E Diel, 1 Nëntor 2026

Po të vendosja sot, do të martohesha 35 vjeç

Autori i Lajmit: Denisa Kona
E llastuar, në mes tri meshkujve të familjes, Lindita Theodhori gjen tek ata të gjithë inkurajimin për të cilin një grua-nënë ka nevojë për të qenë e suksesshme. Energjinë, pasionin e saj të pakonsumuar. Ajo nuk e fsheh krenarinë që ata, tri burrat e familjes, janë gati të bëjnë gjithçka, që ajo të jetë sa më e re, e bukur, e shëndetshme dhe e sadisfaksionuar. Në vatrën e familjes është gjithë prapavija që punon për të, janë menaxherët shpirtërorë, psikologët dhe këshilltarët e paepur, janë edhe sponsorët që nuk kursehen për suksesin e saj. Vetëm që mamanë ta shohin edhe për shumë e shumë kohë në skenë…Ky adhurim ndodh të bëjë xheloze të dashurat e djemve të saj. Por Lindita Theodhori e di se nëna ka vendin e parë. Ajo është e para që duhet përfillur, edhe pse nuk e kërkon me fjalë këtë gjë. Me ndihmën e tyre, ajo lufton kundër moshës.

-Me djemtë si kuvendoni, deri në cilin nivel vjen biseda?
Më kanë treguar gjithçka, gjithçka, gjithçka nga jeta e tyre. U kam treguar gjithçka nga jeta ime, pra e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Një nga momentet e lumtura është se çunat i kam edhe miq, se miqtë atje (në Lodnër) na mungojnë shumë. Janë të mençur, ndjehem rehat me ta.
-Ua sugjeroni një fejesë të shpejtë atyre?
Absolutisht jo. Unë, unë jam e lumtur me martesën time dhe ta harrojmë se mendimi që kam, nuk ka të bëjë absolutisht me këtë që unë kam. Por u kam thënë edhe çunave, se po të isha sot si ju, nuk do të isha martuar në këtë moshë. Do të martohesha mbi 35 vjeçe ndoshta.
-Pra, për djemtë e tu, si meshkuj që janë, e mendon që duhet të martohen edhe më të mëdhenj?
Nuk do të thotë gjë ndryshimi femër-mashkull këtu. Është koncept i gabuar ai i diferencës moshore. Unë di raste të kundërta, që gruaja është më e madhe se burri dhe kanë harmoni absolute. Këtu nuk ka receta. Këtu është fatlum ai, që gjen njeriun e përshtatshëm në jetë.
-Receta nuk ka, por ka ca mesatarizime nxjerrë nga përvojat e shumë njerëzve…
Jo, bota i ka shkatërruar këto receta.
-Me kavalerin tuaj, sa vjet diferencë keni?
4-5 vjet, por nuk kam ndonjë problem me diferencën, më duket se jemi njësoj, më duket se jemi shokë. Nuk e konceptoj dot burrin të moshuar. Se ja, më thoni, kur të plaket burri, çfarë do të bëjë gruaja?...
-Burri juaj ka thënë se jeni e llastuar. Si llastohet Lindita? Ankoheni për shëndetin, për punët që ju lodhin apo ashtu për qejf, për të qenë në vëmendje?
Shiko, nuk mund ta tregoj me fjalë. Duhet ta shikosh se si llastohet Lindita, duhet të jetosh me mua. Për shëndetin nuk ankohem, se nuk dua të shqetësoj njerëzit e shëpisë; nuk ankohem kur po bëj punët e shtëpisë, unë harroj që po bëj punët. As që të mos e kenë vëmendjen tek unë, nuk ndodh. Llastimi hyn në tjetër lloj kategorie. Të jesh e llastuar do të thotë, që të ndihesh rehat dhe njerëzit t i kesh rreth vetes dhe të preokupohen për shëndetin tënd, për pamjen tënde, për bukurinë tënde…Unë mbase jam fatlume. Edhe çunat më llastojnë sa ndonjë e dashur e tyre, vihet pak në siklet, se në epiqendër është mami.
-Duke ju dëgjuar juve, përforcohet bindja se një artiste ka nevojë për vëmendjen e të tjerëve, duke filluar që nga familjarët, ka nevojë për komplimenta dhe për t u llastuar…
Nuk e kam kërkuar, e kam ndjerë vazhdimisht të jem në vëmendje të të tjerëve. Njëherë më thotë një gazetare: “Kishe qenë në Tiranë në dy kullat Lindita dhe ishin dy shoqet e mia gazetare, të panë. Kur u fute ti te kullat, njerëzve u mbeti kafeja në gojë. E ndieve ti këtë gjë?” “Po, - i thashë.- E ndjeva”. “Po u vure në siklet që nga mënyra se si ecje, njerëzit të shihnin?”. “Do të ndihesha në siklet, po qe se njerëzit nuk do të më kishin parë. Atëherë do të më bënte përshtypje,- iu përgjigja”.
-Pra, ju keni frikë nga pleqëria, frikë se një ditë nuk do t ju hedhin më sytë…
Kam frikë se ikin vitet dhe vjen një ditë që ndihesh e humbur përgjithmonë.
-Eshtë mosha e ndryshimeve hormonale që ndryshon shumë gjëra në jetën e gruas. E kanë ndikuar ato stilin tuaj të jetesës, humorin tuaj, ndjesitë tuaja?
Nuk i kam provuar akoma këto ndryshime, nuk i njoh. Nëse e keni fjalë për menopauzën, ende nuk i njoh problemet e saj. Kur ta provoj, do t ju them.

