E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Partitë të kenë qëndrim më të pjekur për veriun

Subjektet politike në Kosovë duhet të kenë qëndrim më të qartë për pjesën veriore të Kosovës, ka thënë të hënën kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në të cilën u caktua seanca e ardhshme për këtë të premte.

Me këtë rast Krasniqi ka thënë së partitë politike duhet të kenë qëndrime më të pjekura.

"Unë kam dhënë mendimin tim që subjektet politike në përgjithësi duhet ta kenë një qëndrim më të qartë në raport me pjesën veriore të Kosovës, kurse Kuvendi si institucion legjislativ, përfaqësues dhe mbikëqyrës i institucioneve që i zgjedh, pra në Kuvend partitë politike duhet t’i sjellin qëndrimet dhe mendimet e tyre të pjekura, që pastaj Kuvendi të marr një qëndrim që është në interes të sundimit të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit", ka thënë Krasniqi.

Ai nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse duhet të ketë rezolutë të re në Kuvend nëse do të ketë dialog politik, por ka thënë se dokumenti bazik dhe i obligueshëm për institucionet e Kosovës është Kushtetuta dhe asnjë rezolutë nuk mund të dalë mbi të.

Sa i përket Raportit të Progresit, i cili pritet të publikohet pasnesër, Krasniqi ka thënë se Kuvendi e ka kryer punën e tij si duhet.

"Realisht raporti kryesisht ka të bëjë me ekzekutivin, ka të bëjë me gjyqësorin dhe ne duhet të presim çka thotë edhe për njërin edhe për tjetrin. Në përgjithësi jam i bindur se Kuvendi ka kryer punët e veta, edhe pse kemi filluar me vonesë. Konsideroj se miratimi i 40 ligjeve dhe afër 30 e më shumë ligjeve që janë në procedurën e miratimit, është një punë e mirë që është bërë. Se si do ta vlerësojnë, do ta shikojmë. Por megjithatë unë mendoj që ku Raporti i Progresit do ta vlerësojë punën e Kosovës, Kosova do të jetë në Bashkimin Evropian", ka thënë ai.

Krasniqi ka theksuar se puna e Kuvendit në shumicën e rasteve është vlerësuar, megjithëse ka pasur vërejtje për mangësitë e ndryshme qoftë në administratë, qoftë në kontrollimin e institucioneve që i zgjedh Kuvendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›