Humbës i madh dhe humbameno të vegjël
(Faqosja do të bëhet me dyja faqet gri, e di Juli. Per foto t’i vendose juli ndonje karikature eshte diçka me histori kulture, identiteti ndonje person me pikëpyetje a ndonje gje ne koke. Shkurt pra e di juli)
Bëj kujdes që drita në ty të mos bëhet terr - Llu. 11:35.
Gjendet shyqyr Zotit një ide që i bën bashkë shqiptarët e mësuar dhe të qytetëruar, e që është: të këqijat dhe vuajtjet tona, prejardhjen nga prapambetja kulturore, fanatizmi, tarafi, klani, kanuni etj, e shumë të tjera të pabëra të këtij kallëpi që u faturohen rëndom turkomanëve, dumbabistëve, levantinëve, bizantinëve e çdo soj e sorollopi tjetër të gjendur në lindje të “kopshtit shkëmbor të Evropës Juglindore”. Mbas 50 vjet dangër-dungër e daulleve të agjit-propit komunist për hordhitë mesjetare aziatike nazifashite, është i padurueshëm avazi - për më tepër kënduar nga të njëjtët ahengxhinj - i barbarizmit mesjetar komunist që u dynd kah ne fatkeqët prej stepave të Azisë. E shkruar apo e rishkruar historia jonë avazi mbetet njësoj si rikthim i amshuar i të njëjtës çudi: terri i ardhur nga lind nuk vonon të sterrosë dritën e ardhur nga perëndon, ose shprehur më konkretisht e më njerëzorisht: heroin e iluminuar me ideale perëndimore e hedh n’tuç copa e injorantit dumbabist. Figura arketip “humbës i madh” kushtëzon fatalisht historinë tonë të përuruar nga “atleti i krishterimit”, dhe vërtet Princ Vidin dhe shpurën e tij të iluminuar me ideale oksidentale, Fan Nolin dhe intelektualët e shquar nëpër gazetat e viteve 30-të, takëmin e politikanëve të viteve 40-të të dalë nga derë e madhe me një kalë mend, një mushkë virtyt e me një gomar para, e së fundi Kadare dhe intelektualët e shquar nëpër shkrimnajat e mediave mbas viteve ‘90-të si disidentë sypatrembur në luftë mbas pilafit kundër aziatizmit sllav dhe kinezërisë aziatike e në pilafin e sotëm kundër bejtexhizmit oriental, të gjithë hedhur në tuç nga kaçaku i ferrës përkatësisht Haxhi Qamili, Osman Gazepi, Bab Myslymi, Sudja dhe Xhaferri. Me një fjalë në bejlegun shqiptar kacafyten për jetë a vdekje dy figura arketip: intelektuali i shquar oksidental dhe alabaku dumbabist, përkatësisht “humbësi i madh” eskilian dhe fitimtari i madh zykokamberi-an që pi raki në mejhane, por jo aq i madh sa humbësi, të cilit i gjendet gjithnjë marifeti për ta shndërruar në fitimtar potencial, sepse është e provuar historikisht që sido të dreqoset puna, gjithsesi mballoset duke ia lënë kopilin në derë orientit, mesjetës, barbarisë dhe injorancës aziatike.
