Rebelime brenda te djathtes

-Si i shihni ndryshimet e pritshme në qeveri?
-Pashk Ujka: “Mendojmë se në qeveri duhet të bëhen ndryshime, pasi prej kohësh ka zëra dhe këto zëra them se ka ardhur momenti që të dëgjohen nga mazhoranca aktuale. Qeveria duhet të ketë ndryshime të thella, rrënjësore në të gjithë spektrin edhe nga PD-ja, edhe nga aleatët, të cilët përfaqësohen në qeverisje. Meqenëse themi që në qeverisje, ka figura të cilat nuk janë përfaqësuese, atëherë me ndryshimet duhet të rritet integriteti dhe niveli i qeverisjes me figura potente dhe të pastra, që nuk janë të përfolura kohët e fundit as nga shoqëria civile, as nga politika. Ka shumë zëra, që qeveria sikur është përfshirë në afera korruptive, një pjesë e së cilës them se, nëpërmjet ndryshimit të kësaj qeverie, nëpërmjet një fytyre të re që mund të vijë, mund të realizojë shtyrjen përpara të reformave. Një fytyrë e re e qeverisë do të bënte realitet edhe premtimet e dhëna në korrikun e vitit 2005, për të cilat kjo mazhorancë erdhi në pushtet. Partia jonë them se është një nga partitë kryesore që duhet të preket nga këto ndryshime, them që PDK-ja në vetvete nuk qenë dinjitoze në përfaqësim, ashtu sikurse edhe disa parti të tjera të spektrit të djathtë, të cilat janë në qeverisje. Megjithatë, ne kemi edhe rezervat tona, pasi Partia Demokristiane që përfaqësohet nga zoti Ndoka, them se është përfaqësuar më tepër nëpërmjet figurave, të cilat i ka zgjedhur nëpërmjet nepotizmit. Pra, nuk kemi përfaqësim të grupit parlamentar, pasi grupi ynë nuk është pyetur në momentet e qeverisjes nga ana e përfaqësuesit tonë në qeveri”.
-Çfarë do të kërkojë grupi juaj parlamentar në këto ndryshime në qeveri?
“Ne do të kërkojmë që përfaqësimi, sikurse e thashë më sipër, të bëhet me njerëz sa më dinjitozë. Po vërehet çdo ditë se ka shumë probleme, sidomos korrupsioni, i cili ka përfshirë në përgjithësi ministri të ndryshme, them se ka përfshirë edhe ministrinë që ne drejtojmë. Nëse do të përfaqësohemi sërish nga zoti Ndoka në qeveri, kjo do të vendoset nga grupi parlamentar, sepse ky grup e ka vendosur që zoti Ndoka të jetë përfaqësuesi ynë në qeveri. Problemi qëndron në faktin se ai nuk ka raportuar ndonjëherë në grupin parlamentar për detyrat që ka kryer, ndryshe nga zoti Berisha, i cili keq apo mirë, të paktën raporton në grupin e tij parlamentar. Zoti Ndoka nuk ka treguar obligime ndaj grupit parlamentar për ta sqaruar grupin me problemet që ka pasur në lidhje me drejtimin e ministrisë. Një pjesë e grupit tonë parlamentar nuk është pyetur fare për mënyrën e qeverisjes, për njerëzit të cilët duhet të bëjnë pjesë në PDK pasi ata janë marrë nga i gjithë spektri politik. Në institucionet e kësaj ministrie në qendër apo në rrethe, kanë ardhur njerëz të cilët nuk kanë asnjë kontribut në PDK. Kështu që, them që këtij lëmshi t’i jepet një fund. Mazhoranca duhet ta shohë me vëmendje këtë perspektivë dhe jo të bëhen reforma, ndërkohë që njerëzit nuk e dinë se çfarë do të thotë reformë. Një pjesë e mirë e ministrive nuk e ka të qartë se çfarë do të thotë reformë dhe në emër të saj bëhen lëvizje dhe ndryshime. Për këtë çështje, në Partinë Demokristiane kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë, megjithëse herë rriten e herë zvogëlohen në terrenin mediatike. Mendoj se përfaqësimi në qeveri dhe në strukturat e tjera duhet të bëhet në shkallë të gjerë nga njerëz të cilët aderojnë me këto bindje politike dhe në këto grupe parlamentare. Kështu që efektivisht, e drejta e përfaqësimit është e rrezikshme dhe zërat do të vazhdojnë të rriten, pasi shumë figura të cilat prej vitesh janë pjesë e PDK-së, kanë punuar për rritjen e nivelit politik dhe për bindjet e tyre”.
