Po kryente ndërtim pa leje në zonën e plazhit, arrestohet 47-vjeçari në Sarandë

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Policia e Sarandës njoftoi sot se ka arrestuar një 47-vjeçar i cili po kryente ndërtim të paligjshëm në zonën e plazhti.
Policia bëri më dije se, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, shërbimet e Policisë konstatuan pranë plazhit “Shqiponja”, në lagjen nr.4, një sipërfaqe toke të sheshuar dhe të mbuluar me materiale ndërtimore.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore rezultoi se kjo sipërfaqe toke po përgatitej për ndërtimin e një objekti me qëllime përfitimi, nga shtetasi A. R.
Në përfundim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. R., 47 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u pezullua nga detyra Specialisti i Policimit në Zonë (SPZ), shtetasi A. N., si dhe nisi procedimi disiplinor ndaj tij, pasi nuk ka konstatuar këtë paligjshmëri.
Policia njoftoi më tej se janë hequr dhe sekuestruar 48 shezlongë dhe çadra, nga hapësira e plazhit në këtë zonë, të cilën ky shtetas e administronte pa leje.
Kontrollet dhe verifikimet në territor vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/