Poema për një vend
Francis CHENOT
Rreshpe ende Rreshpe
që nuk e harrojnë argjilën
Kuarc gjithashtu
si po aq vraja
drite në gur
kuarc që tashmë është dimër
Rreshpe kuarc dhe dëborë
që do te ishin stemë
Njerëz me gjeste të rralla
ata tregojnë vjeshtën
me veshje mëndafshi
(Disa kanë frymëmarrjen
fishkëllyese të plloçës)
Ata sigurojnë rezerva gruri
durimi dhe dru të thatë
Ata shtien në hambar heshtje
Fluturim stërqoke në zemër
liria e tyre është pjesë
Të flasësh për ata që kanë gjineshtra
në vështrimin e tyre brymor
që kanë fluturim blete në majë të gishtave
Mëngjeset e tyre janë ujë i freskët
Dhe në tryezë bardhësia e qumështit
sherri në bukë
Porta e tyre është e hapur
nuk ka nevojë të falënderosh
ata e dinë çmimin e një mirëmëngjesi
Ka shtëpia në duar
dhe një fjalë për çdo gjë
(Prej saktësisë së veglave
ai ka ruajtur erën e lëkurëve)
- Kafshët në ngrohtësinë e stallës
përtypnin të ardhme bari të ri-
Më kot dritaret pyesin
Vendosmërinë e akullit
natën që nuk popullon më sahatin
Por përgjimi tregon për babën
këtu vdekja nuk ngjit më
Një hap tepër i lashtë korr dimrin
në masë dëborërash dhe plisash
Një hap që është ende heshtje
kërcëllim i magjepsur dhe duhan i fortë
Ai mbart kujtime të rënda
galerish të errëta llambash të shurdhëta dhe djersë
(tulla ajo është diell argjile)
Pyllëzuar me pendë dhe mjegulla të zhurmshme
ata gjejnë strehim në pyll
Tjetri në fillim ishte pyll
pemë midis pemëve lirishtë
ndiqte rrjedhën e lëngut të drurëve
i lexonte lëvozhgën dhe moshën fletës
Roje e shtigjeve shkumore
ai kishte burim poshtë qepallave
dhe në duar gjithçka të mundshme zogjsh
(Qeni i tij plak është shtriqur
si për të mbajtur vesh vdekjen)
Shkolla e mban ngrohtë kujtesën
me thesare fëmijësh qerpikë
abetare nimfash
në pritje të dërrasës së zezë
(calceolerët* bëhen shapka)
vendqëndrim fjalësh që bëjnë fole
dhe premtim i të enjteve të xunktheve
Vite lajthish dallëndyshesh
Të pranishme sot në zë
“Dielli më pruftë një re”
dhe çarçafët vijnë erë livadh
Ata të këtushmit s’dinë ç’është mirënjohja
ajo u lihet bokërrimave
në përbetimin e bredhave
(çdo rrëshirë është plagë)
Shpresa është më e fortë
kur ajo zë rrënjë
në thellësi të burrave
Kam folur për një vend të kursyer në fjalë
- ai do të ishte çmimi i bukës -
ai mbart majëkrahut varfërinë e vet
si pemët një qiell përpara borës
Plloça kullon gjak Lisi kullon gjak
(ai ka këmbënguljen lëvozhgën)
Diell të zi fierishte përmbi gjuhë
Ata që e banojnë kanë grurë drejtësie
zemërgjerësi mjalti në gusht
Përktheu Vasil Çapeqi
______________________________
*Calcéolaire: bimë zbukuruese e Amerikës së Jugut, fletët e së cilës u ngjajnë këpucëve
Francis Chenot lindi në mars 1942 në Petitvoir, dikur komunë e Tournay. Prej Ardennes (krahina e vendlindjes), ai ka ruajtur heshtjen e paepur dhe ekonominë e fjalëve, të cilat shquhen në tekstet e tij. Ai është bashkëthemelues i Shtëpisë së Poezisë të Amay-it dhe i botimeve "l'Arbre à paroles".
Në dyzet vjet, Francis Chenot ka botuar rreth njëzet përmbledhje e broshura.
Titujt më të rëndësishëm të krijimtarisë së tij janë: “Mémoire de schiste - Kujtesë Rreshpe” (1981, l'Ardoisière – fitues i Çmimit René Lyr, 1982 – ribotuar me 1990 prej l'Arbre à paroles) dhe “Le principe de solitude (Principi i heshtjes) (e të tjera fragmente të shtuara më pas)”. Më 1997, botoi vëllimin e mirënjohur: “l'Orange bleue” (Portokalli blu).
Këto përmbledhje me poezi dhe tekste të tjera të botuara ndër vite, do t’i jepnin Francis Chenot çmimin Arthur Praillet, 1997 dhe do ta veçonin nga mënyra e të shkruarit dhe e të shfaqurit të mondanitetit letrar.
