Çka është privatësia sot

“Pas Vëllait të Madh, Facebook’u është hapi i ardhshëm logjik”. Mund edhe të ju falet nëse menduat se këtë fjali e ka thënë ndonjë kritik rigid medial,megjithëse këto, në të vërtetë, janë fjalët e artistit, Edgar Leciejewski. I lindur në Leipzig, në vitin 1977, ai është njëri nga 30 artistët që punuan për ekspozitën që po mbahet në Kunsthalle Schirn, në Frankfurt. Ekspozita e emërtuar “Private”, në fakt, hulumton natyrën e ndryshueshme të paraqitjes artistike të sferës private. Temat, siç është ndikimi i rrjeteve shoqërore në privatësi dhe rreziku që privatësia, nëpërmjet internetit, të shndërrohet në publike, janë ato që po hulumtohen në këtë ekspozitë.
Portretet e pikselizuar
Ekspozita hap një sërë problemesh interesante, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me atë se si sillemi ndaj teknologjisë. Punimet e Edgar Leciejeweski dëshmojnë se rrjetet sociale shikohen me një dozë të befasishme të mosbesimit. Tri fotografitë e tij të formatit të madh, të cilat shfaqin portretet e pikselizuar të njerëzve në New York, janë pjesë e ekspozitës. Kjo ide Leciejeweski’t i lindi para disa viteve, kur në një metropol amerikan u përballë me Google Street View.
Asokohe Google Street View nuk mund të hapej në Gjermani. Për Leciejewski këto fotografi janë portrete të shekullit 21.
“Operatorët e Google i bënë këta njerëz më të panjohur, për të mbrojtur kështu privatësinë e tyre. Por, pikërisht për shkak që u bënë më të panjohur, ata u shndërruan në persona të zbrazët, pra, në ekrane për projektim”, thotë Edgar Leciejewski.
Tradita e gjatë
“Artistët gjithnjë kanë vënë në pikëpyetje ndjenjat e tyre të brendshme më intime, dhe atëherë kur ato i kanë ekspozuar para publikut”, drejtori i Kunsthalle Schirn, Hans Hollein. Sipas tij, autoportretet paraqesin një shembull shumëvjeçar të asaj sesi artistët e transmetonin perceptimin intim të vetvetes.
Por, pikturimi ose shkrimi për vetveten ka një traditë të gjatë edhe jashtë artit. Ekspozita e dokumenton këtë pohim përmes ditarëve personalë, fotografive, polaroidëve dhe filmave super 8. Por, e reja tani është diapazoni tepër i gjerë i ndikimit që viteve të fundit kishte kjo çështje në shoqëri. Rrjetet sociale, si Facebook dhe Youtube, iu mundësuan njerëzve një emitim 24-orësh të aspekteve të ndryshme të jetëve të tyre.
Shumë artistë modernë krijuan vepra artistike, që janë në përputhje me këto zhvillime. Punimet e Leciejewski’t, të cilat në mënyrë eksplicite merren me gjigantët medial, si Google, janë pjesë e këtij trendi.
Mundësitë dhe rreziqet
“Natyrisht që jemi të lumtur, sepse kemi në duar mundësi të shumta teknologjike, ndërkohë që edhe vetë transparenca është një gjë pozitive”, shprehet kuratorja e ekspozitës, Martina Weinhart. Megjithëse, shton se, në lojë gjithnjë janë dy fuqi të kundërta, ideja e vetëprezantimit dhe ideja e prezantimit nga të tjerët – të cilën s’mund ta kontrollojmë.
“Anëse nuk mundemi më t’i kontrollojmë fotografitë nga jeta jonë private, nëse nëpër forume publike jemi paraqitur në situatat tona më të tmerrshme, atëherë duhet të pranojmë se këto dy fuqi janë në konflikt dhe se punojnë njëra kundër tjetrës”, pohon Weinhart, derisa flet për “një vetmi elektronike” që po godet shumë njerëz, dhe për “fetishin e telefonit celular”, ku njerëzit më nuk mund të durojnë ndarjen nga telefoni ë tyre celular.
Ekspozita i hulumton nga afër përdorimin dhe mundësitë, por edhe rreziqet që vijnë nga këto teknologji moderne.
Ekspozita “Private” i hulumton edhe aspektet pozitive të rrjeteve sociale, si për shembull mundësitë e panumërta, në të cilat kanë qasje edhe artistët edhe publiku. Artisti kinez, Ai Weiwei, mbase është aktivisti më i njohur ndërkombëtar që internetin e shfrytëzon si “mburojë private”. Kur shteti shkelë të drejtat e tij njerëzore, ai mund të mbështetet në përvojën e tij dhe brenda momentit të arrijë deri te publiku botëror. Natyra publike e internetit u mundëson atij një nivel mbrojtjeje dhe sigurie, por edhe i ofron njëlloj ndihme karshi shtetit represiv.
Ekspozimi “i privates”
Por, si të arrihet një balancë i duhur brenda xhunglës mediale, kur edhe vetë njerëzit – nganjëherë - duhet të mbrohen nga vetvetja?
Leciejewski ka një propozim të thjeshtë.
“Politikanët kanë propozuar mënyra të ndryshme, por mendoj se vetëm duhet t’i fusim mediat si lëndë shkollore”.
E, për Martina Weinhart kjo temë e hapë një tjetër pyetje qenësore, sepse prezantimi publik gati gjithmonë është joautentik.
“Privatja është gjitonë e inskenuar. Secila fotografi është e inskenuar. Privatja, pra gjithnjë është e konstruktuar. Kjo dihej që në vitet e 60’a, në kohën e Andy Warhol”.
Duket se kështu mbetet edhe sot.
“Jeta e vërtetë private ende vazhdon të ndodh prapa dyerve të mbyllura. Gjithmonë larg syrit kureshtar të kamerës dhe telefonave të mençur”, thotë Weinhart.
DW