E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime Beograd- Prishtinë,ndermjetëson EULEX-i

Autori i Lajmit: red.
KUFIJTE E KOSOVES

Misioni i BE-së për sundim të ligjit përfshihet në negociata për problemet kufitare me Serbinë. Zyrtarët e misionit të BE-së për sundimin e ligjit insistojnë se çështjet për të cilat ndërmjetësojnë janë teknike. Një ndër to është menaxhimi i kufijve, çështje që i ka shkaktuar EULEX-it probleme të vazhdueshme në veri të Kosovës dhe që disa herë i ka nxitur zyrtarët e këtij misioni të bëjnë thirrje për zgjidhje politike të tyre.
Zyrtarët e lartë të misionit EULEX i kanë deklaruar kësaj të përditshme se “EULEX-i është tejet i interesuar për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për Beogradin dhe Prishtinën rreth çështjeve të natyrës teknike, siç janë çështja e menaxhimit të kufijve, pastaj çështja e të pagjeturve dhe bashkëpunimi mes policive të Kosovës dhe Serbisë”.
Burimet e gazetës kanë thënë se ekspertët e EULEX-it rregullisht udhëtojnë në Beograd ku takohen me përfaqësuesit e Serbisë, duke shtuar se fillimisht bisedimet zhvilluar për çështje të cilat konsiderohen më pak politike, siç është fati i të pagjeturve.
Gazeta po ashtu thekson se vizita e fundit e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, në Beograd dhe Prishtinë, “ka shërbyer edhe si fillim i bisedimeve rreth vendosjes së pikave të përbashkëta doganore mes Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas kësaj të përditshme pak javë më parë çështja e doganave nuk ka qenë në rend dite të takimeve, duke theksuar se të dy palët kanë biseduar vetëm rreth “bashkëpunimit kufitarë dhe policorë”.
Përfaqësuesit e misionit të EULEX-it i kanë pohuar të përditshmes “Koha Ditore” se bisedimet janë zhvilluar. “Si mision teknik ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje të përbashkëta mes Prishtinës dhe Beogradit rreth këtyre çështjeve” , ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it Kristofer Lamfalusi, por nuk ka dëshiruar t i komentojë detajet e bisedimeve mes përfaqësuesve të EULEX-it dhe Beogradit.
Duke u thirrur në burime ndërkombëtare gazeta thekson se EULEX-i ka kontakte të përhershme me Qeverinë e Kosovës rreth bisedimeve që zhvillon me Beogradin.
“Shefi i EULEX-it, Yv De Kermabon ka konsultime të rregullta me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin rreth bisedimeve që misioni zhvillon me Beogradin”, kanë deklaruar burimet në kushte anonimiteti për të përditshmen Koha Ditore.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se çdo aktivitet i EULEX-it në suaza të mandatit të këtij misioni është legjitim, mirëpo ka mohuar se ai mandat ka të bëjë edhe me zhvillimin e bisedimeve rreth doganave.
“Nuk ka bisedime rreth kufijve dhe doganave. Nuk mund të ketë kurrfarë aktivitetesh me të cilat do të shkelej Kushtetuta e Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi Krasniqi
Koha Ditore përkujton se Serbia ka marrë “dritën e gjelbër”për liberalizimin e vizave, mirëpo njëri ndër kushtet e BE-së për këtë proces është që Serbia deri në fund të vitit t i vendosë pikat e përbashkëta doganore në kufirim me Kosovën.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›