Edhe federata është zgjidhje

Kreu i deputetëve republikanë vlerëson propozimin për koalicionin e përbërë, megjithatë ka edhe një alternativë tjetër
Kryetari i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, vlerëson pozitivisht idenë e daljes së të djathtës si koalicion i përbërë për zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, kjo do tu garantonte partive të vogla një mundësi pozitive për të mos u përballur me pragun e lartë nëpër rajonet zgjedhore. Propozimi i formës së pjesëmarrjes në zgjedhje nëpërmjet koalicioneve të përbëra sigurisht që është një mundësi pozitive e partive të vogla, të cilat nuk përballen tashmë me problemin e përqindjes së lartë të pragut të lartë elektoral në çdo qark, për shkak se tashmë këto parti paraqiten si një subjekt i vetëm nëpërmjet koalicionit të përbërë. Më pas, koalicioni i përbërë, sigurisht në bazë të kontributeve që kanë partitë pjesëmarrëse në të, do të ndajë edhe mandatet. Pra, është një mundësi pozitive e partive të vogla, thotë Madhi për Korrierin. Megjithatë, ai shton se ka edhe mundësi të tjera, të cilat do të mund të garantonin një të djathtë më të konsoliduar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat mbahen vitin e ardhshëm. Republikani Madhi i qëndron idesë së mbështetur vazhdimisht për krijimin e një federate të djathtë edhe si koalicion parazgjedhor. Ai thotë se krijimi i një federate të djathtë është një zgjidhje e mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Madhit, periudha deri në zgjedhjet e ardhshme është një kohë e mjaftueshme dhe bashkimi i forcave të djathta në një federatë është plotësisht i realizueshëm. Unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë për ta realizuar. Është më shumë çështje vullneti, sesa çështje kohe, thotë Madhi. Sipas tij, në rast se ekziston vullneti i forcave politike të djathta, koha në dispozicion mjafton për të organizuar dhe për të konkretizuar federatën e djathtë. Gjithmonë unë kam menduar se është koha e mjaftueshme që e djathta, përkrah mundësisë së shikimit të strategjisë së saj vetëm për tu përfshirë në zgjedhje, të shikojë edhe mundësinë e bashkëpunimit si një federatë. Do të ishte jashtëzakonisht pozitive që e djathta në zgjedhjet e vitit 2009 të paraqitej tashmë si një federatë, thotë Madhi, duke shtuar se kjo do të krijonte një të djathtë më të konsoliduar për zgjedhjet e ardhshme. Deri tashmë, ideja e krijimit të një federate të djathtë është mbështetur fuqimisht nga republikanët, megjithatë duket se konkretizimi i saj mund të vijë pas përgjigjes së forcës më të madhe të së djathtës, Partisë Demokratike.