E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Po”-ja kundër “Jo”-së

“Po”-ja e madhe dhe “Jo”-ja e madhe. Shpesh gjendemi përpara alternativave të vështira, në momente vendimtare, kur na duhet të zgjedhim. “Po”-ja e madhe mbart në vetvete të gjithë të mirat e pranimit. Mbart me vete konsensusin, qetësinë, mbart me vete një ardhmëri më të sigurt, pozitivitet. Ndërsa “Jo”-ja e madhe, sado e drejtë të konsiderohet në disa raste, mbart me vete mohim, një destabilizim të nënkuptuar, mbart me vete kokëfortësi, mungesë dialogu, mbart me vete mospërshtatje, negativitet. Konsensusi, pranimi, pozitiviteti, bashkëpunimi, mirëkuptimi, pra “Po”-ja e madhe, gjithmonë nënkupton anashkalim të vogëlsive, tejkalim të një interesi të ngushtë dhe individual, për hir të një diçkaje më të madhe, të përbashkët. Pa konsensus, me negativitet, pa bashkëpunim, pa mirëkuptim, me kokëfortësi, pra “Jo”-ja e madhe, mbart gjithmonë mohim dhe mbyllje shtigjesh, duke mbetur e panjohur dhe e papranuar në gjuhën politike të një demokracie të mirëfilltë. Diletantizmi në politikë përkthehet ndryshe paaftësi për të menaxhuar situata kyçe dhe të kthesave radikale. Kjo periudhë që po kalon vendi ynë kërkon fleksibilitet kurrsesi kokëfortësi (kokë të ftohtë evropiani, jo kokë të nxehtë shqiptari). “Po”–të e mëdha dhe “Jo”-të e mëdha, sidomos në politikë nuk iu përkasin më individëve, por dialogut dhe konsensusit të grupeve të interesit për një produkt të përbashkët dhe për të gjithë (është pasuri e përbashkët). Kjo u duk në deklaratën e fundit të kreut të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, z. Lohan, i cili iu bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv, duke u përfshirë në parlament. Ai ka bërë të qartë, gjatë dorëzimit të pyetësorit që shërben për ecurinë e statusit të vendit kandidat për anëtarësim, që progresi kërkon dialog politik, por që duhet të zhvillohet në parlament. “Bashkimi Evropian kërkon reforma të mëtejshme, të vështira, që bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm”, - u shpreh ai. Që shefi i opozitës zgjodhi “Jo”-në e madhe, me të gjithë negativitetin dhe mohimin që mbart, u duk që kur personalisht e anashkaloi kuvendin, apo foltoren parlamentare, duke zgjedhur përpara saj bashkinë. Me “Jo”-në e madhe, dhe sipas tij të drejtë, Rama zgjodhi interesin personal. Me sloganin “Votoni Edi Ramën”, duke shmangur forcën politike që përfaqëson (sikur i vjen turp për këtë fakt), zgjodhi interesin personal. Partisë Socialiste, aktualisht i mungon gjithçka, idetë, ideologjia, apo orientimi. Kësaj force i mungon sot rruga për të ndjekur, mbase edhe identiteti. Gjithkush që bën politikë, duhet të dijë të zgjedhë. Teoria Veltroniane (ish-liderit të së majtës italiane, Valter Veltroni) “edhe ...”, jo vetëm që ka rezultuar utopi, por edhe është e dëmshme. Nuk mund të qëndrosh, edhe me të pasurit, edhe me të varfëritë, edhe me luftën, edhe me paqen, ose “me të gjithë, dhe me asnjë”. Atëherë, nga duhet ta rinisë, PS-ja? Sigurisht, jo nga gabimet e bëra në të kaluarën. Por, problemi më i madh që rezulton për lidershipin socialist është, se ku do të shkojë, apo ku do të kthehet? Atij nuk i interesoi parlamenti, ndaj nuk ka se sit ë ketë dëshirë të kthehet atje. Kërkesat e ministrit të jashtëm suedez, Karl Bildt, apo kreut të delegacionit të Komisionit Evropian, Lohan për dialog politik brenda parlamentit, i duken absurde lidershipit socialist, për sa kohë ai nuk është pjesë e parlamentit dhe nuk i intereson ky institucion. Të shpresojmë, që nuk shkon me teorinë “o të gjithë, o asnjë”. Ai kërkon, si ai i mbyturi që tërheq pas vetes, në këtë vorbull, të gjithë. Ngremë një pyetje të thjeshtë. Përse, Edi Rama nuk duron deri në zgjedhjet e ardhshme? Rotacionin politik, në 4 apo 8 vjet, ne tashmë, me hir apo pahir, me logjikë apo arsye, me dhunë apo përmendësh, e kemi fituar si leksion shumë të rëndësishëm të demokracisë. Me sa duket, atij i duhet pushteti sot, ta gëzojë sot, ta vjelë sot. Por, kjo është një temë e gjatë, që kërkon një kohë tjetër. Përse Rama nuk ishte kandidat në listat për zgjedhjet e vitit 2009? Përse zgjodhi Bashkinë e Tiranës? Apo, duke qëndruar gjatë në bashki, ai kuptoi një truk të vjetër sa bota, por që mbetet aktual. Pushteti ekonomik, automatikisht sjell dhe forcon pushtetin politik. Dhe ai bëri një llogaritje të ftohtë (gjithmonë për interes personal). U hodh një ide, në periudhën parazgjedhore, ajo e një superfuqizimi të Edit. Mund të gjendeshin disa hapësira, që mbas fitores së mundshme të tij (sigurisht jo të Partisë Socialiste) ai të mbajë të dy postet, atë të kryeministrit dhe atë të kryetarit të bashkisë. Kjo do ta shndërronte Ramën në një mini-perandor. Ai do të kishte superfuqi politike