E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasionin tim të gjallë mbi skenë ia detyroj Maqos

Autori i Lajmit: Denisa Kona
LINDITA THEODHORI

Tregon me pathos, me dëshirë ndjenjat e të shoqit për të dhe anasjelltas.

I përket plejadës së këngëtarëve që njohën liberalizimin në kulturë dhe art, shkëndijën e lirisë së deprimuar në vitet 70 dhe maratonën e festivaleve të këngës së kristalizuar socrealiste të viteve 80. Por vazhdon të jetë ende… I është rikthyer skenës pas 17 vitesh mungese dhe në një formë të ringritur, në një stad të ri. Lindita Theodhori, nostalgjia e rinisë së viteve 70- 80, po synon të bëhet edhe nostalgjia e rinisë së sotme.

-Raporti me publikun, prima e çdo artisti. Ju u rikthyet vonë, por fort tek publiku shqiptar, si një llavë që ziente përbrenda derisa të shpërthente. Paska qenë e mundimshme kjo ndarje?
Më ka munguar dhe më ka munduar kaq shumë, po kaq shumë, sa, po të kishte zgjatur edhe pak largimi, unë nuk e di se ç do të kisha bërë, si do të kisha reaguar. …Tani jam vetëm këtu në Shqipëri, por prapë duroj kur mendoj se nesër kam për të bërë një emision televiziv, pasnesër kam për të bërë një koncert. Dhe kjo më mban gjallë.
Kur u ktheva pas kësaj mungese të gjatë, isha me një merak emocional brenda vetes dhe thosha se duhet të ketë mbetur diçka nga audienca ime që të më kujtojë. Unë prisja shumë, dëshiroja shumë, që me rikthimin tim në Shqipëri, të ribërit e ndonjë këngë që ka qenë hit në atë kohë plus dhe të këngëve të kohës, të arrija të zgjoja publikun tim. Dhe vërtet, kur u ktheva, përveç audiencës sime, pashë rreth meje edhe të rinj e të reja që nuk më njihnin më parë.
-Dhe duhet ta pranoni se ka ende të rinj që nuk ju njohin…
Po, ka, sepse aktivitetet e mia kanë qenë të shumta, por jo mjaftueshme. Prandaj edhe unë shkoj e vij sa nga Londra në Vlorë e Tiranë, sepse dëshiroj të mos shkëputem nga ekrani, nga jeta koncertore. Dua të më njohin ata që nuk kishin mundur.
- Ndërkohë, është një veçanësi kjo, të jesh këngëtare e një brezi tjetër dhe të aspirosh të hysh në gjak tek rinia e një kohe tjetër…
Nuk është puna se kam dobësi thjesht për rininë. Puna është se unë e ndërtuar në karakterin tim, mendoj si e re, jetoj si e re, në shtëpi trajtohem si e re, vishem si e re dhe kjo më bën që të mendoj shpeshherë, se a jam a nuk jam ajo që i përkas brezit tim të 50-vjeçarëve. Por ja që, fatmirësisht dhe fatkeqësisht jam ajo që i përkas atij brezi. Ndërsa, me këtë stil që kam, me këto mundësira, me këtë vokal, me këtë ndjeshmëri shpirtërore dhe intelekt, dua t i përkas edhe brezit të ri.
-Lindita Theodhori (ju thërrasim me emër të plotë se nuk na tingëllon ndryshe), ju tremb koha, e ndjeni peshën e saj? Nëse po, më shumë si femër apo si artiste?
Më tremb jashtëzakonisht. Të mos gënjej. Si femër dhe si artiste. Unë nuk mund ta fsheh këtë. Ka njerëz që bëjnë sikur nuk e përfillin ose vërtet janë të pandjeshëm, nuk i ndikon mosha, por unë realisht jam jashtëzakonisht e frikësuar, e trembur, nuk e dua pleqërinë. Të them të drejtën, luftoj me veten për të mos e pranuar.
-Koha tremb çdo njeri, burrë dhe grua, por imazhi i këngëtareve lidhet edhe me moshën, për sytë e publikut, duket sikur ato e kanë një afat skadence. Është e drejtë?
Po sigurisht, është e vërtetë. Kjo është një frikë plus. Me moshën del nga vëmendja e publikut. Shpesh bëjmë shaka në shtëpi me djemtë dhe me burrin: “I kam thënë pleqërisë që nga pragu i derës dhe jashtë bëj çfarë të duash, nga pragu dhe brenda nuk ke punë me mua”.
-Pra, ju trembka edhe pleqëria e burrit?
