Burgaj: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, sfidat e mëdha të policisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Policia pranë”, gjatë ekspozesë së punës së tij dymujore në krye të Policisë së Shtetit, ka përdorur një gjuhë komunikimi pothuajse të zhveshur nga kornizat ligjore, për të përcjellë mesazhin në komunitet që policia tashmë është më sociale, më humane dhe është një shërbim në shërbim të qytetarëve. Për zotin Burgaj, të qenit drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është një detyrë sa fisnike aq dhe e vështirë. Ndër të tjera, ai ka theksuar se “do të punoj me përkushtim për plotësimin e kërkesave dhe standardeve të vendosura nga BE për liberalizimin e vizave dhe integrimin në strukturat e BE-së të vendit tim”
ǒdo të thotë për ju posti drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?
Në jetë njeriu has shumë dëshira, detyra, sfida apo humbje, por në çdo vend apo hapësirë shërbimi ndaj qytetarëve është vlerësuar me të drejtë një vlerë që imponon respekt. T’i shërbesh vendit tënd dhe bashkatdhetarëve të tu është një udhë nëpër të cilën rrallë shkohet. Për më tepër do ta cilësoja si një privilegj të çmuar të kesh në dorë të pikturosh siguri dhe përmirësim jete çdo ditë në ajrin, tokën e qiellin e çdo pjesëtari të çfarëdo komuniteti që ai i përket. Pozita ime si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më bën të ndihem çdo ditë e më shumë përgjegjës për cilësinë e shërbimit tim dhe vartësve të mi. Policia e Shtetit është një institucion që ekziston falë qytetarëve dhe në shërbim të tyre, duke qenë në pararojë të çdo pasigurie, problemi apo shqetësimi.
Gjithashtu, marrja e një posti të ri më vë në pozitën e një “vlerësuesi” të paanshëm të asaj çka është bërë më parë nga paraardhësi im.
Sa i distancuar nga politika shfaqet sot institucioni që ju drejtoni?
Pishtari ynë olimpik e ka emrin ligj dhe vetëm ligj, i cili është i çngjyrosur politikisht dhe këtë e theksojmë me vendosmëri. Çdo polic/e që nga Vermoshi në Konispol ka për detyrë të njohë dhe respektojë një libër të shenjtë, bashkëshoqërues të domosdoshëm të punës së tij, të pamohueshmin ligj.
Tashmë, Shqipëria është pjesë e strukturave të NATO-s. Sa të realizueshme i shihni synimet e mëtejshme të Shqipërisë, si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në BE? Cila do jetë ndihmesa e policisë për t’i përmbushur ato?
Anëtarësimi ynë në strukturat e NATO-s, sigurisht është një fitore e madhe për të gjithë shoqërinë shqiptare, një vlerësim i shumëpritur e i kërkuar me punë dhe ngulm prej cilitdo prej nesh, një provë e çeljes së dritës jeshile për pikësynimet e Shqipërisë. Megjithatë duhet të mos harrojmë se të qenit pjesëtar të kësaj strukture, ashtu siç na njeh të drejta të barabarta, na bën dhe me detyra të njëjta me shtetet e tjera. Në këtë mënyrë, përgjegjësia ndahet dhe bie mbi secilin nga ne. Sfida që na paraprin është përmbushja rigoroze e detyrave që BE i ka vënë Shqipërisë si kusht për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e saj, ku detyrat më të mëdha janë të Policisë së Shtetit, në të cilat proklamohet me të madhe si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, menaxhimi i integruar i kufijve që do të thotë; kufij të lirë, por të sigurt etj.
Këto 3 pika do jenë objektivat kryesore për Policinë e Shtetit për vitin 2010, pikërisht këto pika të fuqishme që e kanë shoqëruar prej vitesh shoqërinë shqiptare.
Puna që kemi përpara është e lodhshme, me risk, krejtësisht sfiduese, por vullneti është i madh, motivi i lartë, i cili do të na shtyjë përpara për të kaluar këtë sprovë të madhe për ne shqiptarët.
Për sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, ç’përkufizim do të na sillnit?
Krimi ekonomik, droga, kontrabanda dhe trafikimi i njerëzve janë tre format kryesore të krimit të organizuar që përbëjnë një kërcënim ndaj demokracisë. Lufta kundër krimit të organizuar mbetet një ndër prioritet më kryesore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Kjo e lidhur me vetë pasojat dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore që ka ky fenomen. Krimi i organizuar në vetvete përmbledh shumë aspekte të veprimtarisë kriminale dhe për këtë ne kemi hartuar një strategji që do të mundësojë vlerësimin e situatës dhe identifikimin e problemeve, si dhe përcaktimin e masave dhe formave të reja që do të përdorë policia kundër këtij fenomeni. Krimi i organizuar, të cilin e shohim tek përpëlitet, por i pabesë dhe pse herë–herë i dobësuar me trupin e shformuar, zhytur tej kufijve të antihumanizmit, do të marrë më në fund goditjen që meriton. Korrupsioni është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, një sfidë që mund dhe duhet të përballohet. Jemi të ndërgjegjshëm se korrupsioni, me një shtrirje të madhe ose të vogël, është një kërcënim për institucionet demokratike dhe të drejtat e liritë themelore njerëzore dhe nga ana tjetër frenon e minon zhvillimin, si dhe thellon varfërinë në vend. Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet permanent i punës sime si drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, rezultatet e së cilës do t’i konstatoni edhe ju si media.