Por, nëse shtyhet disi paraqitja e komunizmit të ardhur peshqesh nga muzhikët e trashë të lindjes, nuk hahet fare paraqitja e nazifashizmit si lëvizje reaksionare, mesjetare, primitive, barbare, aziatike etj., sepse ngjizet në zemër të Evropës dhe akoma nuk është shumë e qartë se sa i detyrohen shpikjet teknologjike të laboratoreve amerikane dhe sovjetike, laboratoreve sekretë nazistë që ishin pararendës të zbulimit shkencor dhe teknologjik në fushën e raketave, mikrobotës, gjenetikës etj. Arkaizmi dhe ekzotizmi i nazizmit është tipar kryesor i lëvizjeve moderniste avangardiste (bazuar ideologjikisht në shprehjen e famshme të Niçes: “Evropa është një përzgjatim i Azisë”), dhe është të paktën pafytyrësi që nga njëra anë të përbuzet ideologjia naziste si arkaike dhe barbare, dhe nga ana tjetër të lëvdohet arkaizmi, barbarizmi dhe ekzotizmi i Rembosë dhe i Gogenit ose i Artaud (adhurues i Hitlerit), dhe për më tepër i Pikaso komunistit që kopjonte ditë e natë maskat afrikane të neandërtalit. Nazistët ezoterikë me në krye Himler (kryetar SS) që i kërkuan rrënjët e Evropës në Tibet, nuk ndryshojnë në thelb nga zdërhalljet në Indi të adoleshentëve të ’68-ës me në krye që Xhon Lenon, në mos tjetër janë njësoj sepse aty gjetën njësoj si Tarja vetëm “qenin e ngordhur”, me ndryshimin e vetëm që bitnikët gjetën rrënjë bimësh narkotike për t’i tymosur. Parë hollë hollë nazistët rezultojnë më evropianë dhe më perëndimorë se tymosësit sepse nuk mohuan kurrë Krishtin dhe krishterimin (siç bëjnë plakaruqët e ‘68-ës që komandojnë sot BE-në), por vetëm zhvendosën rrënjët origjinale krishtere nga Lindja e Mesme në Lindjen e Largët duke i riinterpretuar ato sipas pikëpamjes ariane (indoevropiane, tibetiane etj.) në kundërshtim me dogmat tradicionale, të cilat sipas nazistëve ishin të falsifikuara (meqë me origjinë semite). Ambicia e elitës që mban në dorë fatin e BE-së (dhe të botës, meqë Evropa ka rëndësi qendrore në epokën moderne) për ndërtimin e një shoqëri totalisht të shekullarizuar, në thelb është ambicie komuniste që kunjin e ka me Zotin, megjithëse paraqitet se po korrigjon me urtësi laike dhe racionale zullumet iracionale të një traditë fetare të veçantë e të një epoke të caktuar. Antiklerikalizmi dhe antikristianizmi janë vetëm pretekst për goditur dhe shkatërruar veprën e Providencës, jo vetëm në Evropë, por në çdo cep të rruzullit si eksportues të demokracisë në ish-kolonitë, duke paraqitur çdo lloj ndikimi fetar në bashkësinë njerëzore si rrezik fundamentalist që duhet asgjësuar me çdo kusht. Kundërshtarët e tyre tradicionalistë, ankohen se po shpërfillin traditën e krishterë dhe përfillin vetëm traditën “pagane” të grekëve të lashtë, romakëve dhe imitatorëve të tyre që bënë Revolucionin Francez, por ish-tymosësit u marrin të keqen “paganëve”, sepse jakobinët zëvendësuan Hyjin e krishterë me hyjnitë pagane (deizmin), ndërsa shoqëritë helene dhe romake kishin një perceptim shumë të fuqishëm e deri diku të saktë të së shenjtës dhe hyjnores (mjafton e tepron si shembull kulti i vestaleve). Megjithëse paraqitet si i rënë nga qielli, krishterimi në fakt iu mbivendos botëkuptimit pagan duke u rrekur t’i japë një kuptim dhe ndjeshmëri më sipërane (fjala vjen vestalet u shndërruan në murgesha). Për të kuptuar kaq gjë nuk duhen studime të thella pasuniversitare e grada akademike, mjafton një xhiro nëpër sheshet historikë të Romës që kanë në qendër gjithfarëlloj obeliskesh “paganë” (falle, simbole te kultit fallik) të mbledhur nga të katër anët e perandorisë romake, të cilët mbajnë peshën e kryqit në majë të tyre. Kacafytja midis fetarë dhe laikë për të ruajtur apo për të flakur traditën e krishtere (përfaqësuar nga debati për ekspozimin e kryqit në vendet publike) zhvillohet në fushën e folklorit, shumë larg nga problemi i vërtetë, themelor dhe themeltar i krishterimit që është premtimi për Ardhjen e Dytë, e për të cilin nuk e vë njeri më ujët në zjarr mbasi dukja e Duçes, Fyhrerit dhe Sekretarit të Parë u festua me bujë si Ardhja e Dytë e Krishtit.