“Ti je greke, nuk ka mundësi që e këndon kaq mirë. Ke edhe mbiemrin, edhe tiparet tona”
“Korçarja” që mahniti grekët më këngët e tyre
Këngëtarja tregon karrierën e saj në Greqi, lokalin që hapi atje, emisionet televizive dhe hamendjet e publikut grek

-Në këto 17 vjet, ka ndryshuar gustoja juaj artistike?
Sigurisht që ka ndryshuar. Ose mund të mos them, që ka ndryshuar përzgjedhja. Sepse në periudhën që unë kam qenë në Shqipëri, doje nuk doje, ishte një rrymë e përcaktuar, ishte çdo gjë e diktuar. Kur shkova në Greqi, sigurisht që kam ushtruar muzikën greke dhe më ka pëlqyer. Më shkon në karakterin tim, në stilin tim, ndjesitë e mia. Ndërsa kur u vendosa në Angli, do nuk do, në atë vend dëgjohet vetëm muzikë angleze. Dashur padashur, aty edukohesh me muzikën më të përparuar botërore. Ushqehesh me të dhe është si një shkollë më vete. Të dëgjosh disa orë në ditë muzikën më të mirë angleze, është një shije e padyshimtë.
-Ju na dogjët më sipër pyetjen, nëse ju kanë thënë ndonjëherë, që e keni ngjyrën e zërit si këngëtare greke. Por do t ju pyesim nëse gjatë kohës që ishit atje, nuk tentuat për një karrierë artistike?
Po, po. Nuk dua të them pse nuk bëra karrierë në Greqi se ishin arsye jashtë meje… Por e kam thënë edhe në disa emisione televizive që kam bërë atje, njerëzit më thoshin atje: “Me siguri që origjina jote është greke, nuk është shqiptare”.
-Kush ua thoshte këtë?
Publiku grek dhe organizatorë të ndryshëm. Me aparencën-vetullat, flokët e zeza kështu u dukesha, greke. Më thoshin se edhe dy mbiemrat e mi, në fillim Sota dhe pastaj Theodhori përkojnë me gjuhën e tyre. Nuk donin ta pranonin që një shqiptare mund të këndojë aq mirë këngët e tyre.
-Ku dhe kur keni kënduar atje?
Kam kënduar në Lutraqi nja 5 muaj, pastaj kam hapuar një lokal personal në bashkëpunim me një grek, në Pire dhe për shumë pak kohë, në Omonia. Lokali u mbyll dhe shkaku ishte një grindje mes shqiptarësh. Aty puna vajti shumë mirë për disa muaj. Mbylleshin tavolinat me telefon që dy javë përpara. Pastaj, shqiptarët elemente sherxhinjsh, bënë që policia ta mbyllte lokalin.
-Po publiku grek, ju simpatizoi?
Po sigurisht, e thashë edhe më parë që publiku grek dëshirontë të thoshte, që meqë këndon kaq bukur, duhet ta kesh origjinën brez paa brezi greke. Mos harroni se unë kam qenë në Greqi në atë kohë kur nuk kanë qenë këto relata politike kaq të mira. Kam qenë në 95-n.