Edhe e burrit sigurisht. Nganjëherë kur e shoh të depresuar, siç vijnë rastet në jetë, i them mos e thuaj atë fjalë, je shumë i ri . Dhe me të vërtetë, ai duket shumë mirë. Vazhdon të jetë prapë simpatik dhe energjik, sepse energjia as blihet as shitet. Nuk i takon moshës.
-Megjithatë, së paku si këngëtare e keni kapërcyer sfidën e moshës. Të tjerat nuk kanë mbërritur tek ju. Nuk ka asnjë këngëtare në formë, në aktivitet në moshën tuaj dhe ju përbëni një rekord…
Faleminderit (qesh me atë zërin e saj si bukë e thekur).
-Kthehemi tek publiku: Tek cili publik do të donit të mbeteshit ju Lindita Theodhori?
Unë natyrisht që i tentoj edhe të rinjtë, por në mënyrë të padiskutueshme nuk mud ta mendoj audiencën time pa bashkëmoshatarët e mi, qofshin ata edhe më të vjetër se mua. Sepse unë jam nga ata njerëz, që vlerësoj çdo të thotë nostalgji, të rritesh me atë muzikë, me ata këngëtarë, me një brez të tërë. Është një brez që nuk shkëputet nga mua dhe nuk dua ta shkëpus nga vetja.
-Në një videoklip tuajin shfaqeni sensuale me një parner në krah. Jua kanë bërë si sugjerim ose vërejtje ndojëherë, pse me një djalosh të ri dhe jo me një burrë që i shkon moshës suaj? Apo donit të ruanit burrin nga xhelozia?
Jo, hiç fare. Se burri më shumë bëhet xheloz për një djalë të ri se për një burrë të moshës së tij. Burri im mendon që gruaja e tij është e aftë të bëjë një djalë 20 vjeçar që të çmendet pas saj.
-Edhe këtë e mendon ai?
Po, po e mendon. Kështu mendo ai. Vetëm sa e mendon, se nuk e preokupon realisht një situatë e tillë. Unë jam si zog i lirë, shkoj e vij në gjithë vendet e botës për të realizuar hobin tim, muzikën, pa asnjë problem. Për videoklipin, unë kërkova një djalë për që të mos ishte dhe aq i ri. Dhe nga mungesa e kohës që kisha për ta zgjedhur vetë, ma zgjodhën njerëzit që u morën me videoklipin, stafi im. E pashë që ishte çunak, çuni im i madh është më i rritur se ai dhe thashë: Po mbase stonon në aparencë ky me mua?” Më thanë: Jo, nuk stonon. Ata që nuk ta dinë moshën, nuk u shkon mendja, ata që ta dinë moshën, do thonë: Dale se shkokërka”…
-Pas 17 vitesh, performuat edhe një herë ju Lindita Theodhori. Habitët dynjanë me pasionin dhe energjinë e zbrazur mbi skenë. Po çfarë menduan djemtë e tu kur ju kanë parë aty?
Unë do t ju them diçka në lidhje me djalin e vogël. Ai quhet Deviskris dhe i madhi quhet Marsel. Marseli mbante mend mamin e vet në ekran, i vogli nuk e mbante mend. Kur kam ardhur për herë të parë në “Kënga magjike” në 2006-n dhe isha presidente jurie, aty mbaj mend që djali i vogël më ka marrë 10 herë rresht në telefon, papushim, duke më thënë të njëjtat gjëra: “Mami, mos u largo më nga skena se na ke bërë krenarë”. Dhe kënaqësia më e madhe e tyre është të më shikojnë mua përsëri në skenë.
-Ju duke shpërfillur moshën, guxoni të visheni ekstravagante, me shijen dhe garderobën e një vajze apo gruaje të re. Si ia keni dalë mbanë të ruani këto linja për veshje të tilla?
Shiko. Të mbash në formë trupin është tjetër dhe ekstravagante është tjetër. Unë nuk mendoj se jam ekstravagante. Unë mbaj vërtet mini, por mbaj brenda një logjike. Kur e shikoj veten në pasqyrë dhe shoh që nuk kam ndonjë gjë të deformuar, që të bjerë në sy për keq, për mua është e pëlqyeshme. Dhe nëse ka që nuk e pëlqejnë veshjen time, duhet ta dini se unë nuk vishem për sytë e tyre. Vishem si dua vetë dhe si më pëlqen familja ime. Di që kam një shije të hollë, jam moderne, por e rregullt. Nuk kam asgjë kundër ekstravagancës, i vlerësoj edhe ato që janë, por unë nuk jam e tillë.
