Po na dendin me hormone
Fermerët gjithnjë e më shumë të prirur drejt përdorimit mbi normat e lejuara të stimulantëve bimorë. Produktet ku përdoren hormonet nxitëse dhe rreziku i tyre. Në farmacitë bujqësore, edhe stimulantë të rrezikshëm. Flet specialisti.
Nga Sebi Alla
Revista KLAN
Kryefamiljari bleu mish, aty në thertoren masive të merkatos në Tiranë. Nuk pyeti aq shumë për pisllëkun e insektet që bënin gosti, por sytë i ndali në një vitrinë prej nga mishi i viçit ngjante i shëndetshëm, i freskët dhe ta bënte me sy. Zgjodhi pjesën e qafës, peshoi mallin dhe e çoi në shtëpi, duke paguar 700 lekë për kilogram, pa e ditur se ajo qafë do ti merrte në qafë fëmijën. E konsumuan të gjithë anëtarët e familjes. Por ishte djali 17-vjeçar ai që, gati tre muaj pasi konsumoi atë darkë, nisi të marrë një peshë të pazakontë. U shëndosh aq shumë sa nisi të kishte probleme të mëdha fizike, sa gati nuk mund të lëvizte. Analizat në Shqipëri nuk i jepnin asnjë shpjegim dhe u detyrua të shkonte në Gjermani. Mjekët e gjetën sëmundjen e rrallë: Adoleshenti kishte konsumuar hormone viçi në sasi të madhe. Mesa duket, veterineri gjatë injektimit të hormonit stimulant (që shton peshën në mënyrë artificiale), nuk kishte gjetuar damarin e duhur dhe për pasojë hormoni kishte mbetur i kalçifikuar, stok në qafën e viçit. Llokma me përqëndrimin me të madh të kësaj lënde, i kishte takuar atij.
Kjo histori ka ndodhur rreth tre vjet më parë në Tiranë. Këtë e konfirmon agronomi dhe farmacisti bujqësor Mehmet Hoda. Thotë ngjarja qarkullon ndër specialistë të bujqësisë dhe ushqimit, edhe pse sot tingëllon paksa si legjendë urbane. Mbase prindërit e djalit fatkeq nuk e kishin mendjen aq tek mediatizimi, sesa tek shëndeti i të afërmit të tyre. Por që po konsumojmë mish, qumësht, madje edhe zarzavate dhe fruta të pompuara nga stimulantë në sasira të mëdha, madje të pakontrolluara, kjo nuk është sekret.
A ju ka marrë malli për një mollë, dardhë e ftua nga ato që jo vetëm konsumoheshin plot shije, por vendoseshin edhe në sënduqet e rrobave për të lëshuar erë të mirë? Me siguri që po, por ato ditë janë të largëta. Sepse sot gjithçka, që nga produktet e mishit, qumështit, zarzavateve dhe frutave nuk janë më aq natyrale, pasi bio as që bëhet fjalë. Stimulantët bimorë dhe shtazorë, janë futur në të gjithë Shqipërinë. Më e dukshme është në këtë periudhë ku kastraveci, domatja, speci dhe bostani ka kapur tregun qytetas si mall vendi. Ironikisht, nëse në dimër amvisat bëjnë kujdes nga tezgat plot me perime behari sepse e dinë që ato vijnë nga jashtë dhe janë me ilaçe, me trokitjen e verës joshja për produktet e vendit është e natyrshme. Mirëpo sa hap një domate, do detyrohesh që gjysmën ta hedhësh, sepse dalin damarët e bardhë e të fortë si kashtë, ndërsa edhe ai pak lëng dhe bërthamë, të mbyt në thartirë. Gjëja e parë që të vjen ndërmend është se paska shkuar kot shpenzimi. Sikur të ishte vetëm kjo ndoshta do ngushëlloheshim disi, duke u bërë bllokadë domateve të kuqe nga jashtë e jeshile nga brenda. Por nëse kthen sytë nga tezgat e tregut, aty gjen gjithçka. Kastraveci edhe pse i bëshëm, nuk ka shije dhe aq më pak farëra. Dhe çdo produkt me radhë të zhgënjen, sa ia vlen të kthesh sytë nga mallrat e huaja, pasi vërtetë përdorin stimulantë, por brenda kritereve dhe në mënyrë të kontrolluar. Berati, Lushnja, Fieri, Korça, Lezha dhe Shkodra, mbajnë rekord për përdorimin e stimulantëve të produkteve bujqësore. Edhe zonat e tjera nuk mbesin pas, por për mungesë toke, nuk mbjellin sasi të madhe me pemëtore dhe perime.
