E Diel, 1 Nëntor 2026

Podrimja mbërrin të enjten në atdhe, hetimet e para: Vdekje natyrale

PRISHTINË-Trupi i pajetë i poetit të njohur kosovar Ali Podrimja do të kthehet në Kosovë nga Franca, mëngjesin e së enjtes (ora 8:55 minuta).

Shkrimtari do të prehet në varrezat e qytetit të Prishtinës, ndërkohë që Muhamedin Kullashi, ambasador i Kosovës në Francë bëri me dije për mediat vendase se sot janë zbardhur shkaqet e parë që hedhin dritë mbi vdekjen e shkrimtarit.

“Konstatimi është ky: Vdekja e Ali Podrimjes nuk ka asnjë shkak të jashtëm, asnjë gjurmë të dhunës të shkaktuar nga jashtë ose në mjedisin ku ai ka lëvizur ato ditë. Ai nuk është rrëzuar, nuk ka asnjë lëndim në trup. Është fjala për një vdekje të natyrshme. Vendi ku është gjetur është një vend i hapur. Nga aty e ka parë qytetin. Aty ku ka qenë i shtrirë, konsulli ynë e ka parë”, tha Kullashi

Ndërkohë, mësohet se një raport më i plotë do të jetë i gatshëm pas 15 ditësh, ku përfshihen analize më të hollësishme nga ana e ekipeve të mjekësisë ligjore.Ambasada e Kosovës në Paris do të organizojë të premten një tubim komemorativ për poetin Podrimja.

Ali Podrimja është gjendur i vdekur në një pyll në anën perëndimore të qyteti të vogël e të qetë francez, Lodeve më 21 korrik. Podrimja, i cili konsiderohej i humbur prej 18 korrikut, ndodhej në Francë për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” (Zërat e Mesdheut).
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›