E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Poeteka” e pestë në Durrës

07/09/2009  Këtë radhë do të mbahet më 21 deri më 27 shtator. E shndërruar në një traditë, “Poeteka” vjen si java evropiane e poezisë në Durrës. Sipas organizatorit të aktivitetit Arian Leka, gjatë një jave veprimtaritë, që nuk do të kufizohen vetëm në Durrës, por edhe në Elbasan, Berat dhe Tiranë, do të kenë një hapësirë të veçantë për përkthyesit, si poetë të fshehur. Esetë, përkthimet, diskutimet dhe intervistat e tyre do të sjellin përvojën në fushën e përkthimit. “Fëmijëri mes librash” do të jetë tema e re, që do të zërë një ditë të plotë të këtë edicion të “Poetekës”, veprimtari që do të vijë në formën e tryezës së rrumbullakët, që zhvillohet për herë të parë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Autori në mikrofonin tim” dhe leximet e titulluara “FormAline” janë dy risi të tjera të “Poetekës’ për këtë vit. Në të parën synohet të bëhen të njohur poetët dhe poezia e tyre duke bashkëpunuar me radiot, televizionet dhe mediet në përgjithësi, ndërsa leximet “FormAline” do të jenë jopublike dhe do t’u kushtohen atyre që vlerësojnë poezinë si një formë intime. Mbrëmja “Një europian në oborrin e mbretit Monun” do t’i kushtohet një poeti të huaj pak të njohur në vendin tonë. Etydet kinematografike dhe televizive me përshtypje dhe frymëzime nga bota e poezisë do të zënë vend në këtë veprimtari. Prezantimet e librave poetikë do të jenë një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni, në të cilin kanë konfirmuar pjesëmarrjen 22 autorë nga 15 shtete të Evropës. Në përfundim të edicionit edhe këtë vit do të ndahen katër çmime. “Liburna” për poetin me krijimtarinë më të mirë të botuar në faqet e revistës “Poeteka” gjatë vitit 2008-2009, çmimi “Nositi” për përkthimin e librit më të mirë poetik, çmimi “Onufri”, i cili ka në qendër kontributin kritik letrar më të mirë të vitit. Ndërkohë personaliteti më i spikatur i edicionit të radhës do të nderohet me “Unazën Poetike”. Edicioni i parë i “Poetekës” është zhvilluar në Durrës në vitin 2005. Në katër edicionet e kaluara trofeun “Unaza Poetike” e kanë fituar autorët Sibila Petlevski (Kroaci), Maria Luisa Spaziani (Itali), Jevrem Berkoviq (Mali i Zi) dhe Casimiro de Britto (Portugali).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›