E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/ Sa u kushtoi bunkerizimi qytetarëve shqiptarë

02-03-2012 / Nga Lavdrim Lita

Në ditën e fundit të muajit shkurt, kryeministri Berisha kërkoi gjatë një mbledhje qeveri që të fillojë sa më parë procesi i ç’bunkerizimit të vendit. Ky proces, nëpërmjet përcaktimit  të qartë të bazës ligjore do tu ngarkohet autoriteteve vendore, në mënyrë që ata vetë të përshtatin praktikat që atyre ju duken më të mundshmet, për realizimin e këtij procesi, sipas rrethanave të vendit. Mirëpo pse filloi bunkerizimi dhe sa  kushtoi ky rrethim kapilar i territorit shqiptar me kërpudha betonarmeje vështirë se ka një përgjigje të saktë. 
Megjithatë në fund të vitit 1944, Shqipëria që sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore, do të futej në një izolim të paparë ndaj Perëndimit. Vitet që pasuan do të sillnin izolimin e saj të plotë edhe ndaj bllokut komunist, si dhe Bashkimit Sovjetik. Më vonë ajo do të bëhej e vetmja aleate e Kinës në Europën Lindore komuniste. Kështu përreth 20 vjet të tjera ekonomia shqiptare do të ecte nëpër një marrëdhënie miqësore me qeverinë kineze, të cilat patën ndikimin e tyre edhe në fushën ushtarake. Gjatë viteve të diktaturës komuniste dhe pikërisht në vitet 1970-1974, kur këto marrëdhënie shënonin lulëzimin e tyre, ushtria shqiptare do të shënonte kulmin e zhvillimit, por edhe të shpenzimeve të saj. Janë pikërisht këto vite që njihen për ushtrinë shqiptare të asaj kohe si periudha e bunkerizimit. Janë harxhuar me qindra ton çimento e hekur për fortifikimin dhe ndërtimin e 750.000 bunkerëve në të gjithë vendin. Ushtria arriti numrin e saj më të madh ndonjëherë deri 61.000 forca aktive, e rreshtuar në qindra batalione dhe dhjetëra divizione, pa llogaritur këtu edhe atë që ishte atëherë Shqipëria, “I gjithë populli ushtar”: 260.000 forca rezerviste si dhe një numër i madh i Forcave Vullnetare). Ato u riorganizuan disa herë në njësi të përmasave dhe formave jo efiçente. Ne fund te viteve’ 80 kishte 22 divizione që përbënin 3 fronte.
Për të mbajtur në këmbë një numër kaq të madh forcash, por dhe mjetesh ushtarake gjatë kësaj kohe ekonomia popullore shqiptare ka vënë në dispozicion të ministrisë së Mbrojtjes Popullore një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të saj të varfër. Nga të dhënat del se shpenzimi për ndërtimin e një bunkeri arrinte nga 250 000 deri në 300 000 lekë, pra shpenzimi për bunkerizimin e vendit ka arritur shumën prej rreth 225 miliardë lekë. Ka pasur gjithashtu shifra të paimagjinueshme të shpenzimit të karburantit për anijet, avionët etj. Sasia e shpenzimit për një anije arrinte deri në 10.000 l naftë dhe 2.200 l gaz special për avionin, (gjatë një stërvitje, të cilat sigurisht që ishin të shpeshta).
Por do të ishte viti 1977-78 ai që do të sillte ftohjen e marrëdhënieve politiko-ekonomike deri në prishjen përfundimtare të tyre. Kjo ishte dhe periudha kur filloi rënia e ekonomisë dhe jo vetëm. Më 1979, Shqipëria ishte pothuajse pa miq në botë, me një standard jetese tashmë më të ulëtin në Evropë. Frika për të mbajtur kontrollin mbi popullsinë e tij, bëri që qeveria Hoxha të ushqejë çdo moment te popullsia e vet një pushtim të afërt jo vetëm nga një vend i huaj, por edhe nga një numër më i madh i ushtrive të huaja të komplotuara së bashku. Qeveria shqiptare tashmë kishte hartuar dhe përfunduar projektin më ambicioz të saj, atë të ndërtimit në të gjithë vendin të 750.000 bunkerëve ushtarakë, një për çdo katër shqiptarë në atë kohë.
Vit pas viti Shqipëria futej në krizën e madhe të ekonomisë së rrënuar socialiste, si dhe në joproduktivitetin e saj. Nëse ju referohesh buxheteve faktike, të viteve ’80, mbledhjes të të ardhurave, shpenzimeve  dhe tepricave do të shohësh se në çdo vit të mëpasëm ndërsa ekonomia rrënohet, shtohet fondi për mbrojtjen, ashtu si ndodh në të gjitha vendet autoritare madje edhe më shumë. Gjithçka me forcat veta, pa asnjë ndihmë e kredi nga jashtë, buxheti i shtetit mbështetej plotësisht në burimet e brendshme financiare të vendit, duke jetuar agoninë dhjetëra vjeçare të pushtimit imagjinar.
Aneksi i 55
Duke u kthyer pas në vite, atëherë kur Shqipëria hidhte hapat si një shtet militarist, duke kryer shpenzime të mëdha për buxhetin e saj të vogël, si dhe për të parë sa më konkretisht këtë, i jam referuar “Vjetarit Statistikor të Shqipërisë”, botuar në vitin 1991 nga Drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Ekonomisë, dhe pikërisht të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit, në Kapitullin “Financat, Bankat, Sigurimet” (faqe 330).
Nga të dhënat mësohet se për mbrojtjen e vendit në vitin 1950 është shpenzuar 21.9% e buxhetit të shtetit, në vitin 1960 është shpenzuar 8.3% e buxhetit të shtetit, në vitin 1970 është shpenzuar 9.6% e buxhetit të shtetit, në vitin 1980 është shpenzuar 11.8% e buxhetit, në vitin 1985 është shpenzuar 11,4% dhe në vitin 1990 është shpenzuar 8.1% e buxhetit të shtetit.
Ndikimi i Kinës dhe ndihma e saj që zëvendësoi atë sovjetike, ashtu si në ekonominë shqiptare edhe  në ushtri ishte e ndjeshme në atë kohe. Nga studimi i dokumenteve arkivore në Arkivin Qendror të FA, në buxhetin e ministrisë së Mbrojtjes Popullore vihet re se në asnjë rast listat e gjata të mallrave të ardhura me vaporë apo në rrugë të tjera nga importi, nuk kanë të pasqyruar çmimin por vetëm kolonën e emërtimit, njësisë, sasisë në ton (topa, predha, aeroplanë, raketa, tanke, material për ndërlidhjen, prapavijën etj). Kjo ndoshta sepse qeveria mbante “sekret” buxhetin për armatimin, ose ndoshta mallrat shkëmbeheshin me minerale krom, hekur etj, apo ndoshta se nga këto mallra mund të kenë qenë dhuratë, (sepse siç dihet vendet si motra të qeverive komuniste ndihmonin njëra tjetrën).

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›