dhe ekonomike. Uzurpon një parti, “duke e blerë me leje ndërtimi”, del në krye të sa dhe më pas deklaron, se nuk është as i majtë, e as i djathtë, (ka shkapërcyer nga ekstremi fashist, në atë socialist) duke ofenduar së pari elektoratin e majtë, që përfaqëson. Në këtë mënyrë, përcaktimet për Edin përfundojnë me etiketimin që i bëri paraardhësi i tij në parti, Fatos Nano: “tranvestit politik” me identitet të papërcaktuar. Normalisht të vjen në mendje pyetja: Ku janë editë e tua të reja për socialistët e mbarë shqiptarët, që i proklamove me aq forcë në fushatën zgjedhore? Rinumërimi i votave dhe kërkesa për hapjen e kutive, jo vetëm që nuk është e re, por shumë e vjetër dhe asnjëherë nuk ka prodhuar gjë. Edi Rama pretendon se ka të drejtë kur thotë “Jo”-në e madhe, për hir të demokracisë, mendimit të lirë, barazisë, ndershmërisë. Unë doja të kujtoja zgjedhjet e 1997-s, të cilat megjithëse u kryen me tanke, dhe armë, përsëri u konsideruan të lira e të ndershme (natyrisht më shumë se sa më parë). Për hir të stabilitetit politik dhe të një të mire të përbashkët u tha dhe u dha edhe nga faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm politik “Po” –ja e madhe. A mund të shpërfillet binomi parlament-demokraci? “Po”-të e mëdha të demokracisë përfshijnë parlamentin, alternimin apo rotacionin. “Po”-të e vogla shndërrohen në hiç pa praninë e “Po”–ve të mëdha, që përmendëm. Demokracitë e stabilizuara janë përballuar me ngjarje të mëdha dhe zëra të fuqishëm gjithmonë brenda parlamentit. Janë bllokuar dhe rrëzuar qeveri edhe në vendet perëndimore, por gjithmonë brenda parlamentit. Dua të kujto rënien e qeverisë së parë Berlusconi, në vitin 1994 dhe krijimin e një qeverie teknike të drejtuar nga Lamberto Dini. Ishte një lëvizje që u realizua po brenda parlamentit, morri bekimin e ti vetëm pasi Berlusconi humbi shumicën e kartonëve të nevojshëm. Periudha të vështira dhe të pastabilizuara kanë vënë në vështirësi edhe vende histori të lashtë demokracie. Do përmend periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, në Francë. Ishte një periudhë kur parlamenti, dhe rrjedhimisht qeveritë binin shumë shpesh (deri në rekordin brenda dy javësh). Vendi nisi të ndiente destabilitetin politik. Me ndërhyrjen e Sharl Dë Golit u bënë reforma kushtetuese, që forcuan më shumë, si rolin e ekzekutivit, ashtu edhe atë të parlamentit. Forma politike gjysmë presidenciale, gjysmë parlamentare, është ende efikase në Francë (e përkthyer ndryshe: një qeveri e pandryshuar për 4 vjet). Ne e kemi të përcaktuar formën në Shqipëri, atë parlamentare. Por a kemi luksin e rënieve të shpeshta të parlamentit? Një vend që ka rënë pre e kaosit dhe e regresit jo pak herë, (vitet ‘91, ‘97) a kemi mundësi të ruajmë atë stabilitet aq të kërkuar nga të gjithë faktorët? Në qoftë se edhe Franca në një periudhë të vështirë të saj ndërhyri drastikisht dhe ndërroi deri formën politike, për të mirën e stabilitetit, ne aq më tepër e kemi domosdoshmëri atë. Mbase në Shqipëri nuk është përparësi ndërrimi i sistemit politik, por ne do bëjmë të gjitha përpjekjet që klasa politike të tregohet e përgjegjshme dhe e maturuar politikisht. Mjafton t’i japim përgjigje pyetjes: papërgjegjshmëria, mungesa e një maturimi politik, destabiliteti, sa na ka kushtuar? Shqipëria është vendi i parë në rajon që kërkoi asociim-stabilizimin me BE-në, por rrugën na e kaluan, Kroacia, Maqedonia e Mali i Zi. Prej kësaj fund-jave këto vende, së bashku me Serbinë fituan liberalizimin e vizave, ndërsa ne (siç pëlqen të thotë edhe lideri socialist Rama) mbetëm në detyrat e shtëpisë. Pak kush kujtohet të thotë dhe të pranojë se arsyeja kryesore e vonesave të krijuara, lidhen me mungesën e stabilitetit politik dhe të klimës së qetë demokratike në vend. Nuk ka nevojë që të bërtasësh nëpër mitingje e marshime, se qeveria aktuale e la vendin të fundit për heqjen e vizave, por mjafton të bësh një analizë logjike. Le të vëmë në balancë të keqen, për të kuptuar të keqen më të vogël. Elektorati i majtë ka gjithë të drejtën, ta konsiderojë të keqe mos hapjen e kutive të votimit. Por çfarë shkakton kjo e keqe? Mungesë stabiliteti, mungesë dialogu politik , shkelje të ligjit dhe ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, e për rrjedhojë mosintegrim dhe mosliberalizim vizash. Në këtë balance, kujt i duhet një “e keqe” e vogël (mos hapja e kutive) dhe kujt i shërben e keqja e madhe (jashtë Evropës dhe me viza)? Kjo “Jo-“ e madhe, që sjell automatikisht të keqen e madhe, mund t’i shërbejë lidershipit apo edhe disa pasuesve të tij në PS, por kurrsesi elektoratit, i cilitdo krahu qoftë ai, i majtë apo i djathtë (interesi i të cilit është Evropa).

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›