E Shtunë, 31 Tetor 2026

DSHP në Fier mbyll 4 institucione shkollore

07/09/2009  Kontrollet, masa të rrepta për parandalimin e gripi të derrave

Nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Mësim në mizerabilitet

FIER- Kur na ndan vetëm një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, një pjesë e mirë e shkollave në zonat rurale të qytetit të Fierit nuk kanë kushtet më minimale për t’u ofruar fëmijëve. Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik bëjnë të ditur se 4 institucione shkollore nuk do të hapen fare këtë vit, e ndërsa shumë të tjera janë në verifikim e sipër, nëse plotësojnë apo jo kushtet higjieno- sanitare. Pikërisht për këtë arsye janë ngritur edhe grupe të posaçme pune, të cilat po inspektojnë nga afër gjendjen e shkollave, kopshteve e çerdheve, të cilat janë në “listën e zezë” të inspektoratit përkatës. “Nga inspektimet e kryera është vënë re se brenda qytetit të Fierit po punohet më me kujdes për përgatitjen e ambienteve shkollore, por nuk ndodh e njëjta gjë edhe në zonat rurale. Duhet përmendur se shkolla e fshatit Kallm këtë vit nuk do të hapet, pasi nxënësit nuk mund të zhvillojnë mësimin në mjediset e një lokali, ku nuk kanë as kushtet më minimale për të marrë dijet e mjaftueshme. E njëjta situatë është vënë re edhe në kopshtin e Kreshpanit, ku një mjedis tepër i vogël nuk mund të mbajë më shumë se 100 fëmijë. Por, prapa në drejtimin e higjienës dhe krijimit të kushteve optimale mbetet edhe shkolla e fshatit Topojë, e cila në këtë gjendje që është nuk do të hapet. Për këtë të fundit kanë dalë edhe urdhëresa përkatëse, të cilat duhen zbatuar deri në datë 15 shtator, ditën e fillimit të shkollës. Ndërkohë që edhe një shkollë në Ruzhdie nuk mund të hapet këtë vit”. Vetë Kallashi nuk ka lënë pa përmendur se këtë vit, si asnjë herë tjetër, ligji për higjienën do të zbatohet në mënyrë më rigoroze, duke pasur parasysh edhe rrezikun që kanoset nga gripi i derrave. Ndërkohë në 6 shkolla të rrethit të Mallakastrës janë vetë mësuesit ata që po merren me sistemimin e klasave dhe lyerjen e mjediseve të jashtme e atyre të brendshme. Mësuesit ngrenë zërin se njësitë vendore nuk kanë përcaktuar një fond për sistemimin, lyerjen e sigurimin e bazës materiale për mirëmbajtjen e shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›