Të rrimë shtrembër e flasim drejt: komunizmi lindi si hipotezë mu në zemër të Evropës si pasardhës trashëgimtar i Iluminizmit dhe si degradim i tij nga pikëpamja e frymës, dhe u pranua si tezë e u vu në praktikë në një vend që vetëm gjeografikisht ndodhet në lindje të Evropës (dhe vendit tonë), sepse kulturorisht është bash vendi që mburret se trashëgon misionin e krishterimit origjinal (ortodoksisë) dhe që ka marrë me të dyja duart nga kultura franceze dhe gjermane (elitës politike dhe kulturore e kohës së carit i rridhte në deje më shumë gjak gjerman se rus, plus faktin që bashkëbisedonte në frëngjisht për çështje intelektuale, ndërsa gjuhën amtare e përdorte për të urdhëruar shërbëtorët). Kur gjeniu i letrave shqipe Kadare përshkruan me ese dhe romane komunizmin si mynxyrë aziatike orientale tregon vetëm gjysmën e të vërtetës (e për këtë arsye më katran se gënjeshtra), ndërsa gjysmën tjetër e tregon gjeniu i letrave ruse Solzenicin duke ia përveshur surratit Perëndimit përgjegjësinë për komunizmin. Në një goxha libër për historinë e revolucionit bolshevik me titull “Dy shekuj bashkë” simboli mbarëbotëror i disidencës antisovjetike qahet se populli ortodoks rus e paskësh vuajtur revolucionin në fjalë, dhe stalinizmin që e pasoi, si një obsesion diabolik të importuar prej Perëndimit nga pakica kombëtare: kryesisht hebrenj dhe më pak letonë, polakë, kinezë, plus emigrantë rusë të oksidentalizuar që kishin braktisur vendlindjen për shkak të përndjekjes së regjimit carist.
Shprehja e Keplerit: “qenësia unike ngërthehet midis drejtvizores dhe lakores” dëshmon se hapësira kulturore sillet njësoj si ajo fizikja, e cila shtrihet drejtvizorisht si euklidiane dhe përthyhet lakore si llobaçeskjane. Më konkretisht sipas hallit të këtij shkrimi: komunizmi erdhi peshqesh drejtpërdrejt prej Lindjes si praktikë dhe tërthorazi prej Perëndimit si teori. Precedenca historike e trajektores rrëshqanore të teorive revolucionare frënge, që u dyndën nga anët tona si praktikë rilindase - ardhur fringo prej Stambolli mbasi sulltanët ia ndjenë lezetin salltaneteve moderne të Parisit -, dëshmon për invariantin historik të shkuarjes në perëndim me “bjeri drejt” si kalë karroce dhe njëkohësisht me “bjeri qark e qark” sa nga lindja në perëndim dhe anasjelltas me rrotullhane gjarpërore dhe me justifikime hajvanore. Teorisë së komplotit antishqiptar, e cila shpjegon se “farën e keqe” të bolshevizmit e prunë nga nahija jonë çifti i misionarëve diabolikë Popoviç-Mugosha (njësoj si Cirili dhe Metodi përhapën sllavortodoksinë), nuk i del hesapi prej faktit - sot e mot njësoj bezdisës - se anëtarët e parë të Byrosë Politike me në krye Enverin ishin të diplomuar dhe të formuar si komunistë në Evropë, krejt ndryshe nga byroja jugosllave me në krye Josif Broz-in që ishin diplomuar dhe formuar në BS në shkollë partie dhe kurse bashkimesh profesionale (Enver frankofili ankohet në një vepër të tij se nuk i shihte dot me sy shenjëzat cirilike).
