E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po na hakmiren

Organizatorët e Panairit të 14’të të Librit në Prishtinë kanë vendosur që sivjet të mos lejojnë që libri në panair të shitet nga “shitës ambulantë” dhe ilegalë. Por, disa nga ata që u kategorizuan si të tillë thonë se arsyeja për moslejimin e tyre për të marrë pjesë në panair qëndron tjetërkund. Ata aludojnë në inatet që organizatorët kanë me Behxhet Bicin, të cilin e përjetojnë si udhëheqës të një ‘panairi armiqësor’.

Shumica e përfaqësuesve të shtëpive botuese që po marrin pjesë në edicionin e 14’të të Panariti të Librit në Prishtinë pohojnë se vizitorë ka mjaft, por shitja mbetet e ulët.

Megjithëkëtë, ka edhe botues që, pavarësisht kësaj, u ka mbetur ‘zhig’ që s’janë pjesë e panairit tradicional të librit në kryeqytet.

“Në panairet e librit në Prishtinë, por edhe në panaire të ndryshme lokale, kemi marrë pjesë rregullisht, bile edhe në disa jashtë Kosovës”, theksojnë botuesit e mbetur jashtë panairit, në një letër dërguar gazetës.

Moslejimin e pjesëmarrjes së tyre në panair ata e lidhin me inatet që z. Demaku dhe z. Zeneli, që janë dy organizatorët e panairit të librit në Prishtinë, e kanë me organizatorin e një panairi tjetër të librit, që po ashtu mbahej në Prishtinë, por që më nuk ekziston.

“Kemi marrë pjesë në 12 të panairet e librit në Prishtinë, deri vitin e kaluar, kur morëm pjesë në atë të organizuar nga Unioni i Botuesve – i Behxhet Bicit, në maj 2011. Kështu që pas një muaji, në qershor 2011, nuk na u lejua të merrnim pjesë në panairin e organizuar nga Shoqata e Botuesve. Arsyeja e vetme ishte pjesëmarrja në panairin e parë, të organizuar nga Behxhet Bici”, sqarojnë botuesit.

Ndryshe, letra është nënshkruar nga; Samedin Beqiri, nga Shtëpia Botuese Lanti; Arsim Mexhuani, nga Shtëpia Botuese Erina; Bajram Kastrati, nga Shtëpia Botuese Redoni, si dhe nga botuesit Mirsad Krasniqi, Nasuf Zena dhe Florim Beqiri. Të gjithë këta pohojnë se, për të arsyetuar veten para opinionit, paka para hapjes së panairit të sivjetmë të librit organizatorët njoftuan se nuk do të lejohet që pjesë e tij të jenë shitësit ambulantë të librave, por vetëm shtëpitë e regjistruara botuese. Një vit më herët, sipas botuesve të lënë jashtë panairit, organizatorët i kishin quajtur stërshitës.

“Për ta arsyetuar veten, këta zotërinj vitin e kaluar na patën quajtur stërshitës, duke thënë se ne, kinse, ua paskemi prishur imazhin e panaireve. Ngjashëm na etiketuan e njollosën edhe në këtë panair”, sqarojnë ata. “Kjo nuk do koment, është hakmarrje”.

Tutje, në letër, botuesit ngrenë akuza për përgojim të qëllimshëm të tyre nga z. Zeneli, përderisa z. Demaku ia përkujtojnë se nuk ndjehet fare keq kur “ne ia shesim ato librat e mendimit pozitiv”.

Nga ana tjetër, përkundër arsyetimit të z. Zeneli në RTK (më 3 qershor 2012), se pa qenë shtëpi botuese nuk mund të marrësh pjesë në panaire, as në Shqipëri, e as në Gjermani, apo kudo qoftë tjetër, botuesit e revoltuar thonë se e vërteta është ndryshe.

“Edhe në Gjermani, edhe Ballkan, por edhe gjetiu, libri shitet në panair edhe pa qenë shtëpi botuese. Në të njëjtin objekt, por ndaras nga botuesit, ose në plato. Por, ja që ju edhe në plato do të mund të na kundërshtonit, edhe me polici. Për të qenë shtëpi botuese fare nuk është problem, vetëm duhet regjistruar në organet përkatëse.

Bile, nuk është e thënë që të kesh ndonjë libër të botuar.

Edhe ne jemi të regjistruar me firmën Erina”, pohon Arsim Mexhuani.

Samedin Beqiri, ndërkaq, si pronar i Shtëpisë Botuese Lanti, përkujton se është edhe i licencuar.

Në letrën e tyre, botuesit e pakënaqur citojnë edhe një shkrim të gazetës Koha Ditore (të datës 4 qershor 2012), ku z. Zeneli, mes tjerash thotë se “... E veçanta e panairit të sivjetmë është pjesëmarrja e botuesve serioz...''.

“Kush janë ata botues seriozë?”, pyesin botuesit z. Zenelin, derisa letrën e tyre e përfundojnë me citimin e Abdullah Parapashticës (gazeta Tribuna Shqiptare, 3 prill 2012):

''Diku nga viti 1990 në Shqipëri filloi rënia e leximit të librit... Kështu, në emër të demokratizimit të botimeve... tregun e librave tani e kemi të stërmbushur me pamflete, që nuk janë as libra e as romane, por do shkarravina që vlojnë prej intrigave mizore, për të cilat pamflete nuk interesohet askush...''

Letër-ankesa e botuesve që iu mohua pjesëmarrja në panair përfundon me atë që ata e konsiderojnë si një arsye tjetër për mbylljen e derës së panairit për ta.

“Të gjitha shtëpitë botuese në Kosovë e Shqipëri e dinë që ne shumicën e librave i kemi të vjetra, të para 1990’ës. E, ne kemi qenë shitësit më serioz’ dhe më të lirë. Ndoshta, edhe për këtë nuk na u mundësua që të marrim pjesë në dy panariet e fundit të z.Demaku dhe z. Zeneli”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›