë vështirësie, por them se do tia bëjmë gjithë shërbimet, që të mos dalim kokulur nga stadiumi i saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›