-Ua sugjeron bashkëshorti veshjet?
Asnjeri nuk ma sugjeron. As bashkëshorti, as djemtë që janë të rinj në moshë dhe shumë modernë. Ata vetëm se ma aprovojnë. Ata kanë rolin e bashkëbiseduesit.
-Çfarë ka mbetur në të njëjtat nivele që para 25 vjetsh mes jush si bashkëshortë?
Po pse thua që para 25 vjetësh? Ne kemi 35 vjet martuar. 30 vjeç kam djalin e madh. Në këto 35 vjet, se është burri im korçar, se është intelektual…unë nuk e di se kujt mund t ia vë disa cilësi, që rrallë burra i kanë. Burri im, po ta përmbledh me pak fjalë, më bën të ndihem jashtëzakonisht rehat dhe e vlerësuar.
-Më kujtohet kur erdhët për herë të parë nga Londra dhe më doli bashkëshorti juaj në telefon. I them se ju kërkoja ju dhe më thotë: Unë jam i dashuri i Linditës”. Mendova se i kisha rënë gabim dhe po nxitoja ta mbyllja, duke e marrë për shaka të ndonjë të panjohuri. Ai e kuptoi hutimin tim dhe më tha: “Jo, jo nuk i ke rënë gabim”. “Jo, i kam rënë, - i thosha unë”. Dhe ai më në fund: “Nuk je gabim, jam bashkëshorti i Linditës, i dashuri i saj”…Mua më habiti që ai e shprehte hapur dashurinë për ju…
Ahaha. Denisa, në një intervistë timen të mëparshme shkruhej: “Lindita Theodhori thotë: Burrat në Shqipëri nuk dinë të duan .” E lexon im shoq, dhe sa mbërrij në shtëpi, më thotë: “Po pse të keqen lali? Unë të them 100 herë në ditë “të dua”. I thashë: Jo vetëm që nuk është për ty, por ti e thua kaq shumë herë, sa duhet ta pakësosh një çikë, që të më duket më interesante. Ai më bën të ndihem e vlerësuar, më thotë papushim: Nuk ka grua si ty në botë. Je shumë e bukur, këndon shumë bukur, je shumë elegante…
-Edhe në ato 17 vjet që u shkëputët nga skena, ai vazhdonte të ta kujtonte që këndon shumë bukur?
Po, po, po, po, po…Bile, bile, më thoshte: Lindita duhet të bëjmë diçka, që ti të përgatitesh vetë, që kur të shkosh në Shqipëri, njerëzit të thonë: “Uauuu..!” Është im shoq protagonisti kryesor, nxitësi që unë të jem në kushte të shkëlqyera në aparencë, në vokal, në shëndet.
-Me veshjet e shtëpisë, zakonet dhe shërbimet shtëpiake, jeni po kaq e këndshme për syrin e tij?
Përsa i përket shtëpisë, është një fakt: Jam jashtëzakonisht nikoqire dhe një kuzhiniere e shkëlqyer në shtëpi. Dhe Maqoja ma thotë edhe sot si 30 e ca vite të shkuara: Ti më bën të vesh kostumin më të mirë, kur të ha drekën tënde .

Rikthimi në Shqipëri
Kënga korçare nuk ka për të vdekur. Kërkon zemër dhe tru. Është fat të dish ta këndosh
Kam gjetur nostaligjikët e mi dhe rininë që nuk më njihte
Theodhori tregon pse vendosi të blejë një shtëpi në Vlorë dhe përse udhëton shpesh drejt Shqipërisë

-Kur u kthyet nga Londra, zgjodhët të blinit një shtëpi në Vlorë. Pse jo në Tiranë, këtu ku është edhe zemra e artit, ku të gjihta fijet lidhen dhe ndërtohen më lehtë? Pse jo as në Korçë dhe as në Fier?
Denisa do ta shpejgoj. Se më kanë pyetur edhe të tjerë. E para, sepse unë nuk jam në marrëdhënie pune të përditshme që të më interesonte Tirana. E dyta, unë kalova një periudhë shumë të gjatë në Korçë dhe e treta, ramë dakord se ne të gjithë si familje e pëlqejmë jashtëzakonisht detin. Dhe për një familje që nuk është e përhershme këtu, do të preferonte që të kishte një shtëpi në buzë të detit. Dhe pozicioni i saj është fantastik!
-Pra, familja juaj e kalon pjesën më të madhe të kohës në Londër?
Unë personalisht, jo, por familja ime, po. Unë pa pasur ndonjë axhentë të caktuar, kur e ndiej se duhet të vij këtu, vij këtu dhe kur duhet të shkoj në Londër, shkoj.