Ka të paktën shtatë vite që stimulantët bimorë kanë hyrë në sasi të madhe në vendin tonë. Për ne si specialistë, këto stimulantë nuk janë të dëmshëm nëse përdoren me sasinë e duhur dhe në kohën e duhur, shprehet agronomi Mehmet Hoda. Në farmacinë e tij, fermerët duhet të vinin me recetat përkatëse, por Hoda është i detyruar që të bëjë edhe rolit e mjekut që vendos diagnozën për bimën dhe më pas jep edhe ilaçin e duhur. Është nga ata specialistë që studimet i ka kryer në fundin e viteve 80. Kohë kur stimulantët bimorë nuk njiheshin as në literaturë. Sepse rëndësi i jepej kryesisht plehrave kimikë, por edhe përkujdesit ndaj bimës me spërkatje kryesore gurin e kalit, që ruan bimën nga vrugu apo tenja. Pa harruar pastaj fushatën konstante asokohe, që bënte thirrje për përdorimin sa më të madh të plehrave organikë. Sot fermerët nuk mburren vetëm me produktin e tyre cilësor, por sa para kanë fituar dhe sa ishin në gjendje që të kapnin tregun më shpejt se të tjerët. Dhe kjo nuk vjen vetëm nga përkujdesja në sera po arë, por nga stimulantët bimorë dhe kimikatet që përdorin. Dhe për të kapur të parët tregun, ato përdoren në doza 5-6 herë më të larta se norma e lejuar. Për pasojë humbet jo vetëm cilësia e produktit bujqësor, por degradon deri në rrezik për shëndetin. Sepse rritja dhe pjekja e domates, bostanit, kastravecit, specit dhe frutave nuk kryhet në mënyrën natyrale, por shumë të përshpejtuar.
Çdo stimulant që përdoret ka efektet e tij, që nga nxitja për mbirjen e farërave deri në rritjen dhe lidhjen e frutit, mirëpo kur përdoren me sasi të madhe dhe jo në kohën e duhur, këto kimikate nxisin një rritje të përshpejtuar që para së gjithash shkatërrojnë cilësinë e mallit, kujton Hoda. Për agronomin kjo është një çështje që nuk zgjidhet duke bllokuar mallin kur del në treg. Është e vërtetë që stimulantët përdoren në sasi të madhe dhe pa kriter. Për këtë problem nevojitet shërbimi këshillimor i bimëve që në serë apo arën e fermerit, shprehet Hoda. Përdorimi më i madh i këtyre stimulantëve është në periudhën prill-maj, kohë kur prodhimet e stinës nisin të dalin në treg. Për të kapur çmime sa më të larta, fermerët i janë drejtuar farmacive bujqësore duke përdorur stimulantë në sasi të madhe. Edhe pse janë produkte të farmaceutikës bujqësore që kushtojnë shumë, përsëri ia vlen ky shpenzim për fermerët, sepse duke kapur tregun të paktën tre javë para pjekjes normale të zarzavateve, sigurohet një çmim më të lartë. Bujqit pretendojnë që ecin me ritmin e kohës, kur pikërisht në kohën kur duhet të durojnë që fruti të piqet vetishëm, shkarkojnë mbi sera dhe ara sasi të madhe stimulantësh. Në gjuhën shkencore njihen edhe si hormone që nxisin si zhvillimin e bimës, ashtu edhe pjekjen para kohe. Po a gjenden lehtë stimulantët bimorë që kalojnë nga dogana?
Sigurisht që po! Po aq kollaj sa paracetamoli. Por Hoda të tregon të gjitha mënyrat sesi abuzohet me këto stimulantë, sa kur del prej farmacisë dhe sheh tezgat e mbushura me produkte të stinës, të zë koka. Janë të paktën pesë lloje stimulantësh që përdoren për produkte të ndryshme bujqësore: Domatja, kastraveci, specat, patëllxhanët, bostani dhe pjepri futen në një familje të një tipi stimulantësh që përdoret nga fermerët për rritjen sa më të shpejtë, por edhe për një prodhim sa më të madh. Kjo po ndodh edhe me bostanin i cili ka hyrë në javët e fundit në treg. Kur i sheh, nga jashtë ngjajnë të shëndetshëm, mirëpo prova të zhgënjen. Madje edhe tregtarët i kanë hequr pusullat joshëse të viteve të mëparshme kur shkruanin: Shalq