"Po u rrit energjia do rrisim çmimin e bukës"
Shoqata e prodhuesve, apel ERE-s të ketë kujdes me çmimin e energjisë sepse do ndikojë në rritjen e çmimit të bukës
TIRANË- Goditjen e parë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, xhepat e konsumatorëve pritet ta marrin nga shtrenjtimi i produktit më të konsumuar në Shqipëri, bukës. Një rritje e mëtejshme e kostos së prodhimit për këtë produkt jetik duket se nuk do të mund të përcillet pa e transmetuar një pjesë të saj tek konsumatorët.
Përfaqësues nga Shoqata e Prodhuesve të Bukës por edhe pronarë të tjerë furrash konfirmojnë këtë fakt duke theksuar se me rritjen e pritshme të çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur ende nuk është stabilizuar edhe çmimi i miellit, nuk ka se si shmanget një shtrenjtim i bukës masive për qytetarët.
OSSH ka propozuar një rritje të energjisë në masën 23 për qind, gjë që do të shtrenjtojë një numër të madh produktesh dhe shërbimesh, pa llogaritur këtu konsumatorin familjar.
"Realisht kosto e bukës është e rënduar, pasi nga rritja që pati vitin e shkuar çmimi i miellit nuk u ul në nivelin që ishte më parë. Nëse para rritjes, çmimi i miellit për bukën masive varionte në 28 -30 lekë për kg tashmë nuk ka zbritur nga 40 lekë. Pra është 10 lekë më shumë, kosto të cilën prodhuesit e kanë mbajtur vetë.
Vlen të përmendim se çmimi i miellit ndikon direkt në kosto pasi është lënda e parë. Meqenëse situata është e rënduar për shkak të mos uljes së çmimit të miellit, automatikisht rritja e energjisë do të ndikojë direkt në kosto.
Aq më tepër në periudhat e dimrit të cilat janë të vështira për prodhuesit e bukës. Nga e gjithë kostoja e bukës energjia përbën 6-7 për qind të saj, ose vjen e treta në radhë pas forcës punëtore dhe lëndës së parë.
Për momentin buka është në kufirin minimal të fitimit", - shprehet Shoqata e Prodhuesve të Bukës. Të njëjtat burime shtojnë se krahas shtrenjtimit të energjisë, një kosto më shumë përbëjnë edhe parregullsitë në furnizimin me energji apo mungesa e saj në disa raste duke i detyruar këta të fundit që të përdorin gjeneratorë.
"Intensiteti i energjisë nuk është në masën e duhur duke marrë parasysh procesin që duhet ta kalojë një bukë deri sa të konsiderohet e pjekur. Qëndrimi më shumë nga sa është normalja e furrës ndezur për shkak të intensitetit të ulët të energjisë sigurisht që ndikon në rritjen e kostos. Të mos përmendim rastet kur energjia mungon dhe ndonjëherë na duhet të punojmë edhe me gjenerator".
Çmimi i bukës pësoi një rritje të ndjeshme gjatë pranverës dhe verës së vitit të kaluar për shkak të krizës që pësoi tregu i drithrave duke kapur vlerat maksimale. Më pas gjendja filloi të normalizohej duke arritur në çmimet e mëparshme.
Për shkak se ende nuk është marrë një vendim zyrtar nga Enti Rregullator i Energjisë, prodhuesit e bukës nuk dinë të thonë një shifër të saktë për sa i përket masës së rritjes. Por, këta të fundit i bëjnë thirrje Entit Rregullator të Energjisë që gjatë shqyrtimit të kërkesës së OSSH-së për rritjen e çmimit të marrë parasysh faktin se kemi të bëjmë me një sektor jetik i cili prek të gjitha familjet shqiptare.
Pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes aplikuan pranë ERE-s në fund të muajit shtator për rritjen e çmimit të energjisë. Megjithëse ende nuk ka një qëndrim zyrtar për masën e rritjes së kërkuar burime pranë ERE-s bënë të ditur se kemi të bëjmë me një kërkesë për një rritje 20-23 për qind.
Krahas kësaj një javë më pas, OSSH publikoi raportin e një auditi të bërë nga një kompani e kontraktuar nga kjo e fundit për të bërë matjet e humbjeve të energjisë elektrike, sipas të cilit ato nuk ishin në nivelin e 32.7 për qindve siç kishte deklaruar qeveria por tre për qind më shumë.
Në lidhje me këtë tregues, kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, theksoi se kjo e dhënë do të merret në shqyrtim nga ky institucion dhe nëse vlerësohet si i drejtë pritet te ndikojë direkt në masën e rritjes së çmimit të energjisë. Në lidhje me masën e rritjes së çmimit të energjisë Enti Rregullator pritet të marrë një vendim më datën 17 dhjetor.