“Udha e shkronjave”, mbrëmje festive për Kongresin e Manastirit
Një mbrëmje e veçantë festive, në formë koncerti dhe performance artistike, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në kryeqytet. Lajmin e pohon për gazetën “Albania” drejtori i Përgjithshëm i TKOB-it, Zhani Ciko, i cili thotë: “Me rastin e festimit të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ne kemi përgatitur një spektakël madhështor për të kremtuar këtë ngjarje të veçantë dhe të shënuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, siç është dita e vendosjes së unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe”. Në këtë koncert festiv do të marrin pjesë solistët më të mirë të Teatrit të Operës si Irini Nikolla, Sonila Baboçi, Eriona Gjyzeli, Ylber Gjini, Armando Lika e Erlind Zeraliu, ndërkohë që elementë të spektaklit do të jenë dhe dy aktorët e njohur të Teatrit Kombëtar, Roza Anagnosti dhe Reshat Arbana. Gjithashtu, muzika i është besuar një stafi profesionistësh siç janë Sihana Badivuku nga Kosova, Blerim Grubi nga Maqedonia dhe Aristidh Prosi, Rudina Ciko e Adnan Mumajezi nga Shqipëria. Okteti vokal i Kosovës do të jetë nën drejtimin e Ylber Asllanajt, ndërsa trupa e baletit të shkollës së mesme kombëtare koreografike, studentë të Akademisë së Arteve dhe valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, do të jenë nën drejtimin e koreografëve Agron Aliaj e Arian Sukniqi. Dirigjent i përgjithshëm i shfaqjes është Bujar Llapaj, ndërsa regjisor Nikolin Gurakuqi.
16 Nentor 2008