Po vjen Gustavi

Mjaft qytetarë nuk pritën lajmërimin e autoriteteve për t’u larguar, por thuajse 1 milion vetë ikën nga Gjiri i Meksikës që dje me autobusë, trena, aeroplanë apo makinat e tyre. Ndërsa në stacionin kryesor të autobusëve në qytet, ata që nuk patën mundësi për t’u larguar vetë kanë zbarkuar që në mëngjes, në pritje të autobusëve që do t’i çojnë në pjesën veriore të shtetit. Mjaft banorë thonë se faza e parë e evakuimeve është më e organizuar sesa në rastin e uraganit “Katrina”, ndonëse një plan për të realizuar një evakuim më të rregullt përmes mjeteve elektronike nuk funksionoi. Zyrtarët thonë se informacionet për të evakuuarit do të jepen kur ata të mbërrijnë në destinacionet e planifikuara.
Disa prej banorëve të Nju Orlinsit kanë mbërritur sot në mëngjes në Arkansas, ku Garda Kombëtare ka përgatitur për ta vende strehimi. Të paktën 15 mijë vetë gjetën strehë në Arkansas, pas uraganeve “Katrina” dhe “Rita”. Trafiku mbrëmë ishte i bllokuar në rrugën kombëtare që lidh Luizianën me Teksasin, i cili është përgatitur që të presë 45 mijë të evakuuar.
Kryetari i bashkisë, Ray Nagin, shpalli largimin e detyruar të shtunën në mbrëmje, por njerëzit tashmë kishin nisur të laroheshin me ç’të mundnin nga qyteti. Oraret për largimin e detyruar ishin: nga ora 8 e mëngjesit të sotëm deri në orën 5 të pasdites. Në një konferencë shtypi, kryetari i bashkisë tha se “Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka njoftuar se kjo mund të jetë stuhia më e ashpër që ka goditur ndonjëherë. Nëse jeni të pabindur dhe nuk e merrni seriozisht sa duhet dhe vendosni të qëndroni, atëherë ky është një vendim krejtësisht i juaji”, tha ai. Zoti Nagin e ka quajtur “Gustavin” stuhinë e shekullit, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Nju Orlinsit që të “zhduken sa më parë nga qyteti”. Në Nju Orlins ka mbërritur numri dy i Gardës Kombëtare dhe 1400 oficerë policie patrullonin nëpër rrugë për të ndjekur mbarëvajtjen e evakuimeve. Uragani “Katrina”, i cili përfshiu qytetin e Nju Orlinsit tre vjet më parë, shkaktoi 1600 të vdekur dhe përmbyti thuajse 80 për qind të qytetit.