Por më problem se “rrenat” e historisë është falsifikimi i të sotmes ku dukuria e terrorizmit i vishet - me dangër-dungër propagande mediatike dhe akademike - fanatizmit islamik në veçanti (paraqitur si tejet injorant, mesjetar, obskurantist, kriminal etj) dhe fanatizmit fetar në përgjithësi. Në kundërshtim me sa thuhet dhe duket, besimi se shpëtimi i botës vjen nëpërmjet terrorit është krejtësisht modern dhe i vënë në praktikë vetëm përgjatë shek. XX prej nazizmit dhe komunizmit (njëri rreku të zhdukë me soj e sorollop racat inferiore, ndërsa tjetri klasat superiore), të cilat janë produkte të botëkuptimit pozitivist laik. Në thelb terroristi fundamentalist nuk ka tjetër shpresë dhe besim, çfarë në fakt tregon John Gray (në librin “Al Kaida dhe domethënia e modernitetit”) me tezën kundërrymës që atentati kundër Kullave Binjake, më tepër se vrasjen e mijëra njerëzve dhe prishjen simbolike të Qëndra Botërore e Tregtisë, shkatërroi mitin e shoqërisë perëndimore që beson patundur se pjesa tjetër e botës - në po atë masë që shekullarizohet dhe modernizohet - iluminohet dhe paqësohet në të njëjtën mënyrë se si ajo vetëpërfytyrohet e iluminuar dhe e paqësuar prej të njëjtit proces shekullarizimi dhe modernizimi, nisur kohë më parë. Sipas tij Al Kaida - organizatë hibride teokratike dhe anarkike që beson patundur se bota mund të transformohet totalisht nëpërmjet aktesh terrorizmi - është një dukuri anësore e globalizmit, e frymëzuar nga islamizmi radikal dhe njëkohësisht trashëgimtare e mendësisë moderne, e cila lind në Perëndim si rezultat përfundimtar i shekullarizimit, progresit shkencor dhe mendësisë pozitiviste, të cilat kanë prodhuar fashizmin, nazizmin dhe komunizmin, tre lëvizje me bindje mesianike analoge që bota mund të transformohet nëpërmjet terrorit.
Sipas botëkuptimit tradicional teist “kjo botë” nuk ka pikë rëndësie, shpëtimi pritet të vijë prej “botës tjetër” ose realizohet kur “të shkohet në atë botë” duke përdorur mënyra e mjete që nuk puqen kurrkund me konceptin e terrorit masiv dhe asgjësimit total të tjetrit, që siç u tha më lart janë dukuri tipike moderne. Është pafytyrësi të quash kryqëzatat dhe urdhrin templar të barabarta me armatat hitleriane dhe formacionin SS, dhe nga ana tjetër të shijosh fjalimin e Obamës në ditën e marrjes se çmimit “Nobel” për paqen.
Në kundërshtim me gjysmë të vërtetën e sheqerosur të bërtitur në media që “feja nuk është dhunë”, ekziston edhe gjysmë e vërteta tjetër e mërmëritur meqë tepër e hidhur: feja është dhunë që ç’ke me të, por ndryshe nga dhuna politike e ushtruar ndaj Tjetrit, dhuna fetare ushtrohet ndaj Vetes, siç rëndom bën praktikanti fetar duke u sakrifikuar për Tjetrin dhe duke zbatuar ndalesat dhe detyrimet fetare: shërbesë pa shpërblim, pagesë të së dhjetës, lutje ditë e natë, agjërim, beqari të vetëdijshme, vetmi murgërore etj. Sa më sipër shpjegon faktin e vënë re nga Robert Pape (eseja Vdiset për të fituar. Logjika strategjike e terrorizmit vetëvrasës) që sipas të dhënave, dhe krejt ndryshe nga poterja e daulleve të mediave, ka pak lidhje midis atentateve vetëvrasës dhe fesë islamike, sigurisht dhe çdo feje tjetër që merret me bomba dhe kallëpe dinamiti. Cytësit më të mëdhenj të atentateve vetëvrasëse janë Tigrat Tamil në Sri Lanka: nga 188 atentate të kryer nga viti 1980 deri në vitin 2001, rrumbullak 75 i përkasin këtij grupi marksist-leninist që i kundërvihet fesë.
