Rama rizgjidhet kryetar i PS-së
Rezultatet paraprake nxjerrin fitues Ramën, me një diferencë të madhe kundrejt Lakrorit. Pjesëmarrja, 67-70 për qind.
Procesi i votimit u zhvillua i qetë dhe pa probleme. Në një qendër nuk u zhvilluan votime. KZP-ja pritet të japë një rezultat paraprak
Edi Rama është rikonfirmuar si kryetar i Partisë Socialiste edhe për katër vitet e ardhshme. Ky ka qenë verdikti i shprehur nga anëtarësia socialiste, e cila ka zgjedhur dje për të dytën herë nëpërmjet parimit "një anëtar një votë" Ramën si kreun e saj. Pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një rezultat përfundimtar, të dhënat paraprake operative nga të gjitha rrethet e vendit nxjerrin fitues Ramën kundrejt Lakrorit, me një rezultat dërmues që në mënyrë të përafërt arrin në raportet 90 me 10 për qind.
Procesi
Socialistët kanë votuar dje sipas parimit "Një anëtar një votë" për kreun e ri që do të drejtojë Partinë Socialiste në katër vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur ashtu siç edhe ishte parashikuar, në orën 08:00 të mëngjesit dhe ka vijuar deri në orën 16: 00 në 386 qendra votimi, në të 12 qarqet e vendit. Vetëm në një qendër votimi, në komunën Shllak të Qarkut të Shkodrës, votimi nuk është zhvilluar për shkak të mostërheqjes në kohë të bazës materiale nga komisioni vendor i zgjedhjeve. Ndërkohë, siç edhe konfirmohet nga korrespondentët në të gjitha qarqet, procesi ka ecur normalisht dhe pa problematika, përveç disa pakënaqësive që kanë shfaqur disa anëtarë socialistë, të cilët nuk e kanë gjetur emrin në lista e votuesve.
Megjithatë, siç edhe bëhet e ditur, numri i tyre ka qenë fare i papërfillshëm, çka nuk ka lënë shkas për kontestime të procesit. Dy kandidatët që konkurronin në këto zgjedhje, Lakrori dhe Rama, kanë votuar në Tiranë, ku dhe kanë vendbanimet e tyre. Kështu, Lakrori ka votuar rreth orës 10:00 në qendrën e votimit të hapur në njësinë nr. 9 të Tiranës, ndërsa Rama në njësinë bashkiake numër dy. Mësohet se pjesëmarrja në votim në 386 qendrat e votimit ka qenë tek rreth 70 për qind, ose e thënë me shifra të tjera, të drejtën e tyre të votës e kanë ushtruar rreth 55 mijë socialistë, nga 82 mijë e 177 që gjendeshin në lista. Nuk bëhet fjalë për të dhëna zyrtare, pasi Komisioni i Zgjedhjeve në Parti (KZP) nuk ka preferuar deri dje në mbrëmje që të jap rezultatet paraprake, qoftë për pjesëmarrjen ashtu edhe për vullnetin e shprehur prej socialistëve.
Rezultati
Gjithmonë duke iu referuar të dhënave jozyrtare, deri dje në orët e vona të mbrëmjes kishte përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në pjesën dërmuese të qarqeve, ku dhe kanë dalë rezultatet paraprake. Kështu, mësohet se në kryeqytet morën pjesë në votime rreth 56 për qind e socialistëve, 91 për qind e të cilëve kishin votuar për Ramën dhe vetëm 0.9 për qind për kandidatin tjetër, Maqo Lakrori. Ndërsa në zonën rurale të Tiranës, ose siç njihet në ndarjen organizative të PS-së, si Tirana fshat, 2112 socialistë kishin votuar për Edi Ramën dhe 254 votues për kandidatin Maqo Lakrori.
Ndërkohë që, një pjesëmarrje e lartë dhe një rezultat i thellë është shënuar në Qarkun e Fierit, ku nga 4059 votues 3877 prej tyre kishin votuar për Ramën dhe vetëm 182 për Lakrorin. Një rezultat gjithashtu i thellë është shënuar edhe në Qarkun e Durrësit ku votat janë ndarë 2670 me 165 në favor të kreut aktual të PS-së. Gjithashtu, e njëjta situatë është paraqitur edhe në Shkodër, Tepelenë, Sarandë, Vlorë, ku Rama udhëheq bindshëm. Megjithatë, vetëm sot pritet që Komisioni i Zgjedhjeve në parti të japë një rezultat paraprak, mbi gjithë ecurinë e procesit të zgjedhjeve në parti, ashtu edhe për vullnetin e shprehur nga anëtarësia.
Kreu socialist, Edi Rama, ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve në parti si real dhe të natyrshëm
Rama: Berisha - Nano - Meta u munduan te bejne pis procesin
Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka akuzuar dje treshen Berisha-Nano-Meta se janë përpjekur në vazhdimësi që të përbaltin dhe të delegjitimojnë procesin e zgjedhjeve për kreun e ri të kësaj force. Duke folur dje, pasi votoi në qendrën e votimit të ngritur në njësinë bashkiake numër dy në kryeqytet, Rama duke iu përgjigjur interesit të medias lidhur me ligjshmërinë e këtij procesi, u shpreh se gara ishte e natyrshme e njëkohësisht reale.
"Ky është një proces i natyrshëm e njëkohësisht real e për këtë arsye ka qenë dhe një proces që ka patur vështirësitë e veta. Ashtu si kundër ka qenë një proces të cilin Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, kompania e tyre, altoparlantët e tyre kanë bërë çmos që ta përbaltin, kanë bërë çmos që ta cenojnë", - tha Rama për mediat pasi votoi. Sipas tij, PS-ja është e vetmja forcë demokratike në vend, e cila aplikon realisht parimin "një anëtar një votë", ndaj, ka thënë Rama, të gjithë kundërshtarët e saj janë përpjekur gjatë gjithë këtyre muajve ta zhvlerësojnë atë, duke e sulmuar pareshtur.
"Kanë bërë çmos që ta zhvlerësojnë, sepse është një proces i bukur, një proces real, një proces që tregon në fakt se PS-ja është vërtet forca më e madhe e më demokratike në Shqipëri e se është pa asnjë dyshim një pengesë e pakapërcyeshme për projektin e tyre, për ta kthyer Shqipërinë në një skemë të mbyllur dhe për ta kthyer pushtetin e popullit në një pushtet interesash që s'kanë të bëjnë me interesat e popullit", - u shpreh kryesocialisti, i cili vlerësoi faktin që anëtarësia mundet të shprehë vullnetin e saj për drejtuesin e ri.
Ndërkohë që, rivali i Ramës në këtë garë, Maqo Lakrori, nuk ka preferuar të japë asnjë vlerësim lidhur me procesin zgjedhor brenda partisë, duke u rezervuar që ta bënte këtë gjë, pasi të shpallej rezultati. "Uroj që procesi të vazhdojë normalisht dhe në kohën e duhur do të bëjmë vlerësimin e këtij procesi", - tha Lakrori. Në zgjedhjet për kryetarin e ri të PS-së u thirrën për të votuar 82177 socialistë në të 12 qarqet e vendit.