E Diel, 1 Nëntor 2026

Po transportonte emigrantë të paligjshëm drejt Greqisë, arrestohet 31-vjeçari në Qafë Botë

Policia Kufitare në Qafë Botë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX, ka goditur një tjetër rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.

Gjatë kontrolleve intensive në zonën e gjelbër kufitare, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, mbrëmjen e djeshme në zonën e Kataetos, u konstatua një shtetas i huaj teksa po shoqëronte 7 emigrantë të paligjshëm, me qëllim kalimin e tyre drejt territorit grek, kundrejt pagesës.

Në përfundim të veprimeve proceduriale, u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 31 vjeç, banues në Mbretërinë e Bashkuar, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë”.

Hetimet paraprake treguan se 31-vjeçari kishte organizuar dhe ndërmarrë shoqërimin e grupit drejt kufirit me Greqinë, në këmbim të përfitimeve financiare.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme. Policia vijon kontrollet për të parandaluar dhe goditur këtë aktivitet të paligjshëm.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›