Objektivi strategjik i atentateve vetëvrasës është shekullar dhe nacionalist, rrallë herë është feja shkaku i vërtetë, edhe kur bën vaki të jetë përdoret si instrument rekrutimi nga organizata terroriste që kanë për qëllim të detyrojnë demokracitë liberale të tërheqin forcat e tyre ushtarake nga një territor që terroristët e konsiderojnë atdheun e tyre. Dukuria ilustron saktë për bashkëshortësinë fe-politike (bërë hasha si tezë fundamentaliste që mban erë dinamit), dhe për shfaqjen e kombëtarisë si ideologji më vete pikërisht në epokën moderne kur besimin fetar riciklohet si besim kombëtarist, i praktikuar më me vixhut, më me duf dhe më pa din e pa iman se dikur praktikohej dogma fetare. Bëmat e inkuizicionit as që mund të krahasohen me bëmat e policisë të fshehtë, për ironi quajtur sigurim kombëtar dhe perceptuar nga popullata si pasiguria dora vetë, dyshimi absolut i ngritur në institucion, paranoja si thelb i shtet-kombit dhe shenja karakteristike e Modernitetit (njësoj si skizofrenia në krijimin artistik). Postmodernët më të thekur që mbrojnë tezën e antipsikiatrisë, i lidhin të gjitha këto çudira me krijimin e institucionit të çmendinës, përuruar edhe kjo e uruar në fillesat e epokës moderne, kur bëhet e modës skizofrenia si kusht i domosdoshëm (por jo i mjaftueshëm) për krijim kulturor.
Si përfundim terrori masiv dhe policor i justifikuar për qëllime mesianike është produkt safi i epokës moderne dhe progresit, i cili, për të gjitha krimet në histori, ia lë kopilin në derë prapambetjes kulturore, obskurantizmit mesjetar, fanatizmit, inkuzicionit etj. Më problem se truri pasqyrë i analfabetit është truri i rrudhosur i shkollarit që shpërfill faktin historik - gjendur në librin e historisë të klasës së pestë -, se inkuizicioni dhe gjuetia e shtrigave zënë fill si dukuri në kohën e Rilindjes, pikërisht kur Mesjeta obskurantiste na ka lënë uratën me të tëra. Frikën e fëmijërisë, që e sheh të përtejshmen e jashtë pragut të portës si panjohësi e pushtuar nga shtriga e shtriganë, intelektuali i shquar ia përvesh historisë paramoderne, duke e paraqitur Mesjetën si mesnatë e nxirë e ndriçuar nga flakët e autodafe-ve, shtëllunga tymi dhe erë mish i pjekur i shtrigave të përcëlluara në turra drush, kërcëllima kockash shkencëtarësh ateistë dhe hungërima inkuizitorësh sadistë që u vijnë vërdallë viktimave si hiena, duke tundur kryqin për të mbajtur larg Qoftëlargun. Nobelisti Elias Canetti, mbasi tregon në librin e tij “Vetëdija e fjalëve” hollësisht e me fakte se sa thellë është ngulitur në mendjen e njeriut modern falsifikimi iluminist i historisë, tallet hidhur: “Sot është më e vështirë të dënosh publikisht një person të vetëm me djegie në turrën e druve se sa të ndezësh një luftë të re botërore”.
Në qoftë se epoka moderne zë fill me Rilindjen - tezë historike e bërë bozë -, atëherë gjuetia e shtrigave rezulton dukuri mirëfilli moderne, madje mund të thuhet se “modernia” kumtohet nëpërmjet dukurisë “gjueti shtrigash”, e cila nxjerr sheshit bashkëshortësinë e krimit me vesin, meqë e bazuar në arketipin thanatos-eros, përfaqësuar prej përkatësisht figurës kriminale të inkuizitorit-xhelat që shpon me hekurishte (meqë nuk mundet ndryshe me penis) trupin e magjistricës-viktimë të akuzuar për praktikim rituali me kontest ose nëntekst erotik. Meqë intelektuali i shquar akoma nuk është shquar kaq shumë sa të ketë shpëtuar prej pulsioneve frojdiste, kompleksit të Edipit (plus dhe kompleksit të Afridhiqit, lënë pas dore prej Frojd patriarkalit), e lexon, e shkruan dhe e interpreton historinë e Mesjetës sipas asaj që ka vetë në mendje, në zemër dhe në bark (më saktë diku aty poshtë barkut, dhe sipas modës zyrtare, diku aty në rrëzë të shpinës). Pra vetë shkruan e vetë lexon, vetë zot e vetë shkop, dhe kështu intelektuali i shquar Markez de Sade mbetet profeti i padiskutueshëm i kohës sonë, ndërsa njerëzimi hardalloset pa gjetur rrugëdalje midis plligështisë dhe krimit, përkatësisht epokës së dekadencës morale dhe epokës së tiranisë, që pasojnë njëra tjetrën si dita pason natën dhe anasjelltas.
