E Diel, 1 Nëntor 2026

Po kontrollorin kush e kontrollon?

NIKOLLAQ NERANXI

Kjo është një pyetje që ka lindur prej Legjislativit dhe zakonisht dëgjohet në seancat e debatit parlamentar, kur bëhet fjalë për mënyrën se si zgjidhen dhe se si kontrollohen funksionet e enteve apo institucioneve kontrolluese.  Kjo pyetje lind rëndom në praktikën e përditshme të ballafaqimit të qytetarit me inspektorët apo grupet e inspektimit që vijnë nga tatimet, nga inspektoratet apo edhe degët e ndryshme të kontrollit shtetëror. Në marrëdhënien e sotme mes tatimeve, por sidomos hetimit tatimor dhe operatorëve të biznesit, po shfaqet edhe një praktikë, e cila lë hapësirë për ankesa dhe për denoncime. Ndodh që falë atributit të ri funksional që ka hetimi tatimor, inspektorë të hetimit tatimor, të shoqëruar edhe nga grupet e gatshme, të paraqiten pranë një kompanie apo një biznesi dhe të komunikojnë sekuestrimin e bazës kompjuterike ku janë ruajtur të dhënat dhe veprimet operacionale të subjektit. Deri këtu veprimi duket normal dhe nuk ka asgjë të kundërligjshme. Por, problemi dhe arbitrariteti shfaqet pikërisht pas kësaj.
Pas marrjes me procesverbal dhe me dorëzim të rregullt nga këta inspektorë dhe grupet e gatshme, të bazës kompjuterike të subjektit, në aktin rikthyes të tyre mund të ndodhë që ata të kenë dëmtuar dhe, pse jo, edhe të kenë zhdukur ato të dhëna, hard diskun apo edhe kodet e kompanisë apo subjektit, duke mos e mbajtur askush përgjegjësinë për këtë dëmtim me pasoja të rënda për veprimtarinë dhe funksionimin e mëtejshëm të këtij biznesi, kompanisë apo subjekteve në tërësi. Kjo është një vepër e pastër kriminale, për të cilën fajtori mbetet anonim dhe institucionet përgjegjëse nuk mbajnë përgjegjësi. Kjo është një praktikë që fatkeqësisht haset përsëritshëm me subjekte që përballen me kontrollet pasionante të segmenteve apo individëve të këtyre strukturave.
Ky arbitraritet nuk ndëshkohet sipas ligjit, dhe kjo  sjell një dëm, i cili drejtpërsëdrejti lidhet me normat dhe rregullat e konkurrencës dhe barazisë në mbarëvajtjen e biznesit. Një arbitraritet i tillë të jep mundësinë të ngresh dilema dhe pyetje retorike, të cilat e ulin besueshmërinë ndaj hetimit dhe ndaj nëpunësve të veçantë të tij. Këto janë raste kur kontrolluesi është i pakontrollueshëm dhe, për rrjedhojë, mund të cilësohet edhe si abuzues dhe shpërdorues i tagrit që mbart.
Në këtë konstatim, nuk mund të lihet jashtë vëmendjes edhe vakumi ligjor, pra më saktë, problemi i zbuluar që rezulton nga ligji që rregullon punën e këtij organi hetimor në fushën dhe veprimtarinë e biznesit. Për dijeni të publikut, ligji 9920, neni 127, pika 3, citon shprehimisht kështu: Në rast se organet tatimore kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për gjendjen e tij ekonomike-financiare, organet tatimore kanë të drejtë tia sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe fiskale dhe mjete të tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij. Ky ligj me kaq defekte u jep mundësi organeve tatimore të bëhen abuzues të pastër, sepse nxjerrin nga ambientet e kompanisë gjithë materialin me të cilin ajo operon, duke lënë veç muret e saj. Gjithkush që ka mandat shtetëror për të bërë një kontroll, duhet ta bëjë atë në ambientet e tatimpaguesit, dhe jo ky i fundit të plaçkitet në mes të ditës si një keqbërës. Një precedent i rrezikshëm që ka lindur nga kjo procedurë është se sot gjen sipërmarrës që deri dje kanë punuar në organet e tatimeve falë abuzimeve që kanë bërë me djersën e atyre që deri dje shteti shqiptar u kishte besuar mbarëvajtjen e sipërmarrjeve private. Do të ishte me vend që Avokati i Biznesit, për këto çështje dhe raste, të ishte më aktiv dhe më i afërt për komunitetin e biznesit. Ai duhet të shprehet dhe të bëhet më raportues qoftë edhe në publik për këto ankesa dhe problematika, pasi në këtë mënyrë, kontrolluesi bëhet i kontrollueshëm dhe transparenca e veprimtarisë së tij rezulton vërtetësisht reale. Në të kundërt, askush nuk mund ta mohojë se falë këtyre individëve dhe strukturave, ky institucion të shndërrohet në gjobëvënës dhe protagonistë të shkeljes së ligjit, të sjelljeve dhe veprimeve arbitrare dhe korruptive, si dhe të marrin rolin e gjobëvënësve të veshur me petkun e hetuesve tatimorë apo të inspektorëve që operojnë vetëm me telefona, si banditë të marrëdhënies me biznesin.
Në ditët e sotme, kur efektet e krizës, problematikat për shkak të situatës së shtrënguar financiare dhe asaj sociale në vend shtohen edhe më shumë, është me rëndësi që kujdesi dhe marrëdhënia që ngre administrata fiskale apo edhe rrjeti i institucioneve në përgjithësi me biznesin, të orientohet kah efektivitetit, kooperimit që lehtëson lëvizjen dhe qarkullimin. Nëse kjo marrëdhënie partneriale devijohet në marrëdhënie armiqësore, konfliktuale dhe tendencioze, atëherë pasojat janë negative në shumë drejtime. Autoriteti kontrollues i tatimeve dhe i strukturave të hetimit tatimor bëhet edhe më eficient nëse evitohen politikat selektive, arbitraritetet penguese dhe dëmtuese dhe nëse përjashtohet kategorikisht ndërgjegjja e rënies pre e konfliktit të interesit për llogari të konkurrencës së tjetrit apo të xhepit të tij. Kontrolluesi duhet të jetë i kontrollueshëm së pari dhe rigorozisht prej ligjit dhe prej instancave të tjera institucionale që ndëshkojnë antiligjin. Nëse kontrolluesi do të sillet me biznesin si i pakontrollueshëm, atëherë ai merr atributet e dhunuesit, e nëpunësit që bashkë me kostumin e inspektorit, ka të mbuluar edhe ndërgjegjen e gjobëvënësit dhe të gjuetarit apo të grabitqarit ndaj biznesit dhe kapitalit shoqëror në përgjithësi. Dhe mos harroni, po flasim për njerëz që paguhen nga këto biznese si dhe nga taksat e tjera që u vilen qytetarëve të këtij vendi për të na shërbyer, dhe jo dhunuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›