E Shtunë, 31 Tetor 2026

NË KAOS

Së shpejti priten masa drastike për të ndaluar hyrjen në Shqipëri të pajisjeve elektroshtëpiake jashtë standardit

Shqiptarët shpeshherë janë zhgënjyer nga pajisjet apo aparaturat elektroshtëpiake që kanë blerë, kjo për shkak të prishjes së tyre pak kohë pas blerjes. Tregu i pajisjeve elektroshtëpiake është i mbushur me pajisje false dhe jashtë standardeve, ku në shumë raste rrezikohet edhe shëndeti i përdoruesve. Të dhënat që Inspektorati Qendror Teknik publikon, por edhe vëzhgimet në tregjet e ndryshme, tregojnë se shumë marka kondicionerësh, televizorësh, frigoriferësh apo dhe pajisjesh të tjera nuk plotësojnë standardet teknike dhe ato të sigurisë. Veç kësaj, këto pajisje, që nuk dalin nga fabrikat e njohura, konkurrojnë në mënyrë të padrejtë me çmime. Për të normalizuar situatën në Shqipëri, brenda këtij viti do të ketë kontrolle dhe sanksione, me qëllim që për blerësit të ketë vetëm pajisjeve të certifikuara.

Pritshmëria

Vetë kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik bën të ditur se vitin e ardhshëm nuk do të ketë më pajisje të falsifikuara në tregje. Sipas Ilir Kurtit, shumë pajisje mbajnë emra të falsifikuar dhe jo të regjistruara. Po kështu, shumë prej pajisjeve elektronike dhe elektrike që shiten në Shqipëri nuk plotësojnë standardet. Sipas Ilir Kurtit, shumë shpejt, në bazë të ligjeve që tashmë janë miratuar, pajisjet në treg nuk do të jenë më jashtë standardeve. “Tregu  shqiptar funksionon deri më sot në mënyrë të parregullt. Shiten produkte elektrike falsë, me çmime që shkojnë deri në dyfishin e çmimeve të produkteve origjinale të vendeve të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, sot ekziston një ligj me nr. 9797, për sigurinë e produkteve, por është edhe një ligj tjetër i prillit të këtij viti, “Për mbrojtjen e konsumatori”, që detyron prodhuesit dhe shitësit që të sigurojnë disa kushte për konsumatorin. Është edhe një VKM që përcakton disa rregulla teknike për këto pajisje para se të hidhen në treg. Ne kemi filluar bashkëpunimin me doganat, dhe mund të them që brenda një viti në Shqipëri nuk do të ketë më prodhime falsë, që zënë një peshë të madhe sot në tregun shqiptar. Konsumatori shqiptar nuk do të detyrohet që të mësojë rusisht apo kinezçe kur të blejë këto pajisje, por do ta ketë mënyrën e përdorimit në gjuhën shqipe. Do të ketë në shqip si instalohet pajisjet, si të ruhet nga rreziku etj., pre do të jetë detyrimisht në shqip”, bën të ditur Ilir Kurti.

Përgjegjësia ligjore

Shitësit dhe importuesit e pajisjeve do të mbajnë përgjegjësi për rastet e dëmtimit të konsumatorëve. Nëse një pajisje dëmtohet, apo dhe në rastin më të keq dëmton përdoruesin e saj, subjekti i autorizuar për shitjen apo importin do të dënohet ligjërisht dhe do të dëmshpërblejë klientin e tij. “Materiale falsë nuk do ketë, siç dhe është situata sot në treg, që është shumë alarmante për sa u përket elektroshtëpiakeve apo kondicionerëve, pasi pjesa më e madhe janë prodhuar në mënyrë false. Do të kenë të gjitha markën CE, që presupozon që këto mallra përputhen me standardet evropiane, tashmë dhe shqiptare. Të gjitha këto do të shkojnë paralelisht edhe me edukimin e konsumatorit. Ata duhet të bëhen të ndërgjegjshëm, që sot tregtia nuk është më si më parë, kur blihej një prodhim fals dhe pa vërtetim për blerjen. Kjo do të thotë që shitësi apo prodhuesi është përgjegjës për të kthyer këtë mall dhe për të mbajtur gjithë ngarkesën ligjore që ka prodhimi apo shitja e një malli të falsifikuar, jo të sigurt dhe abuziv kundrejt konsumatorit”, sqaron kryeinspektori i Inspektorati Qendror Teknik.

Kontrollet

Inspektorati Qendror Teknik, në bazë të ligjeve tashmë të miratuar, do të detyrojë importuesit apo prodhuesit e pajisjeve që të krijojnë një dosje të plotë me të dhëna teknike për produktet e tyre. Kjo dosje do të ruhet për disa vjet dhe kontrollet mbi produktin mund të jenë zgjasin përgjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, për kontrollin e importeve rol kryesor do të kenë edhe autoritetet doganore. “Dogana ka pjesën e vet, ne kemi pjesën tonë. Pjesa jonë është pjesa teknike e problemit, që do të thotë që çdo prodhues apo shitës në Shqipëri që importon produkte, duhet të ketë një dosje për çdo pajisje që shitet. Kjo dosje teknike duhet të ruhet për 10 vjet, që do të thotë që në çdo moment brenda këtij 10-vjeçari, strukturat përgjegjëse për kontrollin e tregut do ta kontrollojnë dhe të mbajë përgjegjësi prodhuesi apo shitësi për sigurinë e këtij produkti”, sqaron kryeinspektori Kurti.

Përdoruesit

Një nga masat ligjore përcakton që çdo manual i përdorimit të pajisjeve elektrike apo elektronike do të ketë një pjesë në gjuhën shqipe. Kështu, shumë përdorues do ta kenë më të lehtë që të vënë në funksion një lavatriçe, televizor apo dhe pajisje të tjera. Shumë blerës kërkojnë ndihmë të specializuar për të përdorur aparaturat që blejnë, dhe kjo ndodh vetëm për shkak të mospasjes së instruksioneve përkatëse në gjuhën shqipe. Edhe pse për të përdorur një marrës satelitor të valëve televizive, një celular apo një televizor është shumë e thjeshtë, blerësit  detyrohen të paguajnë për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›