Pikërisht këtë ide e ilustron shkëlqyeshëm Luchino Visconti në “trilogjia gjermane” të përbërë nga tre filma: “Rënia e zotëve”, “Vdekje në Venecie” dhe “Ludwig”. Filmi “Rënia e zotëve” i Visconti-t, homoseksual i deklaruar dhe njëkohësisht anëtar i partisë komuniste italiane (dora e Pazolinit që ka bërë diçka të ngjashme kundër fashizmit në filmin “Salò”), dëshmon kalimin “e natyrshëm” nga bordelloja e Republikës të Weimar-it në kasaphanën e Rajhut të Tretë nëpërmjet historisë të një familje derë e madhe manjatësh të industrisë së rëndë që shkatërrohet moralisht dhe fizikisht (pederasti, incest dhe pedofili, llokoçitur me vrasje dhe vetëvrasje), me përfundimin tragjik që fabrikat në pronësi të tyre prej tre brezash shkëmbejnë prodhimin nga mall paqësor, në armatim luftarak për të fuqizuar ushtarakisht Rajhun. Shumë tregues është fakti që këtë shndërrim djallëzor e bën një personazh i ftohtë akull që llogariste dhe parashikonte çdo gjë me përpikmëri, pikërisht sepse “noçka” nuk i bënte asnjë përshtypje, ndërkohë që të tjerët ishin rob të saj, thënë në gjuhë frojdiste: shndërroi libidon (erosin) në thanatos, dhe të dyja i sublimoi në utopi politike shpëtimtare.
Shtrigat, shtriganët, shtrigania dhe inkuizicioni në bashkëkohësi kanë ndryshuar formën rilindase duke u transeksualizuar, rafinuar, shumëfishuar, zyrtarizuar dhe akademizuar, e kështu pra duke gënjyer ditën me diell pa pikë turpi. Shembulli më i freskët dhe më i njohur i paturpësisë është gjeniu i letrave të përbotshme Dan Brown, i cili shkruan në “Kodi da Vinçi” se gjatë gjuetisë së shtrigave Kisha dogji mbi turrën e druve pesë milion gra (të tjera burime japin shifrën nëntë milion), ndërkohë që gjithë popullata e Evropës së atëhershme vështirë se e arrinte këtë numër. Referuar vetëm burimeve origjinale të dokumentuara - dhe jo llafeve të pazarit kulturor iluminist - numri i shtrigave të djegura prej Inkuizicionit nuk kap as shifrën 100, që janë hiçasgjë krahasuar me 50.000 raste të tjera djegiesh të ligjëruara prej gjykatave civile, plus faktin që gjykimet e shtrigave të bëra prej inkuizicionit kërkoheshin prej vetë popullatës, të cilës në fakt ia kishte qejfi t’i linçonte fët e fët pa asnjë gjykim. Sipas interpretimit iluminist të historisë, krijimi i inkuizicionit dhe bëmat mizore të tij janë reagim i Kishës të lebetitur prej mësimeve të shkencës rilindase që vuri në dyshim dogmat fetare duke rrezikuar pushtetin absolut të saj të përdorur, bashkë me injorancën, për të dhunuar dhe budallallepsur masat e gjëra popullore. Megjithëse intelektuali laik flet sikur t’i ketë mbajtur bishtukun ndjenjave të klerit të 500 vjet më parë - ndërkohë që për të ditur si quhej gjyshi i tij duhet t’i marrë dorën priftit të katundit që i ka të shkruara të gjitha me qitap deri tek Adami dhe Eva -, problemi është më i hidhur sa e tregojnë rrëfenjat iluministe me inkuizicion, teleskop, Galile, Xhordano Bruno etj. Mbasi shembet vizioni mesjetar ptolemeik që konsideronte Tokën si qendër të gjithësisë - gjë që garantonte qëndrueshmërinë e truallit nën këmbët e njerëzve - vizioni rilindas kopernikian, duke treguar se Toka është një thërrmijë çfarëdo në univers që sulet vrullshëm drejt