E Diel, 1 Nëntor 2026

“Po punojmë për ta ndryshuar vendin - prioriteti kryesor, integrimi në BE”

30-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha priti 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, që erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë
 
Kryeministri Sali Berisha priti dje 45 konsujt e Nderit të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, që erdhën në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë. Zyra e shtypit e Qeverisë bëri të ditur se gjatë pritjes koktej, të dhënë në nder të tyre, Kryeministri Berisha u shprehu falënderimet për përfaqësimin që ata i bëjnë Shqipërisë dhe imazhit të saj në vendet e tyre, duke i ftuar të intensifikojmë përpjekjet e përbashkëta për të arritur qëllimin më madhor, Shqipërinë vend i zhvilluar.  
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, duke shprehur mirënjohjen për punën e Konsujve të Nderit, u shpreh se, "është koha të përshpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, është koha të shfrytëzojmë të gjitha potencialet e saj. Shqipëria po adopton një politikë të jashtme paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi dhe po punon në rajon për integrimin rajonal, si një proces kyç për të kaluar vështirësitë e së kaluarës. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe po bën më të mirën për të përmbushur të gjitha detyrimet".
Berisha tha se, "prioriteti kryesor për vendin është integrimi në Bashkimin Europian. Në të gjitha përpjekjet tona, ne besojmë se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të jetë një proces tërësisht i bazuar në performancë".
Kryeministri bëri të ditur se, "19 vjet më parë Shqipëria ishte vendi i tretë apo i katërt më i varfër në botë. Ne e filluam këtë udhëtim si një vend me 204 dollarë të ardhura për frymë dhe tani qëndrojmë në grupin e vendeve me të ardhura mesatare të larta, tani jemi një vend me mbi 8000 dollarë të ardhura për frymë. Shqipëria ishte vendi më i kolektivizuar në botë. Sot, Shqipëria është një nga vendet më privatë në botë. Qeveria e Shqipërisë qëndron mes 10 qeverive më të vogla në planet. Shqipëria po e bazon zhvillimin e saj plotësisht mbi iniciativën e lirë, duke shfrytëzuar liritë".
Ne jemi përpjekur të krijojmë në këtë vend klimën më të mirë për bizneset dhe investitorët, tha Kryeministri Berisha.
"Disa indekse në këtë aspekt tregojnë se ka progres, ndërkohë që në botë investimet e huaja direkte për periudhën 2007-2010 u zvogëluan me 37për qind, në Shqipëri, investimet e huaja direkte për periudhën 2006-2010 u rritën me 316 për qind. Eksportet në vend për periudhën 2006-2011 u rritën me 300 për qind. Ne nuk e njohëm recesionin ekonomik. Sigurisht u përballëm me pasojat e krizës ekonomike globale dhe europiane, por në vend nuk u zhvillua asnjë recension ekonomik. Liritë ekonomike në botë vitin e kaluar u ngadalësuan, ndërsa në Shqipëri u rritën me 16 për qind", tha kryeministri.
Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje se po punojmë shumë që të përmirësojmë klimën e biznesit në vend.
"Unë nuk pretendoj se ne kemi përpara një bulevard. Jo, ende jo. Por ne po punojmë shumë që të përmirësojmë klimën e biznesit në vend. Ne vendosëm një nga sistemet më barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë - taksa e sheshtë prej 10 për qind, kontributet e sigurimeve shoqërore prej 15 për qind, hoqëm shumë tarifa dhe studimet serioze tregojnë se qeveria shqiptare i përket grupit të 10 vendeve me ndërhyrjen më të vogël të qeverisë në drejtim të biznesit, çka është shumë e mirë", tha Kryeministri Berisha.
"Ne po punojmë për ta ndryshuar vendin. Vendi ka pasur infrastrukturën më të keqe që mund të ekzistonte. Në fillim të vitit 2006, në rrjetin rrugor prej 18 000 kilometra rrugë, vetëm 2 430 kilometra rrugë ishin të shtruara. Pjesa tjetër ishte thuajse njësoj si në kohën e mesjetës. Qeveria ime u angazhua në ndërtimin e një rrjeti të ri rrugësh në vend, bazuar në konceptin, shqiptarët nga çdo kënd i vendit të vijnë në Tiranë duke kursyer të paktën më shumë se 60 për qind të kohës. E ndoqëm këtë qëllim dhe tani kemi shtruar më shumë se 9000 kilometra rrugë. Për një vit, ne mbarojmë punën më të vështirë. Mbetet ende punë për t’u bërë, por ne po punojmë mbi rrugët dytësore dhe tretësore. Kështu, në dy vite do të përfundojmë një rrjet të ri rrugor. Pa dyshim do të jetë midis rrjeteve më të rinj, më të mirë dhe më të gjerë në rajon", tha Berisha.
