E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si po ecim? Çka

Rritja e ekonomisë së ndërtimit dhe sistemit të kreditimit po çon përpara ekonominë shqiptare dhe po ndikon në uljen e nivelit të varfërisë, pretendon një shoqatë konsulence

TIRANË - “Shqipëria është një rast suksesi në zhvillimin e saj ekonomiko-politik”, ka vlerësuar organizata “Oxford Analitica”, e cila vepron në fushat e konsulencave, përmes studimeve dhe analizave për gjeopolitikën dhe ekonomitë e vendeve të ndryshme.

Analiza vlerëson se “politikat fiskale, monetare dhe sociale të qeverisë janë aprovuar gjerësisht nga FMN-aj, në një strategji të hartuar në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore, si dhe në programin e rishqyrtuar për reduktimin e varfërisë në Tiranë. Megjithatë, të dy raportet, të publikuar këtë muaj, paralajmërojnë nevojën për forcimin e kapaciteteve administrative, për të sulmuar korrupsionin në mënyrë më efektive dhe për të trajtuar problemet aktuale energjetike”.

Analizën për Shqipërin, “Oxford Analitica” e ka publikuar më 29 gusht 2008, në web-in e saj, ku hedh një vështrim social-ekonomik, me temë “Shqipëria - vizioni ekonomik mbetet inkurajues”.

Në këtë analizë janë marrë parasysh Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2009-20013, ku programi i ri afatmesëm përfshin propozime serioze në 36 sektorë. Prioritetet e kësaj strategjie janë integrimi në BE dhe në NATO, (në Samitin e Bukureshtit në prill 2008, ku aleanca ftoi Shqipërinë, përkrah Kroacisë, për t’iu bashkuar radhëve të saj); zhvillimi social-ekonomik i shpejtë dhe thelbësor dhe konsolidimi i rendit ligjor dhe demokracisë.

Duke analizuar rritjen ekonomike dhe inflacionin, analiza vlerëson se “Shqipëria është në rrugë të sigurt që të mbajë performancat e vitit të kaluar, me një rritje ekonomike solide e reale 6 për qind të PBB-së në vitin 2008. I njëjti rezultat parashikohet për vitin 2009”.

Analiza vlerëson ndikimet pozitive për ekonominë shqiptare të rritjes së nivelit të kreditimit: “kriza globale e kreditit nuk ka pasur impakt në ekonominë lokale dhe në të kundërtën, për Shqipërinë efekti i kreditimit të ekonomisë pritet të jetë përfitues, çka ndikohet nga lulëzimi i pritshëm në këtë fushë. Huadhënia është dyfishuar në dy vitet e fundit, duke arritur 30 për qind të PBB-së, ndërkohë që bankat po konkurrojnë për segmente në tregun në lulëzim”.

Në kuadër të ndryshimeve që ka pësuar inflacioni, si efekt të zhvillimeve të tregut global, analiza vlerëson pozitivisht nivelin e inflacionit në vendin tonë, së bashku me faktorët, ku përfshin energjinë, bujqësinë dhe monedhën shqiptare.

“Shqipëria është e pozicionuar fort në balancimin e presionit që ushtron rritja e çmimeve të karburanteve dhe mineraleve në tregun ndërkombëtar ndaj inflacionit lokal, i cili është mbajtur në nivel të ulët 2-4 për qind, ndërsa në vendet e tjera inflacioni kapi vlera dyshifrore. Rritja e të ardhurave nga bujqësia, si dhe situata e mirë e energjetike, (që në Shqipëri mbështetet thuajse tërësisht nga hidrocentralet), ka ndikuar pozitivisht në treguesit e inflacionit. Të njëjtin efekt ka pasur edhe forcimi i monedhës së vendit, lekut, dhe stabiliteti i saj, që është rritur në vlerë ndaj dollarit, ndërsa ka qëndruar konstante kundrejt euros që prej fundit të vitit të kaluar”, thoshte analiza. Për taksat dhe financat Publike, “Oxford Analitica” vlerëson pozitivisht efektet nga aplikimi i uljes së disa taksave në vend. Kështu, analiza vë në dukje se “prezantimi i një sistemi taksash të ulëta dhe i taksës së sheshtë në dy faza: në gusht 2007 dhe janar 2008, sipas të dhënave të deritanishme ka rezultuar shumë i suksesshëm. Taksa e të ardhurave personale dhe taksa e fitimit janë tani të gjitha në një nivel uniform, 10 për qind, duke shënuar një ulje të ndjeshme nga niveli i mëparshëm prej 30 për qindësh. Si rezultat i thjeshtësimit të sistemit të taksave, i uljes së ndjeshme të tyre, rritjes së bazës mbledhëse të tyre dhe vlerës absolute, të ardhurat në tremujorin e parë të vitit të kaluar u rritën 40 për qind, në krahasim me periudhën e një viti më parë”.