-Pse qëndron familja atje?
Për disa arsye. Fëmijët janë rritur, punojnë atje, janë stabilizuar, të dashurat e tyre janë atje dhe nuk i pengon asgjë që të vijnë sa herë të duan. Dhe Vlora është nga qytetet e rralla të bukura. Ok, ka nevojë për punë, ka nevojë për zbukurime, ka nevojë për pastrime, por natyrën e Vlorës, Zoti e ka ndërtuar me shumë dhunti.
-Në Londër me çfarë merreshit?
Nuk merresha me ndonjë punë konkrete. Isha në shërbim të familjes.
-Keni instrument muzikor në shtëpi dhe a luani shpesh?
Kam pasur një kitarë, por kur u larguam nga Shqipëria, nuk e morëm dot me vete. E vodhën. Unë i kam pasë rënë kitarës dhe pianos. Kam qenë në koncertin tim recital në 86-n, një shoë-girl dhe gati e pësova në emër të asaj që quhet “ngre kultin e individit”. Sepse unë i bëra të tëra vetë, edhe prezantimin. Por me keqardhje sot nuk i bie asnjërës. Instrumenti si çdo gjë, po e le, të la.
-Në Lice, për piano keni studiuar?
Jo, për teoritikë muzikore. Pastaj, kam mbaruar Akademinë (ISh ILA) për aktore… Dëgjo Denisa, edhe pse them se shumë më kanë përkëdhelur, unë jam një mami dhe një grua tepër-tepër e devotshme në shtëpi dhe u jam dedikuar atyre me mish e me shpirt. Se nuk është e lehtë të kesh tri burra në familje dhe t u përgjigjesh për çdo gjë. Për disa kohë është dashur që disa gjëra të liheshin mënjanë. Sepse kam pasur të tjera më të ngutshme që duhet t i përballoja unë si njeri. Dhe shpeshherë, njerëzit kur dinë periudhën e vështirësive, thonë: “Shumë mirë edhe kaq”…
-Kë keni momentin më të bukur, më nostalgjik të jetës?
Nuk mund të ketë vetëm një moment. Unë jam në këtë moshë dhe them se kam pasur goxha momente të bukura në jetë. Ta kufizosh jetën në një moment, do të thotë të ketë qenë jetë e varfër. Nuk kam ndonjë konsideratë për një moment të veçantë të jetës sime. Unë edhe atëherë kur kam qenë në vështirësi, edhe atëherë gjërat për mua marrin interes, bëhen të bukura pas disa kohe.
-Keni jetuar në Korçë por duket sikur i keni marrë edhe ekskluzivitetin e këngës qytetare. Edhe ajo si kënga greke, është brenda natyrës suaj. Është kjo një arsye që Korça ju priti dhe ju mbajti kaq mirë?
Jo, Korça më priti atëherë kur nuk kisha nisur ta këndoja këngën korçare. U çudit pak Korça se si ka mundësi, që një vajzë nga Myzeqeja të këndojë. Për mua, kënga korçare nuk ka vdekje, është e magjishme. Kënga korçare kërkon shpirt, sentiment, kërkon tru. Duhet të jesh i mençur ta këndosh që ta ngresh në piedestal, që të mos e riprodhosh në mënyrë burimore. Unë me krenari them se disa nga këto janë karakteristika të miat, por më është dashur edhe ndihma e Josif Mingës, që e vlerësoj jashtëzakonisht për këtë gjë. Është ai i pari, që më futi idenë që ta lëvroj këtë lloj të muzikës popullore se më shkon me karakterin, me zërin etj.
-Kur erdhët nga Londra, gjetët një publik me më shumë apo më pak shije, krahasur me atë publik që kishit lënë, të fiksuar pas festivaleve tradicionale? Më shumë a më pak të informuar?
Këtu nuk flas dot, sepse ka disa lloje audiencash. Unë audiencën time e gjeta dhe u gëzova shumë, që nuk kishin ikur të gjithë ata që mendoja që më donin. Edhe rinia ecën me muzikën e kohës, kuptohet janë disa rryma që kanë vend brenda për përzgjedhje dhe seleksionim.
-Natyrisht, ju nuk synoni të thithni të gjithë publikun. Kjo është edhe e pamundur, edhe e panevojshme. Ju keni nevojë për publikun elitar dhe… e keni gjetur
Po, unë e di se çfarë më përket dhe prandaj kërkoj atë, që më përket mua. E ndiej se e kam gjetur siç thoni edhe ju. Jam e kënaqur.
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›