Besa e ka seriozisht
Besa është ekipi i vetëm në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll që ka regjistruar dy fitore nga po aq ndeshje. Skuadra pejane e mposhti fillimisht Drenicën në udhëtim (2:1), ndërsa më pas fitoi bindshëm edhe ndaj Dritës (3:0), për t’u ngritur dukshëm në tabelë.
Përforcimet që bëri gjatë dimrit, mbi të gjitha rikthimi i futbollistëve si Fisnik Gashi, Fisnik Papuçi, Bekim Bajraktari, Haxhi Zeka etj, bëri që fytyra e klubit pejan të ndryshojë si nata me ditë në krahasim me sezonin dështues vjeshtor.
Natyrisht, rezultatet pozitive i kanë ndryshuar vetvetiu ambiciet e ekipit bardh e kuq. Trajneri Valdet Shoshi ndihet i kënaqur me nismën e stinorit pranveror, derisa shpreson që kjo ecuri të vazhdojë gjatë këtij sezoni. Skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit synon që ta mbyllë sezonin sa më lart në tabelë.
“Më gëzon fakti që në dy takimet e para kemi shënuar fitore. Kjo është arritur falë punës dhe angazhimit. Përpos rezultateve të mira, ne bëmë edhe lojë të mirë. Kishim përballë dy kundërshtarë të mobilizuar dhe të fortë, që janë përgatitur jashtë vendit si shumica e skuadrave tjera”, theksoi Shoshi për Express.
Trajneri pejan beson në kapacitetin e ekipit të tij, për të cilin thotë se mund të përmirësohet edhe më shumë. “Unë mendoj që forma e Besës do të rritet ende. Optimizmi dhe vetëbesimi është shumë më i madh tash, e sidomos pas paraqitjes me Dritën. Në qytet edhe tek lojtarët mbizotëron atmosferë shpresëdhënëse”, vijoi ai.
Shoshi nuk shprehet haptazi që pejanët e synojnë titullin e kampionit, por ai paralajmëron se skuadra që e drejton do t’i kërkojë rezultatet e njëpasnjëshme pozitive, të cilat sigurisht në fund e sjellin edhe suksesin e dëshiruar.
“Jemi të motivuar për çdo ndeshje. Tash për tash për vend të parë nuk jemi duke menduar shumë, por dëshirojmë ta ndjekim rezultatin pozitiv lojë pas loje, me ç’rast edhe plasmani në fund do të jetë sa më i mirë”, nënvizoi Shoshi.
Ndeshjen e ardhshme, Besa do ta zhvillojë me Vëllaznimin në Gjakovë. Ai beson se skuadra e tij do të dalë mirë edhe nga kjo sfidë, derisa tregon se do t’i mungojnë Florent Papuçi dhe Elvis Gacaferi për shkak të kartonëve. Momentalisht Besa gjendet në pozitën e pestë në tabelë me 28 pikë, 10 më pak se kryesuesi Prishtina.
Nuk dorëzohen Hysi e Drita
Për dallim nga Besa, Hysi dhe Drita e kanë nisur mjaft dobët stinorin pranveror. Skuadra nga Merdara dhe ajo nga Gjilani kanë pësuar humbje në dy ndeshjet e para. Mirëpo, këto humbje nuk i kanë zbehur gjasat për titull të kampionit për këto dy ekipe.
Bardhezinjtë së pari u mposhtën nga Trepça ’89 me rezultat 1:0, ndërsa më pas nga Lepenci me rezultat identik. Këto dy humbje e lanë ekipin e Afrim Tovërlanit 11 pikë prapa kryesuesit, Prishtina. Por, kjo, sipas kapitenit Mentor Zhdrella, nuk do t’i pengojë ata të synojnë mbrojtjen e titullit të kampionit.
“Normalisht, patëm një nismë negative, të cilën nuk e prisnim, por këto ishin vetëm ndeshjet e para. Besoj se do të këndellemi në ndeshjet e ardhshme. Shpresojmë që të na jepet rasti ta mbrojmë titullin e kampionit”, deklaroi Zhdrella.
Edhe mbrojtësi i Dritës, Erdin Hashani beson në kualitetin e ekipit të tij, kështu që ai është i bindur se bardhekaltrit do ta shijojnë fitoren që në fundjavë në derbin e qytetit me Gjilanin.
“Ndoshta ka qenë një fillim që nuk e kemi pritur. Por, kjo nuk do të thotë se jemi dorëzuar. Më nuk kemi kohë për gabime, pasi që nuk na ka mbetur asgjë për të humbur. Do ta kërkojmë fitoren qysh në ndeshje me Gjilanin”, u shpreh mbrojtësi prishtinas. Drita humbi në ndeshjen e parë nga Trepça me rezultat 1:2, kurse më pas nga Besa, 3:0.