Të vërtetat e pathëna mbi legalizimin e prostitucionit

Pastor Akil Pano
AKIL PANO
Ndihesha sikur skisha një vend ku të shkoja dhe se smund të funksionoja më as si një qenie njerëzore. Në çdo vend që gjendesha, më dukej sikur të gjithë më shihnin dhe e dinin se me se merresha për të jetuar. Ndihesha e pisët, e mashtruar, me një respekt të humbur, e dhunuar dhe një individ i padenjë për shoqërinë. Nuk e njihja më Anin! Shpesh kisha menduar për ti dhënë fund jetës. Gjithçka ndodhte në fushëbetejën e mendjes dhe nëse nuk do të kisha kërkuar ndihmë, do të humbisja gjithçka. Kjo është deklarata e Anit, një ish-prostitutë dhe striptiste.
Por, a mund të hiqen linja paralele mes kësaj dëshmie rrëqethëse të një ish-prostitute dhe atyre mijëra vajzave dhe grave që ushtrojnë prostitucionin? Në fakt, Ani, e cila dëshmon se duke bërë prostitutën kishte humbur identitetin e saj, është etaloni i denjë për kornizimin e jetës emocionalo-shpirtërore dhe sociale të një prostitute. Dëshmia e Anit i jep zë zërit të mekur të çdo vajze të shndërruar në një punëtore të seksit, e cila ka provuar se të jesh prostitutë do të thotë shumë gjëra. Të jesh prostitutë do të thotë të ndihesh e pisët, e mashtruar, me respekt të humbur, e dhunuar dhe një individ i padenjë për shoqërinë. Të paktën Ani ndihej kështu. Shtegu i dramës së Anit kaloi nga humnera e zbrazët e humbjes së identitetit, madje disa herë e ndali rrugëtimin në betejën e vullnetit për ti dhënë fund jetës. Ky është realiteti i jetës së një prostitute, një realitet i mbushur me eksperienca të kërcënimit për jetën, dëmtime serioze fizike dhe psikologjike. Statistikat e publikuara paraqesin se pjesa më e madhe e prostitutave vuajnë nga çrregullimi posttraumatik i stresit (Post Traumatic Stress Disorder):
Sipas të dhënave të publikuara, nga numri i prostitutave të intervistuara, të cilat janë pyetur nëse janë kërcënuar apo nëse është ushtruar dhunë ndaj tyre, u janë përgjigjur me po pyetjeve si më poshtë:
- Të kërcënuara me armë: 78%
- Të abuzuara fizikisht: 82%
- Të përdhunuara: 82%
- Të përdhunuara më shumë se 5 herë: 73%
- Të pastreha: 84%
- Të dhunuara fizikisht në fëmijëri: 49%
- Të abuzuara seksualisht në fëmijëri: 65-95%
Në panelet e debatit televiziv, dikush e ka karakterizuar prostitucionin në elitar dhe të rëndomtë, ose e thënë ndryshe, si prostitucioni që ushtrohet në dhomat e hoteleve luksoze, në shtretërit komodë dhe çarçafë të mëndafshtë dhe si prostitucioni, i cili zhvillohet në sediljet e pasme të makinave apo qoshet e errëta të rrugëve të ngushta. Mendoj se ky kategorizim forme që i bëhet prostitucionit nuk ndihmon asnjërin prej nesh që të kuptojë se çfarë është prostitucioni në të vërtetë. Unë them se prostitucioni karakterizohet nga trishtimi i syve të një prostitute për qytetin e saj të humbur, i cili tashmë ka braktisur çdo ëndërr të saj. Ai karakterizohet nga brenga e thellë e shpirtit të një vajze, e cila e di që ka humbur përgjithmonë dashurinë e përqafimit të babait dhe aromën e ngrohtë të shtëpisë ku ka lindur. Prostitucioni karakterizohet nga dhimbja e ëndrrave të lëna në mes, nga braktisja e vetes dhe transformimi i pashmangshëm vrastar, i cili ndodh brenda qenies. Individi shndërrohet nga qenie me integritet moral, në një objekt i lëshuar me qira për plotësimin e nevojave që sngopen kurrë. Prostitucioni është dekadenca e thellë e moralit individual, e kur në një vend ai legalizohet, sështë asgjë më shumë se dekadenca e moralit kolektiv. Diskutantët pasionantë, të cilët kanë marrë përsipër të flasin mbi këtë çështje, diskutojnë për amendamente, nene, paragrafë e ligje duke i shkëputur këto të fundit nga çështja thelbësore, që është morali. Morali është guri i themelit i çdo familjeje, institucioni dhe i çdo kombi. Një komb që nuk i konsideron pikat e referimit të moralit, është si një anije pa busull që lufton me dallgët gjigante në mes të oqeanit. Në fakt, çdo ligj dhe nen i miratuar dhe i shkruar është një përpjekje për të legalizuar moralin, sepse morali është standardi për të mirën dhe të keqen.