Rrëfen këngëtarja e çmimeve të dyta të festivaleve të këngës në RTV
E dija se si zgjidheshin këngët në atë kohë, ndaj nuk kisha zili
“Do të doja që ky lloj sistemi që jetoj sot në Londër, të kish qenë në Shqipëri që në vitet 70”

Vetëm pak sa e prek përmbajtjen e asaj që i kërkojmë. Por mesazhi lexohet përmes rreshtave duke pasur në vëmendje edhe thashethemnajën që qarkullonte për mënyrën e ndarjes së këngeve në festivalet e para 90-s. Lindita Theodhori thotë se duke e ditur se si jepeshin këngët më të mira, nuk mërzitej. “Shkoja e fundit dhe merrja çfarë kisht embetur”, thotë ajo. Edhe pse këngët e saj kanë qenë të vlerësuara, duke lënë mënjanë modestinë këngëtarja e rikthyer pohon se nuk kanë qenë dhe aq të mira dhe se të tilla dilnin përmes interpretimit të saj. Por natyrisht që ka pasur edhe ndonjë të tillë, si “Ua, Kafe Flora”, një bashkëpunim jetëdhënës me Krajkën e madh. Kjo këngë ka hyrë në gjak të publikut për mbi 30 vjet të shkuara dhe me rikthimin e Theodhorit ka habitur edhe rininë e sotme. “Ua, pse paska pasur edhe atëherë këngë kaq të moderne?!” Jo vetëm kaq: a guxuar edhe të shqiptojë fjalët “e paturpshme” të një kënge në një anketë muzikore. Dhe për fat: Edhe ka fituar!

