E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa anëtarë për KQZ-në?

Nuk përjashtohet mundësia që ekipet e shumta në numër të KQZ-së dhe rrjedhimisht edhe të KZQV-ve të thjeshtohen. Ekspertët po punojnë edhe për rishikimin e kompetencave të personave që do na numërojnë votat

Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafa, nuk e përjashton mundësinë që në Kodin e ri Zgjedhor të kufizohet numri i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I pyetur nga “Korrieri”, Xhafa tha dje se kufizimi i anëtarëve është një opsion i mundshëm, pasi nuk ka kuptim që të ketë aq shumë anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore konfirmon gjithashtu se ekspertët po punojnë edhe për hartimin e kapitujve për administratën zgjedhore. Megjithatë, ai nuk bën të ditur se si do të jetë administrata zgjedhore, politike apo e pavarur. “Ekspertët po punojnë dhe ata do të përcaktojnë se sa do të jetë partiake dhe sa nuk do të jetë. Projekti nuk ka ardhur akoma në komisione, është në tavolinë ekspertësh”, thotë Xhafa. Duke folur për statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhafa thotë se statusi i saj do të përcaktohet në kapitujt e administratës zgjedhore, megjithatë pritet që kompetencat të mos i ndryshojnë shumë. “Kompetencat nuk do t’i ndryshojnë pak a shumë. Megjithatë do të shikojmë se çfarë versioni, çfarë projekti do të sjellin ekspertët. Ata mund të sjellin një projekt me dy tre variante. Në thelb nuk do të ndryshojë ndonjë kompetencë e madhe. Do të ndryshojë përbërja, do të ndryshojë mënyra e formimit, mund të mos jetë kjo mënyrë formimi që është tani”, thotë Xhafa. Pak ditë më parë, edhe bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Ilir Rusmali, tha për “Korrierin” se ekspertët po studiojnë disa variante të mundshme se si do të jetë administrata zgjedhore. Ai shprehu besimin se drafti i Kodit të ri Zgjedhor do të jetë gati në fund të këtij muaji, ku më pas në muajin shtator do të nisin diskutimet e forcave politike për variantet e paraqitura. Gjatë diskutimeve për draftin e Kodit të ri Zgjedhor, pritet që të ketë shumë debate nga ana e forcave politike si LSI-ja, PDK-ja apo PR-ja, pasi ato janë forcat që preken më shumë në rast se do të kufizohet numri i anëtarëve të KQZ-së. Versioni më i mundshëm i kompozimit të KQZ-së pritet që të jetë me 7 anëtarë, ku dy forcat kryesore politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, do të propozojnë nga 3 anëtarë, ndërsa institucioni i presidentit do të propozojë anëtarin e 7-ë. Kjo formulë do të sillte balancimin politik mes maxhorancës dhe opozitës, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, megjithatë do të haste në kundërshtimin e partive të vogla politike, të cilat preken në mënyrë direkte nga ky ndryshim. Ndërkohë, në kampet e ndryshme politike po diskutohet gjithashtu edhe mundësia që KQZ-ja të jetë një komision i përkohshëm, diskutim i cili pritet që të marrë zgjidhje pas diskutimit dhe votimit të draftit përfundimtar të Kodit Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›