Pyetja që shtrohet është: Cili është morali që do të qeverisë këtë çështje?
Toni Nasif (Tony Nassif), themeluesi dhe presidenti i fondacionit kulturor Cedar, thotë Kush e kishte menduar ndonjëherë që çështja e errët dhe e turpshme e prostitucionit tani do të merrej në mbrojtje dhe do të pranohej nga shumica në kulturën popullore? Vite më parë kjo nuk shihej si diçka e turpshme, por kishte një stigmë që i vihej një burri që shkonte me një prostitutë. Disa mund të thonë: Gjërat që njerëzit bëjnë në privatësinë e dhomës së tyre nuk janë shqetësimi im. Kjo është e vërtetë, por e vërtetë është dhe tjetra, që thotë se ajo që ndodh brenda dhomës në intimitet, një ditë do të ketë ndikim mbi të gjithë. Mendoni pak për sëmundjet e ndryshme veneriane dhe në veçanti virusin HIV AIDS.
Megjithëse në vendet perëndimore ka një shift paradigme në terminologjinë e përdorur për prostitucionin, kjo nuk e shndërron prostitucionin në modern e elitar. Termat tashmë të vjetruar janë zëvendësuar me terma të rinj. Disa vite më parë, fjala prostitutë është hequr prej revistave mjekësore dhe është zëvendësuar me punonjëse të seksit. Këta persona tanimë nuk njihen si persona të cilët punojnë në prostitucion, por në industrinë e seksit. Ndërsa tutorët (pimps) me shumë mundësi nga këtej e tutje do të njihen me termin tashmë të njohur në kulturën tonë si menaxherë shitjeje (sales manager), ose koordinatorë të seksit. E gjithë ideja e ndryshimit të terminologjisë gjuhësore qëndron mbi nevojën për ta paraqitur çështjen e vjetër të prostitucionit si çdo biznes tjetër i ligjshëm e i ndershëm. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë, sepse ka një diferencë morale midis të ushtrosh prostitucionin, nga të lash enët në një restorant, të shesësh në supermarket, apo të punosh në shërbimin mjekësor. Kjo diferencë morale qëndron e ngritur dhe e pandryshuar dhe në rastin kur kërkesa për këtë shërbim është e lartë.
Për shkak se çështja e legalizimit/dekriminalizimit të prostitucionit këto ditë është në fokus dhe disa aktorë nga shoqëria civile janë prononcuar mbi këtë çështje, ndiej nevojën për tu ndalur mbi tezat kryesore pro legalizimit/dekriminalizimit duke sjellë argumente të reja që hedhin dritë mbi tezat pro dhe argumentojnë të kundërtën e tyre.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit nuk e kontrollon industrinë e seksit, por në të kundërt, e përhap atë më shumë.
Pas legalizimit që iu bë industrisë së seksit në Holandë në vitin 2000, industria e seksit pësoi një rritje me 25 për qind. (Daley, 2001:4) Sot Holanda ka të ashtuquajturat Fondacione të prostitucionit, qëllimi i të cilave është ta promovojnë dhe ta bëjnë sa më të pranueshëm biznesin e seksit dhe të mbrojnë interesat e klientëve të tyre. (NRM Bureau, 2002:115-16) Duke parë mungesën e grave për të punuar në sektorin e seksit, Raporti kombëtar holandez mbi Trafikimin tregon se në të ardhmen një zgjidhje e propozuar për këtë treg mund të jetë sjellja e prostitutave nga vendet që janë jashtë BE-së, të cilat zgjedhin me vullnetin e tyre të lirë të punojnë në këtë treg dhe se atyre mund tu ofrohet asistencë ligjore dhe akses në treg. (NRM Bureau, 2002:140) Shtëpitë publike në Zvicër janë dyfishuar që pas legalizimit të pjesshëm të prostitucionit.
Legalizimi/dekriminalizimi i prostitucionit rrit kërkesën për prostitucion.
Pasi barrierat ligjore hiqen, atëherë hiqen dhe barrierat e etikës dhe ato sociale, kështu legalizimi i prostitucionit i dërgon mesazhin gjeneratës së burrave dhe djemve që gratë janë objekt seksi dhe që prostitucioni është i padëmshëm dhe kënaqësi. Ndërsa për burrat, shërbimi i seksit tashmë është komod