Plot ngjyra në Chic+
Një libër shumë i veçantë për Skënderbeun, një shfaqje teatri e Bertold Brehtit, në kinema për javën e filmit gjerman. Këto janë vendet ku mund ta gjesh së fundmi Ardian Klosin, larg zhurmave të debateve qytetare dhe angazhimeve në politikë. Aktivist, intelektual i angazhuar që në fillim të viteve ‘90 qoftë në debatet politike apo në protestat qytetare më të fundit në qytetin e Vlorës, Ardian Klosi shpërfaqet disi më i tërhequr nga kjo pjesë e jetës së tij. Kultura në përgjithësi dhe ajo gjermane në veçanti, përkthimet dhe shfaqjet artistike, janë kthyer në punën e tij të përditshme. Chic+ e takoi Ardian Klosin në rrethinat e Tiranës, pikërisht në Kalanë e Petrelës, ku ai tregon se përse nuk është më në vijën e parë. I zhgënjyer nga indiferenca me të cilën reagohet ndaj kauzave qytetare, ai thotë se ndihet mirë në angazhimet e tij të fundit. Një intervistë me Adrian Klosin hap rubrikën “Takim” në emisionin e tretë në Chic+, për të vazhduar me aktoren e re Olta Gixhari që u shfaq për herë të parë me shfaqjen “Pamje nga ura”, por që shumë shpejt do ta shohim në prezantimin e një shou televiziv. Vetëm 23 vjeçe dhe me pak eksperiencë, ajo ka bërë një kalim shumë të shpejtë nga skena e teatrit në ekranin e televizionit. Për Chic+, aktorja e re rrëfen se ofertat nuk i kanë munguar. Rubrika “Gossip” do t’ia lërë vendin Agatha Ruiz de la Prada e pranishme në javën e Modës së Tiranës, e cila ka dhënë një intervistë ekskluzive vetëm për Chic+. E ardhur direkt nga java e modës në Milano, Agatha Ruiz De la Prada jep këshillat e saj për t’u veshur: “Sa më shumë ngjyra”. Dhe Chic+ fton të gjithë shikuesit të ndjekin këtë emision të tretë, i cili gjithashtu do të jetë plot ngjyra.
16 Nentor 2008