Që në fillim të emërimit tuaj paralajmëruat me vendosmëri reforma të thella në Policinë e Shtetit. A mendoni se këto reforma megjithëse në fillimet e tyre po japin frytet e pritshme?
Reformat janë një hap drejt progresit, riaftësimit në koncepte e vlera, një hap i domosdoshëm drejt përsosjes bazuar në kërkesat e emancipimit shoqëror. Premtimin për reformim dhe një frymë të re në strukturat e Policisë së Shtetit e kam zbatuar me përpikmëri. Tanimë një fytyrë e rikonstruktuar që e ka hedhur tej plogështinë e verbër të një ngërçi sfilitës dhe afatshkurtër, duke e lejuar vitalitetin të përthithet nga çdo strukturë, na shfaqet me harmoni e ripërtëritur. Çdo lëvizje është bërë mbi kritere tërësisht profesionale dhe e bazuar në ligjin e Policisë së Shtetit. Këto që sapo citova i vërtetojnë më së miri rezultatet e arritura gjatë muajit Nëntor dhe Dhjetor të këtij viti. Dhjetëra operacione të koduara janë zhvilluar gjatë këtyre dy muajve nga Strukturat e Hetimit të Krimit, ku u goditën disa grupe me veprimtari të lartë kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, të vjedhjeve me armë, gjobëvënies, trafikut të klandestinëve dhe veprave të artit, në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, të kontrabandës, si dhe së fundi operacioni i koduar “Piramida”, më i suksesshmi dhe më i madhi i zhvilluar ndonjëherë nga Policia e Shtetit në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave, ku vepronte një nga grupet më të mëdha të goditura ndonjëherë nga policia etj., u sekuestruan 23 kilogramë heroinë dhe mbi 1.5 ton marijuanë, u bllokuan 50 makina luksoze të vjedhura, 20 milionë lekë të falsifikuara, armë zjarri dhe dhjetëra mallra ushqimore kontrabandë. Në këto operacione pati të arrestuar edhe punonjës të administratës. Por të kënaqesh me pak në rrethanat ku ndodhemi sot, do të thotë të gremisesh në një letargji të përjetshme dhe fatale. Siguria kombëtare si në menaxhimin e kufirit detar, tokësor apo dhe në luftën antiterror, parandalimi i aksidenteve rrugore ku me të drejtë ministri i Brendshëm e cilësoi si sfidë për Policinë Rrugore, mbrojtja e Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, paprekshmëria e pronës, parandalimi i dhunës në familje etj., do të jenë të tjera pika kyçe ku do të vërtitet puna e policisë.
A ka shërbyer shkëmbimi i eksperiencave me homologët në arritjen e rezultateve pozitive për Policinë e Shtetit dhe me ç’ritëm do të vazhdohet ky bashkëpunim?
Në sukseset që ka arritur policia, një vend të veçantë zë dhe shkëmbimi i eksperiencave me homologët ndërkombëtarë, si në anën praktike dhe atë teorike, si dhe asistenca e ofruar prej tyre.
Bashkëpunimi ynë me homologët na ka ndihmuar në përsosjen e filozofive dhe metodave, çrrënjosjen e elementeve inkoherente dhe sigurisht edhe në performancën e një cilësie pune tanimë më të mirë. Ekstradimi i dhjetëra personave me rrezikshmëri të lartë kriminale, vendosja e pikave të kontaktit me çdo polici homologe, vizitat e dyanshme, trajnimet e ofruara nga homologët për oficerët tanë, aplikimi i metodave më speciale të hetimit e të tjera bashkëpunime janë një tregues i qartë i marrëdhënieve shumë të mira që ne kemi me homologët tanë.
Ky bashkëpunim do të rritet akoma më shumë në sajë të larmishmërisë së problematikave dhe kërkesave në rritje të shoqërisë përkundrejt shërbimit policor që dita–ditës po kthehet në nevojë të domosdoshme për çdo qytetar. Homologët janë bërë një pjesë e pandashme dhe e papërjashtueshme e punës sonë. Shkëmbimi i eksperiencave dhe informacioneve për grupet dhe personat që ushtrojnë veprimtari kriminale është shndërruar në një faktor pozitiv dhe frytdhënës në veprimtarinë tonë të përditshme.
A luan rol media në pasqyrimin e punës suaj dhe strukturave që ju drejtoni, apo shihet thjesht si një faktor i dorës së dytë?