-Megjithatë, ka pasur vlerësime për reagimin nga ana e dikasterit që drejton kryetari i partisë suaj, pas ngjarjes së Gërdecit. Çfarë duhet të bëjë tjetër zoti Ndoka që të tregojë përfaqësim real të PDK-së në qeveri?
“Zoti Ndoka duhet të merret me shërimin e gjendjes brenda familjes demokristiane, e cila për mua është me një grip, që nëse nuk shërohet shpejt, do të kalojë në pneumoni”.
-Ju po nënvizoni se brenda PDK-së ka probleme. Mos janë krijuar këto nga ardhjet e deputetëve nga forca të tjera politike?
“Një pjesë e jona nuk është e mendimit se ne duhet të marrin të gjithë deputetët që kanë mbetur në rrugë, ose të gjithë deputetët të cilët nuk kanë mundësi të aderojnë pranë familjes së tyre politike. Pa dashur të ofendoj ndokënd, ne nuk duhet të bëhemi si kosh plehrash që, kushdo që kalon, mund të hedhë mbeturinat mbi ne. Partia Demokristiane duhet të jetë një parti me integritet. Flitet se mund të vijnë edhe deputetë të tjerë, nëpërmjet formave të ndryshme, por nuk mund të pranohen deputetë që nuk i përkasin PDK-së, pasi është denigruese për partinë dhe për grupin tonë parlamentar”.
-Ju keni deklaruar se keni mbledhur disa deputetë të PDK-së për të diskutuar. Çfarë është diskutuar dhe çfarë vendimesh janë marrë pas këtyre bisedimeve?
“Jemi mbledhur disa herë për të diskutuar, që Partia Demokristiane të luajë një rol aktiv në jetën shoqërore, por duke parë që drejtuesi ynë nuk ka dëshirë të drejtojë me grup parlamentar, por me forma të tjera. Grupi ynë nuk është pyetur asnjëherë, mendimet dhe vendimet e këtij grupi nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë dhe them që ka rreth tre muaj që grupi parlamentar nuk mblidhet fare. Zoti Ndoka duhet t’i mbledhë deputetët dhe të bisedojë me ta, në mënyrë që ata të mos shpërndahen. Duket se ai është treguar më i vëmendshëm për t’i bërë presion zotit Berisha me numra, dhe zoti Berisha duket se është treguar i dobët para kësaj. Me këtë presion numrash, ai e ka parë veten superior dhe nuk ka denjuar që të pyesë as grupin parlamentar e as partinë. Këto veprime janë në dëm të mazhorancës, PDK-së, grupit parlamentar etj., dhe besoj se nuk do të zgjasë shumë. Nuk duam që si parti të marrim kosto politike as për hatër të zotit Ndoka e as për hatër të zotit Berisha”.
-Duke qenë se po diskutohet për sistemin zgjedhor, ju si e vlerësoni propozimin e partive të mëdha PS-PD?
“Një pjesë e grupit tonë e përkrah sistemin proporcional rajonal që propozohet nga PS-PD. Ne do ta votojmë atë. Nuk ka pse një pjesë e kryetarëve të partive të qëndrojnë deputetë pa merita, pa përfaqësim, pa vota. Kështu që neve nuk na duket e paarsyeshme, por normale dhe kështu që propozimin e bërë nga partitë e mëdha e mbështet një pjesë e jona, pasi pjesa tjetër e shpreh vetë qëndrimin e saj”.
GRUPI DEMOKRISTIAN
Deputeti Origjina
1. Pashk Ujka PDK
2. Nard Ndoka PDR
3. Jak Ndokaj PDR
4. Frrok Gjini PDR
5. Tom Doshi PS
6. Ndue Shpani PDK
7. Hamit Kosta PDS/PS