hapësirave të panjohura kozmike, krijoi ankthin tipik të njeriut modern, që për më tepër kish humbur besimin ngushëllimtar në qenien e Zotit dhe në pavdekësinë e “botës tjetër”. Asgjësimi i unitetit të gjithësisë - garantuar më parë prej qenies së Zotit - i hapi kanatash dyert e kaosit, pasigurisë dhe ankthit kozmik, tashmë çfarë ishte dhënë, realizuar dhe trashëguar mund të zhdukej në çast pa lënë gjurmë. Natyrshëm gjendja e zakonshme e njeriut modern bëhet lebetia, tani nuk është më punë prifti dhe hoxhe që dalin në gjah për shtriga, sepse çdo profesion dhe institucion modern shfaqet në forma të përbindshme që pasqyrojnë lebetinë kozmike, sqaruar për bukuri prej veprës dekostruksioniste që analizon mbarë e prapë lindjen dhe funksionet e institucioneve modernë të shtet-kombit, policisë së fshehtë, çmendinës, lager-it, gulag-ut, dosjeve, arkivit, muzeut, bibliotekës, urbanizimit etj. Arti modern ilustron për bukuri se në epokën moderne hapen kanat dyert e ferrit dhe krimi, flligshtia, ankthi, paranoja, absurditeti, budallallëku, gënjeshtra, përmbyt tokën si kurrë më parë. Ky është rezultatai i natyrshëm i mosbesimit që ekziston një qendër dashurie absolute prindërore, me pasojë glorifikimin e individit të vetkonsideruar qendër e botës, përfaqsuar shkëlqyeshëm prej intelektualit të shquar që e ka ngritur në sistem absolut relativizmin logjik, etik dhe estetik, duke i hapur rrugën çdo lloj përkatësisht trapllëku, maskarallëku dhe palaçollëku të mundur, e pastaj kërkon pale identitet kombëtar, rrënjë evropiane, integritet moral, ligjshmëri, begati, zhvillim kulturor e të tjera zarzavate të këtij lloji.
Mirë të kaluarën e largët të mesjetës evropiane, por gënjeshtra përmbyt edhe të kaluarën e afërme të historisë së krijimit të Bashkimit Evropian, vepër e tre etërve themeltarë Schuman, De Gasperi dhe Adenauer (përfaqësues të trinitetit të shenjtë evropian frank-italik-gjermanik), të cilët ishin besimtarë praktikantë që mbanin besën dhe ndiqnin Parimin shumë më ndryshe nga presidentët, kryeministrat dhe ministrat e sotëm që lëngëzohen përkatësisht para shalëve të top-modeles, prostitutës në pishinë të vilës dhe kurmit të njomë të miturakut tajlandez. Nga pikëpamja e miqve të shtrigave që sot shestojnë mollaqet në kolltukët e parlamentit evropian, Schuman (presidenti i parë i parlamentit evropian) rezulton të ketë qenë fundamentalist safi kur theksonte: “një demokraci antikristiane do të jetë një karikaturë që do të zhytet në tirani ose në anarki”; saktë demokracia e ekonomistëve, programatorëve, burokratëve dhe teknokratëve që kujtojnë se bëhet një vend vetëm me marifete ligjore, allishverishe zgjedhore dhe dallavere monetare (mjafton shembulli i krizës bankare që po përballet nga të njëjtët persona dhe me të njëjtat mjete që e kanë shkaktuar, duke krijuar vetëm pare borxh, pa krijuar pasuri të tepërt). Gjithashtu fundamentalist rezulton edhe ministri irlandez që udhëhiqte Këshillin Evropian kur shpalli solemnisht në ceremoninë e përurimit të stemës së flamurit blu me yje të verdhë në 13 dhjetor 1955: “Zotërinj, kam nderin t’iu paraqes këtë flamur ... që të valëvitet në jetë të jetëve, në liri dhe paqe me bekimin e Zotit”.