Në analizë theksohet se rritja e të ardhurave nga kjo politikë fiskale ka ndihmuar mbështetjen financiare për raste krizash, sikurse ishte edhe kompensimi për viktimat e shpërthimit të Gërdecit.

Por “Oxford Analitica” vë në dukje se, pavarësisht nga rritja e dukshme e të ardhurave nga taksat këtë vit, mundet që deficiti i planifikuar buxhetor prej 5.2 për qindësh i PBB-së të jetë më i lartë. 

“Vlera e deficitit të këtij viti është një përjashtim që shkaktohet nga investimet e mëdha në infrastrukturë dhe investimet kapitale, ndërsa tendenca e përgjithshme nga viti 2009 e në vazhdim është drejt uljes me rreth 3 për qind në vit”. Analiza ka vlerësuar pozitivisht edhe uljen e borxhit publik, si pasojë e të ardhurave të siguruara nga privatizimet e deritanishme. “Borxhi publik është zvogëluar nga 57 për qind e PPB-së në vitin 2005, në më pak se 54 për qind në vitin e kaluar, ndërsa viti 2011 është parashikuar si viti i nivelit të borxhit publik nën 50 për qind”, shprehej në analizën e saj “Oxford Analitica”.

Duke u ndalur në proceset e privatizimit, analiza vlerëson se “qeveria e Berishës synon të plotësojë planin e privatizimit para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”. Pas shitjes së ARMO-s një konsorciumi zvicerano-amerikan në qershor 2008, kanë mbetur për privatizim vetëm pak kompani, pronë e plotë shtetërore, ose dhe me aksione të konsiderueshme të shtetit në to, sikurse janë kompanitë “Albpetrol”,  “Insig” dhe KESH, sistemi shpërndarës i të cilit duhet të privatizohet deri në fund të vitit 2008.

“Oxford Analitica” vlerëson si “shumë ambicioz” privatizimin e KESH-it, pasi sipas saj, “suksesi i këtij procesi do të përbëjë një arritje drastike. Mbledhja e te ardhurave nga faturat ka qenë 50 për qind, ndërsa tarifat e energjisë u rritën rreth 20 për qind dhe humbjet kanë përbërë rreth 1.2 për qind të produktit të përgjithshëm bruto (PBB)”, thuhet në këtë analizë. 

Ndërsa sektorin e energjisë e quan “një nga pikat e dobëta të ekonomisë”, ndonëse vlerëson se vendi ka një potencial akoma edhe më të madh për zhvillim në sektorin e energjisë: futjen në punë të TEC-it të Vlorës, prodhuesve të energjisë nga era etj.

“Sektori i energjisë mbetet akoma një nga pikat e dobëta të ekonomisë. Ka akoma ndërprerje energjie, për arsye se thuajse gjithë prodhimi i energjisë bazohet në burimet hidrike nga HEC-e të pamirëmbajtura që nga ndërtimi, që punojnë me kapacitete të reduktuara, dhe që në momentet e thatësirës, si në vitin 2007, prodhojnë shumë pak energji për përballimin e kërkesës”.

