Rebelim në AKR

Degët e partisë së Behgjet Pacollit kanë filluar të rebelohen dhe po kërkojnë që AKR’ja t’i mbledhë organet drejtuese për të marrë vendime në emër të partisë.
Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në AKR, Gëzim Mehmeti, i cili udhëheq Degën e Dytë në Prishtinë, ka dhënë parashikime të zeza për partinë e pestë në Kosovë.
Ai ka thënë se AKR’ja po shkon drejt shkatërrimit nëse vazhdon të mbetet pa kryetar, derisa vendimet e partisë i akuzon se po merren nga disa individë krye në vete.
“AKR’ja nuk funksion qe gjashtë muaj”, ka thënë Mehmeti për Express, të premten.
Ky zyrtar i AKR’së që ka qenë i përfolur për një post të zëvendësministrit në Qeveri, kërkon që sa më shpejt të mblidhen organet e partisë dhe të marrin vendime për plotësimin e posteve vakante.
Por, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR’së, Ibrahim Makolli mohon se partia po shkon drejt shkatërrimit.
Ai madje thotë se ka takime ditore me strukturat e partisë, derisa konsolidimin e posteve udhëheqësve e ndërlidh me problemet që ka pasur Kosovë në gjashtë muajt e fundit.
“Nuk kam pasur diçka të tillë. Nëse individë në parti janë të pakënaqur dhe kanë ide të ndryshme, është shumë e natyrshme për një parti politike”, ka thënë Makolli, për Express.
Megjithëkëtë, edhe shumica e degëve të AKR’së nëpër komuna kërkojnë funksionalizimin e udhëheqjes së partisë.
Expressi ka kontaktuar me disa prej kryetarëve të degëve të partisë së Pacollit, të cilët kanë bërë thirrje për zbatimin e Statutit të AKR’së dhe plotësimin e posteve vakante.
“AKR’ja është pa zot shtëpie. Ne po kërkojmë m’u mbajtë Kuvendi, sepse momentalisht partia nuk ka kryetar dhe pastaj të adresohen problemet tona”, ka thënë Ibrahim Balaj, kryetar i Degës së AKR’së në Mitrovicë.
Kërkesë të njëjtë ka edhe njëra nga degët më të mëdha të AKR’së në Kosovë- ajo e Kamenicës.
“Partia po shkon drejt rrënimit për shkak se asnjë strukturë nuk po funksionon. Për të mos e lejuar shuarjen e partisë, ne kërkojmë që sa më shpejt të zbatohet statuti i partisë dhe mbajtja e mbledhjeve të Këshillit Drejtues”, ka thënë Sekretari i Degës së Kamenicës, Blerim Mavriqi.
Për këto kërkesa u.d. i shefit të AKR’së thotë se ka mirëkuptim dhe premton se Këshilli Drejtues do të mblidhet shpejt për të plotësuar postet në parti.
Por, a mund të rikthehet Zëvendëskryeministri Pacolli në krye të AKR’së?
Makolli e lë një mundësi të hapur.
“Këshilli Drejtues ia ka pranuar dorëheqjen dhe me një vendim tjetër mund ta kthejë në krye të partisë”, ka shtuar ai.
Aleanca Kosova e Re, e themeluar më 2006, ishte renditur në zgjedhjet e 2007-ës si partia e tretë me 13 deputetë, por në zgjedhjet e fundit ajo u përgjysmua.
Në zgjedhjet nacionale të dhjetorit të vitit 2010, Koalicioni Kosova e Re, në të cilin ishin bashkë me AKR’në e Pacollit edhe Partia e Drejtësisë, PSDK e Çekut, Grupi 15 dhe Partia e Pensionistëve, ka fituar 7.29 për qind të votave të zgjedhësve që kanë votuar.
Krahasuar me vitin 2007, AKR’ja në zgjedhjet e fundit në votën proporcionale humbi 16.809 vota.
Aktualisht, AKR’ja ka në Kuvendin e Kosovës vetëm katër deputetë – Myzejene Selmani, Emin Gerbeshi, Sevdije Lama dhe Suzan Novoberdali, kurse në koalicion, nëntë. Në Qeverinë e Kosovës, Partia e Pacollit ka dy zëvendëskryeministra, dy ministri dhe disa poste të zëvendësministrave.