Jahjaga dekoron ambasadorin Dell

Ajo vlerësoi lartë kontributin e ambasadorit amerikan, për proceset demokratike nëpër të cilat ka kaluar Kosovë, dhe rolin e rëndësishëm në shtetndërtimin e vendit tonë. Nga ana tjetër, ambasadori amerikan, Christofer Dell ka thënë se është një privilegj i madh të jesh diplomat amerikan ne Kosovë.
Presidentja, Jahjaga, fillimisht, ka falënderuar ambasadorin Dell për kontributin e dhënë në Kosovë. Ajo ka theksuar se medalja e sotme për ambasadorin amerikan është vetëm një simbolikë e paqes, demokracisë dhe humanisiti “Dr. Ibrahim Rugova”, dhe kjo medalje i epet mikut të Kosovës ambasadorin Dell, për përkrahje që ai i ka dhënë Kosovës, popullit dhe institucioneve të saj.
“Është një simbolikë që shpreh falënderimet tona për një përkrahje të shquar që keni dhëne jo vetëm nga misioni juaj i parë por edhe nga ai i dyti. Gjatë tërë procesit që kanë ndodhur në vendin tonë, jo vetëm për të drejtat e njeriut por edhe në zhvillimin e proceseve demokratike dhe fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin e shtetndërtimit për tërë shtetin e Kosovës. Medalja që do t’u epet juve sot, është për humanizmin e bazuar në disa nga vlerat dhe principet që janë, paqja, demokracia dhe humanizmi, të cilat, gjithashtu, janë principet themelore. Ju keni qenë një përfaqësues i denjë i SHBA-ve në Kosove”, ka thënë Jahjaga.
Nga ana tjetër, ambasadori Dell, pasi që ka falënderuar presidenten për dekoratën e dhënë, ka thënë se ka pasur privilegjin që të punoj me institucionet dhe liderët e Kosovës e posaçërisht me ish presidentin, tashmë të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova.
“Gjithashtu, edhe Dr. Rugova është këtu me ne gjatë këtij çmimi. E kam njohur mirë që nga ardhja ime e parë këtu, për vlerat dhe rolin e tij që ka luajtur në përpjekjet për liri dhe pavarësi. Janë inspirim për të gjithë, ne qe kemi privilegjin të punojmë me institucionet e Kosovës lidershipin e Kosovës dhe mbi te gjitha të njihemi me popullin e Kosovës. Është një nder tejet i madh të më jepet një çmim që bart emrin e Rugovës. Është diçka që do ta kujtoj çdoherë siç e kam thënë mbrëmë që është shumë privilegj i madh që të jesh diplomat amerikan dhe të punosh në Kosovë”, ka thënë Dell.
Për ambasadorin i cili e përfundon misionin në Kosovë dhe gjatë ditëve të ardhshme kthehet në atdhe, kryeministri Hashim Thaçi ka shtruar mbrëmë një darkë lamtumirëse.