Ndërsa në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, turizmin e konsideron si një “pikë vendimtare zhvillimi”. Por për këtë sektor, edhe pse vë theksin në zhvillimin e madh gjatë viteve të fundit, veçanërisht në bregun e Adriatikut, pranë Durrësit e Sarandës, përballë Korfuzit, analiza vëren se “shërbimi akoma jo në standarde ndërkombëtare tërheq më shumë turistët e vendeve fqinjë, si Kosovë e Maqedoni, ndaj vendeve të tjera perëndimore. Mungesa e sistemeve të përpunimit të ujërave të zeza në gjithë bregun nuk ka shënuar akoma një pikë turistike të veçantë dhe të standardit të lartë, ndonëse vendi ka një bregdet prej 400 km, më të madh se ai i Malit të Zi, me 18 km”.

Ndërsa për tregtinë me shumicë e pakicë kërkohet lirimi i tregut nga prania e disa kompanive që kanë status monopoli dhe theksohet se “lirimi i ekonomisë nga shtrëngimi i tyre do të zhvillojë më mirë konkurrencën e do të përshpejtojë uljen e çmimeve”.

Duke u ndalur tek bujqësia, si “sektor që është një tjetër burim akoma i pashfrytëzuar”, analiza kërkon qartësim të titujve të pronësisë në proces, përdorimin e teknologjive moderne, ndërtimin e rrugëve në proces për të lidhur zonat e largëta me tregjet, që do të sjellë lulëzimin e saj”. Ndërsa për varfërinë, në analizë vlerësohet fakti që, “Shqipëria ka kapërcyer pragun e varfërisë dhe ka kaluar në ekonomi në zhvillim”. Në këtë tregues, referuar raporteve të FMN-së, që është e sigurt se rritja e PBB-së do të mbesë e fortë dhe e qëndrueshme si në vitet e fundit, analiza thekson se “Shqipëria do të kualifikohet në janar 2009 për fonde ekstensive lehtësuese, në vend të programit për uljen e varfërisë që iu ofrohet vendeve me të ardhura të ulëta. Megjithëse Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës Lindore e Jugore dhe paga mujore është 220 USD, rritja e pandërprerë ekonomike e viteve të fundit ka nxjerrë jashtë varfërisë mjaft individë e familje. Proporcioni i popullsisë që jetonte në varfëri është ulur nga 25 për qind në vitin 2002, në 18,5 për qind në vitin 2005 (të dhënat e fundit të përdoruara). Pas prezantimit nga qeveria “Berisha” të fondit të ri të rritjes së pensioneve, një skemë e re bashkëpunimi me opozitën pritet të prezantohet pas zgjedhjeve”, thuhet në analizën e “Oxford Analitica”.

Lidhur me problemet e korrupsionit, ndërsa thekson se “me gjithë vënien në qendër të vëmendjes së korrupsionin nga qeveria e Berishës që tre vjet më parë me ardhjen në pushtet, ka akoma për të bërë në këtë sektor”, analiza kërkon se duhet bërë më shumë edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Analiza i referohet FMN-së, që insiston se Prokuroria e Tiranës duhet të krijojë edhe një sistem tjetër shtesë, si pjesë e objektivave afatshkurtër për të luftuar korrupsionin dhe informalitetin. “Qeveria në muajin maj ka hartuar e aprovuar një ligj kundra pastrimit të parasë, që pritet të japë rezultat shpejt”, thuhet në këtë analizë.

Në konkluzionet e kësaj analize të hollësishme për Shqipërinë theksohet se: “Të ardhurat nga remitancat e shqiptarëve jashtë edhe pse janë ulur, së bashku me rritjen e ekonomisë së ndërtimit dhe të sistemit të kreditimit po çojnë përpara ekonominë shqiptare dhe po ndikojnë në uljen e nivelit të varfërisë. Politikat fiskale dhe monetare të qeverisë përbëjnë kontribut thelbësor në këtë proces. Ndërkaq, duhen shtuar përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe në drejtim të përmirësimit të standardeve në administratën publike, me qëllim që të shfrytëzohen tërësisht potencialet ekonomike të zhvillimit të krijuara tashmë.

Organizata “Oxford Analitica” është themeluar në vitin 1975 nga David Young, këshilltar i presidentëve Nikson dhe Kisinger, me qëllim promovimin dhe krahasimin e zhvillimeve gjeopolitike dhe ekonomike të ekonomive botërore. Opinioni dhe vlerësimi i saj është konsideruar si ndër më shkencorët dhe të besuarit në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›