Transparenca me median merret në konsideratë si një faktor primar dhe vendimtar në informimin e publikut dhe në vijueshmërinë normale të punës sonë të përditshme. Respekti për mediat lind automatikisht me të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, ku fjala e lirë dhe e drejta për informim përbëjnë në kompleksitetin e elementeve, bazën e një shoqërie të shëndoshë. Mediat kanë armën më të fuqishme të qenieve njerëzore: fjalën pa të cilën do të ishim robër të injorancës dhe agresivitetit. Fjala është thika me dy presa që ndan, bashkon, organizon dhe thërrmon aty ku ka ngërçe dhe dekompozime të pajustifikuara. Media do vazhdojë të mbetet e pacenuar, por me hapësira më të mëdha akoma, në të cilat mund të zhvillojë më mirë prirjet dhe interesat e saj.
Përmendët më lart disa herë radhazi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duke iu mëshuar me forcë. A respektohen të drejtat e pakicave etnike dhe komuniteteve të ndryshme në Shqipëri nga policia?
“Bota do të ishte më e mirë nëse do të kishte më shumë shqiptarë, - ka thënë ambasadori amerikan, John Withers. Kjo shprehje është e goditur pa qenë aspak egocentrike: shqiptarët e duan harmoninë në bashkëjetesë. Ata janë njerëz mjaft humanë dhe tolerantë, një nga treguesit më të pastër të këtyre dy virtyteve konsiston në harmoninë mes komuniteteve dhe minoriteteve, ku Policia e Shtetit ka luajtur rolin e saj pozitiv, të cilin do vijojë ta kryejë në funksion të harmonizimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Liritë dhe të Drejtat e Njeriut nuk janë dhuratë e policisë për qytetarët, por policia e ka për detyrë që t’i respektojë dhe mbrojë ato.
Thelbi i një marrëdhënieje frytdhënëse është bashkëpunimi, si e sheh policia bashkëpunimin me komunitetin?
Policia e Shtetit, si institucioni më i lartë vëzhgues i zbatimit të ligjit, zhvillohet çdo ditë e më tepër dhe është gjithmonë e hapur për bashkëpunim.
Ne përfaqësojmë drejtpërsëdrejti shoqërinë shqiptare vlerat dhe problematikat që e karakterizojnë atë dhe si të tillë kërkojmë që shkalla e bashkëpunimit mes nesh të jetë optimale, tashmë jemi një shërbim në shërbimin tuaj. E duam punën tonë dhe motivohemi çdo ditë nga optimizmi, e reja, e përsosura dhe pikërisht këto motivime shpresojmë t’i sigurojnë kombit tonë një hap drejt të ardhmes së ndritur, pa e kursyer asnjë çast devotshmërinë tonë. Ne kërkojmë që të rinjtë të mbështetur nga politikat e brendshme dhe të jashtme të vendit të kontribuojnë me dijet e tyre në përmirësimin e sistemit duke iu dhënë hapësirat e nevojshme. Sot ju kërkoj bashkëqytetarëve të mi, të jenë pjesë ndihmëse e vigjilencës dhe punës sonë sepse ka vetëm një mënyrë për të luftuar krimin, një rrugë të vetme me akses të plotë dhe të sigurt që quhet bashkëpunim. Luftërat sado të vogla qofshin në përmasa, për t’i fituar ato, kërkojnë në radhë të parë bashkëpunim.
Marrëdhënia ndërinstitucionale polici-agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, me organizatat qeveritare, joqeveritare, është një domosdoshmëri apo policia mund të funksionojë më vete, pavarësisht tyre?
Marrëdhëniet ndërinstitucionale në një shtet ligjor janë kurdoherë të nevojshme dhe të domosdoshme. Organizimi shtetëror që funksionon në vetvete si një hierarki ku përfshihen dhe gërshetohen detyra dhe varësi, bën që ky bashkëpunim të jetë edhe më i afërt dhe intensiv. Për më tepër, policia është një institucion i ngarkuar me kontrollin e zbatimit të ligjit dhe të vërë para tij shkelësit. Kompetencat e një institucioni ndryshojnë kryekëput nga një tjetër, duke e bërë edhe bashkëpunimin të pashmangshëm. Puna jonë bazohet në përmirësimin e marrëdhënieve individ-institucion midis institucioneve dhe anasjelltas.
Së fundi, jemi në prag festash, ç’masa sigurie ka ndërmarrë policia për të siguruar që këto festa të kalojnë pa probleme? Një urim për shqiptarët!
Duke përfunduar, garantoj gjithë qytetarët se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që festat e fundvitit të kalojnë pa incidente: Urimi që dëshiroj të përcjell për ta.
Gëzimet janë të bukura dhe të shumëllojshme dhe si në forcën e një mrekullie jashtë realitetit tokësor ato rrëzëllejnë paqe dhe dashuri kur i falim tek ata që duam më shumë, gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2010! Paqe dhe begati! I uroj të gjithë kolegëve të mi suksese dhe i falënderoj për përkushtimin dhe devotshmërinë që kanë treguar. Sfida të reja na presin, por të bashkuar do të mund t’iu bëjmë ballë me sukses. Gëzuar!