-Jemi tek muzika. Mendoni se teknika e të kënduarit me kalimin e viteve, me përvojën prishet, përmirësohet apo është diçka e lindur, natyrale? Për të mos folur pastaj për plakjen e zërit.
Teknikës së të kënduarit sigurisht që sa më shumë përvojë, aq më mire i bën. Zëri piqet me moshën. Por koha tek këngëtarë të ndryshëm ndikon me ritme të ndryshme. Tek dikush piqet më shpejt, tek dikush më vonë. Ndërsa të mbash formën, energjinë, varet nga shpirti. Nuk e llogaris asgjë me moshën. Por sigurisht mosha edhe ndikon mbi cilësitë e zërit. Në një moshë më të madhe njerëzit marrin shëndet më të madh, janë një sërë faktorësh që vështirësojnë të kënduarin. Por njeriu kur ka dëshirë të këndojë, në çfarëdo moshe këndon.
-Zëri apo emocioni që përcjell, është më i rëndësishëm për t i dhënë maksimumin një kënge?
Unë nuk do t i ndaja nga njëri-tjetri. Sepse ka shumë këngëtarë që kanë zë dhe janë akull të ftohtë, por ka edhe këngëtarë të tjerë, -do ta konsideroja veten në këtë grup, që karakterizohen për diapazon, por nuk janë të zhveshur nga emocioni. Vetë, shpesh jam goxha e ngarkuar.
-Ndoshta është ky emocion që bën diferencën mes të kënduarit në skenë dhe diku tjetër…në shtëpi, festa familjare apo lokale
Së pari, unë në shtëpi nuk këndoj. Në raste të veçanta kur jam tepër e ekzaltuar a në ndonjë parti. Nuk këndoj nëpër lokale, nuk këndoj nëpër dasma. Nuk paragjykoj asnjë që e bën këtë, por unë ndihem shumë e vlerësuar kur këndoj në skenë, në televizion.
-Lindita që të bësh art sot, e ke ndjerë se duhet edhe një dorë e mirë parash?
Që të bësh art sot, me sa po shikoj unë këtu, shumë kanë pasur para, por nuk kanë lidhje me artin dhe kanë bërë videoklipe, kanë bërë spote që transmetohen vazhdimisht në ekran. Unë mendoj se kjo periudhë ka filluar të kalojë. Që të bësh arti të mirëfilltë dhe të mos kesh një suport financiar, është e pamundur. Unë e di në periudhën që kam bërë videoklipin, në çfarë pozicioni të vështirë që kam qenë. Por faleminderit djemve të mi, që më kanë suportuar vazhdimisht për të arritur këtë sukses këto dy vjet.
-Ndërkohë, një këngëtare ka vazhdimisht nevojë që të bashkëpunojë me një kompozitor. Keni një kompozitor tuajin që të kompozoj për ju?
Jo. Për këngën e re që kam për të bërë pas janarit, sigurisht që kam menduar, mirëpo me sa shoh, këtu nuk duhen bërë shumë deklarata sepse ndodh që nuk del ashtu. Unë e shoh që njerëzit kanë ndryshuar, dikush më tha që këtu ka hyrë kapitalizmi, prandaj. I thashë: “Edhe unë në një botë kapitaliste jetoj, por unë jo vetëm që nuk kam ndryshuar për keq, por përkundrazi, më shumë jam mençuruar, më shumë jam maturuar, më shumë jam bërë e dhembshur, më shumë e ndiej mungesën e miqve…
-E keni syrin te kompozitorët e plejadës suaj apo tek më të rinjtë e pas 90s?
Nuk shoh shumë në kohë nga ata kompozitorë që kanë qenë. Nuk i kam parë që të vazhdojnë të bashkëpunojnë. Për mua, bashkëpunimi është i mirë kur njerëzit dinë të respektojnë.
-Nëse do të ishe sot e re, ç rrymë do të këndoje?
Atë që mund të këndoj sot. Unë e konsideroj veten të re dhe po të isha si vit kalendarik më e re, do të këndoja këtë muzikë që këndoj tani.
-Ju Lindita, njiheni në festivalet e para 90-s, si këngëtarja e çmimeve të dyta. E keni ndjerë xhelozinë mes kolegëve në ato vite dhe si i keni sot relatatat?
Unë jam natyrë miqësore dhe e them hapur, pa asnjë kamuflim, nuk kam pasur zili absolutisht asnjë. Dhe arsyet kanë qenë sepse isha e vetëdijshme se si zgjidheshin këngët në atë kohë.
-Si zgjidheshin?
…Së paku, unë që isha në shkollë studente, vija në fund të periudhës dhe më jepej ndonjë këngë që kishte ngelur, ose rrallë ndonjë bashkëpunim i mirë, si ai me Krajkën në Festivalin e 11-të (Nuk keni pasur këngë të këqija, mos u qani). Nuk është se kanë qenë të këqija, por nuk kanë qenë edhe aq të mira. Kanë dalë të mira, sepse ka qenë një bashkëpunim i mirë.
-Pra, nuk ju paska munduar xhelozia dhe nuk paskeni qenë pjesë e grindjeve me nam në labirinthet e TVSH-së …
Unë kam qenë një këngëtare e suksessshme, kam pasur një audiencë që mua më mjaftonte, me një pamje të mirë që njerëzit ma pëlqenin gjithmonë, pastaj pata një burrë të mrekullueshëm, një familje shumë të mirë dhe suksesi nuk më mungonte. Kështu që unë nuk kam patur askënd zili. Sot kam ende miqësi me një grup këngëtaresh, por për shkak të largësisë, nuk kam mundësi të shoqërohem. Por ama, kur takohemi, shkëmbejmë konsiderata reciproke. Do të kujtoja Emën, Myfareten më vonë, Irma…Ndërsa këngëtarë të rinj, natyrisht që kanë dalë shumë, po unë shumë nga këta nuk i njoh.
-Çfarë do të doje t i merrje asaj kohe të para 90-s dhe çfarë do t i mohoje asaj, do t i lije mënjanë?
Kam pasur një fëmijëri të shkëlqyer. Kam pasur një rini shumë të suksesshme në atë kohë, që jo shumë vetë mund ta kishin. Për arsye të ndryshme, isha si elektron i lirë. Mora pjesë ne Festivalin e 11-të, që ishte një përvojë e pazakontë. Këndova një këngë për dashurinë në atë kohë, një këngë të Aleksandër Lalos: “Dje më the të dua /dhe në buzë më puthe/, unë, po unë s e dija,/ që puthja ish e bukur. Ishte pak e pabesueshme që unë ta këndoja. Por unë e këndova, këndova dhe mora çmim të parë në anketën muzikore. Domethënë…, nuk e di…, kam qenë pak e përkëdhelur nga koha, ndoshta natyra ime më bënte. Ishin disa arsye që mua më bënin të qëndroja mirë në atë periudhë. E kujtoj me nostalgji. Për mua nuk ka pasur ndonjë periudhë të vështirë, por duke menduar se sistemi na la ashtu siç të gjithë e dimë, do të doja që ky lloj sistemi që unë jetoj sot në Londër, të kish qenë në Shqipëri që në vitet 70.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›