Në fundin e vitit 2003, u botua «Carnets d’écorce” (Ditaret e kores), libër që, sipas autorit, është vepra e tij më e arrire ndër vite, vepër që e vendos Chenot si një poet që u shpëton kategorizimeve të lehta, çka më pas e dëshmoi edhe vëllimi tjetër i poetik «Bûcheronner le silence “ (Të zhbirosh heshtjen), përmbledhje e shkruar në dimrin e Qeubec (krahina frankofone e Kanadasë) gjatë qëndrimit në rezidencën e krijuesve në Trois-Rivières, botuar njëherësh prej "l’Arbre à paroles" dhe "Écrits des Forges".
Francis Chenot është kryeredaktor i «Une autre chanson” (Një këngë tjetër).
BOTIMET KRYESORE
”Këto duar të plagosura” (1965), “Shifra e trëndafilit” (1967), “Heshtja për t'u ndarë së bashku” (1970), “Kujtesë Rreshp” (1981), “Principi i heshtjes dhe të tjera fragmente”, “Portokalli blu” (1997), e po ashtu: “Carnets d’écorce” (2003), “Bûcheronner le silence” dhe "Écrits des Forges" (2006).
Përse në POETEKA?
Poezia është një gjuhë pa kufi. Revista «l'Arbre à paroles» i ka kushtuar një numër të posaçëm «Poezisë shqiptare» dhe, prej tij, ka lindur projekti për një Antologji më të gjerë te poeteve shqipfolës.
Durrësi dhe Poeteka do të lejonte pasurimin e përfytyrimit tim dhe të këtij projekti.
Kur bën profesionin e të shkruarit, poezia nuk mund të jetë një shoqe besnike që të pret pas punëve të mundimshme të ditës, as edhe një dashnore e rregullt. Por ky takim i fshehtë e pasionant, po aq thelbësisht përfundimtar sa edhe fluturak.
Alge femër
Veronikë nate: pranverë femër-lule në vështrim nate. Dritë e errët orkideje ku të humbasësh. Një luzmë bletësh të dehura çmplekset në floknajë algash...
Dhëmbshuri. Ashtu siç dridhet gjoksi prej një perkedhelje uji. Akoma hije dhe plotësi fruti që fërgëllon në gropën e duarve.
Bashkë nate. Pyll leshterikësh në përthyerje dallge zogjsh. Pastaj, burim i qetësuar dhe ujëvarë gjelbërimi. Mjaltë hëne gjithashtu, ku unë shplodhem.
Drurë dhimbje
(sipas një pikture të Jean Pomma)
Drurë, shandanë të shuar ne dëshpërimin përvëlues të fletëve dhe të një fryme, erë e vakët mëngjesi apo e një mbrëmjeje të harruar qershori, zgjat deri në horizont, tokë e qiell të bërë bashkë në të njëjtën heshtje shtypëse, pothuajse të dhimbshme, heshtje përpara fjalës dhe pa kujtesë, si çdo kthim i bërë i pamundur tani.
(Kush flet për te tashmë, ndërsa askush këtu nuk e mban mend kalimin e një zogu?)
Drurë! Përpara të parës fjalë të shqiptuar. Drurë! Që do të kenë mohuar deri edhe pamjen e njeriut?
Blu heshtje
(sipas një pikture të Richard Dandoy)
Zogj që mbajnë mënd detin si një gosti drite. Me gjeste leshteriku. Me fjalë tepër blu (ata vijnë prej një vendi blu!).
Një klithmë sedefi, prej kristali menjëherë të konsumuar. Thëngjij heshtjeje. Dhe gjithmonë bluja që drejton kullat e veta të cilat qenë strehimet e fëmijërisë, këto katedrale qielli dhe uji.
Zogj, lajmëtarët e natës sonë në blunë e një lindjeje të afërt.
Bashkudhëtar drite
Në kujtim të René Gerbault
Bashkudhëtar drite që na bën të shpresojmë në tinguj delta çmendurie Qëmtues legjendash ai dinte të lexonte lyshtrat e kujtesës Duke njohur rrugë të ngrohta për dëshirimin atë shije dheu që kanë fjalët me ngrohtësi dëbore (Ne na përgjon zogu prej hiri i ardhur prej mellanit të parë)
Kontrabandist shprese Lypës dhe ngrënës zoti Vorbull heshtje në nisje pjesërënie shërbëtoreje në thjeshtësi bashkëfajësi të dhomave prej hijeje që numëron mërzia (Nata më e gjatë po afron)
I humbur luftimi i engjëllit A ja vlente vallë që njeriu të merrte masën e saktë të boshllëkut? Mbetet vëllazëria e ujqve dhe lëndimi ynë në buzë që është shenjë mirënjohjeje përgjithmonë: hidhërimi ynë është fitorja jonë prej deti (Në fillim ishte dashuria...)
Është fikur llamba që magjepste vendqëndrimin e fjalëve
8 Shtator 2008