I doli fjala Niçes që shkroi në librin “Përtej të mirës dhe të keqes” - gjysmë shekulli para se të bëhej realitet i prekshëm nga të gjithë - se ethja e lirisë që ka pushtuar Evropën rebele ndaj çdo lloj autoriteti e padroni, në thelb është kërkesë për padronë të rinj, më të tmerrshëm, më katilë dhe më pashpirt se të parët. Me sa duket bathët Niçe ziut (sigurisht edhe Marks kuqit) do t’i dalë përsëri fjala, sepse, ndryshe nga sa shpresohet dhe besohet patundur nga të shkalluarit prej tepër të shkolluarit e masterizuar dhe dixhitalizuar, nuk ha pykë njeri prej historisë të shkruar dhe rishkruar për të mbajtur kalamajtë me bukë dhe të lexuar si zbavitje letrare për të kaluar kohën e lirë, aq më pak duke bërë ekskursione në Aushvic “për të mbajtur gjallë kujtesën” e “fatosa pionierë” të pensionistëve që kanë harruar, ose bëjnë sikur, se në ‘68-ën i quanin me përkufizim prindër top-muti (stronzo) dhe maskarenj të moshuarit mbi 30 vjeç. Vazhduar me të njëjtin stil do t’ia arrijmë ditës kur ahengu postmodern i glorifikimit të individit, lirisë pa kufi dhe lirisë për liri - ku nuk ka mbetur gjë pa e bërë duke lënë gojëhapur edhe të Paudhin vetë -, do të paguhet i gjithi në dërrasë, dhe me kamatë bile, e aq tepër shtrenjtë saqë tragjeditë e derisotme me lager dhe Spaç do të duken si shakaja e radhës e “shakaxhinjve të përparimit”. Sido të mbarojë historia e Evropës (që është edhe e botës si qendrore në epokën moderne), për mirë apo për keq qoftë, tirania duket e garantuar sidoqoftë, sepse është bërë ç’është e mundur për të shkatërruar mundësinë e ndërtimit me hir të një shoqërie siç duhet e siç e do e bardha zemër.
Prej vitit 1912 e tëhu “kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” pëson efektet e një bombardimi të vazhdueshëm kulturor në çdo fushë e me doza të padurueshme edhe për vendet e ashtuquajtura të zhvilluara, të cilat, kush më pak e kush më shumë, kush më vonë e kush më herët në kohë, robtohen pa pushim për të vënë në jetë projektin modern të një shoqërie pa Zot, rast i pashembullt në tërë historinë e njerëzisë, rëndom konceptuar, prodhuar dhe riprodhuar në shekuj të shekujve si histori e Providencës. Hallall vuajtjet, djersa, lotët dhe gjaku i derdhur lumë nëse do të ishin realizuar ëndrrat e mëdha të rilindësve, pavarsistëve, republikanistëve, monarkistëve, kolaboracionistëve, totalitaristëve dhe post-totalitaristëve, por për fat të keq gjithçka duket e shkuar për dhjamë qeni. Bëj e fut me elektroshok reforma moderne, vendi ndodhet në gjendje diarreje kronike: sa fillon të mpikset disi forma e institucioneve dhe administratës, nëmat ndryshon moda kulturore e rrethanat politike ndërkombëtare, dhe gjithçka e arritur hup gjirizave si spirë dizenterie. Çfarë nuk ndryshon kurrë është kapsllëku i injorantit me shkollë që kujton se bëhet një vend vetëm me marifete teknike, duke zbatuar reforma ligjore, monetare dhe politike të pashoqëruara nga reforma të brendshme shpirtërore, e për më tepër vazhdon të ngulë këmbë si mushka në udhën e të Paudhit edhe mbas dështimeve të bujshme të projektit fashist, nazist dhe për më tepër atij komunist që ngordhi vetiu. E për kiamet nuk ndalet pa i shkuar deri në fund, megjithëse në horizont përvijoset për ditë e më tepër kërcënues Qameti, e vaj vatani/e mjerë mileti.