Duke folur për potencialet turistikë të vendit Berisha tha se, "Vendi ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm. Turizmi lulëzoi në vend. Në vitin 2004, Shqipërinë e kanë vizituar gjithsej 300000 turistë dhe vizitorë dhe vitin e kaluar ishin gjithsej 3.5 milionë. Këtë vit do të ketë pothuajse 4 milion vizitorë".
Shqipëria, tha Berisha, është gjithashtu një vend që ka shumë potenciale energjetike.
"Ne kemi një mundësi të madhe për t’u shndërruar krejtësisht në një vend të energjisë së gjelbër dhe për t’u bërë një superfuqi e vogël e energjisë së gjelbër në rajon. Shqipëria është një Norvegji e vogël në bregdetin e Adriatikut.  Ne duhet të ndërtojmë më shumë se 443 hidrocentrale. Kemi nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve, 72 prej tyre janë në ndërtim, ose janë përfunduar, ose ka filluar puna. Të tjerë po presin investitorë. Prandaj do ta vlerësoja shumë çdo lloj inkurajimi që do të mund t’i jepni bizneseve për t’u bashkuar me Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe të energjisë së rinovueshme", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij, në Shqipëri po zhvillohet projekti më i madh në Europë për sa i përket hidrocentraleve, i cili është kaskada e Devollit, një investim prej 1 miliardë euro.
"Por ka shumë e shumë të tjerë. Ne jemi një vend me potencial të madh edhe në energjinë e erës. Kemi licencuar rreth 1600 mega vatë dhe 3200 të tjerë janë duke iu nënshtruar studimeve. Kemi po ashtu potenciale të jashtëzakonshme gjeotermike, potenciale në energjinë diellore. Ne jemi të vendosur në një rajon që është gllabërues për energjinë. Jemi duke shumëfishuar konjeksionet tona. Ndaj unë besoj se kushdo që investon në Shqipëri në energjinë e gjelbër, ai ose ajo do të ketë një histori suksesi", tha Berisha.
Duke folur për pasuritë e shumta në minerale Berisha tha se rezerva botërore kromi, bakri, nikeli, hekur-nikeli ekzistojnë në vendin tonë. Prandaj besoj, u shpreh ai, se, "Shqipëria është një vend i pasur në minerale. Rezerva botërore kromi, bakri, nikeli, hekur-nikeli ekzistojnë në vendin tonë. Ndaj besoj se, pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël në hartë, ju gjeni këtu një vend me mundësi dhe potenciale të jashtëzakonshme. Çfarëdolloj ndihme që mund të siguroni, inkurajimi i investitorëve nga vendet tuaja për të ardhur dhe investuar në Shqipëri do të ishte i një vlere dhe rëndësie të madhe për ne. Tani kemi ngritur një institucion të ri që quhet Agjencia për Zhvillim dhe Investim, AIDA. Ky institucion është si një one stop shop për investitorët, për t’i asistuar dhe ndihmuar".
Kryeministri u ndal edhe në ditën e 99 vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar se "Ju jeni sot, këtu, në ditën më të rëndësishme të vendit, në ditën e pavarësisë. Ky është përvjetori i 99-të i pavarësisë. Historia ndaj nesh ka qenë si një njerkë e ashpër, nuk ka qenë në anën tonë. Por ne qëndruam në të drejtat tona dhe tani jemi të lirë, kudo që jemi. Jemi të lirë në Shqipëri, jemi të lirë në Kosovë, jemi të lirë në Maqedoni, jemi të lirë në Mal të Zi. Ne shikojmë drejt të ardhmes së përbashkët në Europë. Sot hyjmë në njëqindvjeçarin e shpalljes së pavarësisë sonë. Kjo është një ditë e madhe, një vit i madh, një njëqindvjeçar i madh", tha Kryeministri Berisha në takimin me Konsujt  e Nderit të Shqipërisë në botë.
"Prandaj le të punojmë së bashku për të arritur qëllimet tona, le të ngulmojmë së bashku për të arritur atë çfarë mendojmë se është më e mira për këtë vend", përfundoi Kryeministri Sali Berisha, duke ju përcjellë edhe një herë shumë falënderime, 45 Konsujve të Nderit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›