E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albanologët: Maqedonia trillon për shqiptarët

Kundërshtohet teza maqedonase se shqiptarët janë një popull i ardhur në Ballkan. "Alarmohemi nga tendencat nacionaliste"

TRANE- Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë ka kundërshtuar fuqimisht dje shpifjet dhe trillimet e botuara në Enciklopedinë e Akademikëve të Maqedonisë për kombet e tjera, si në rastin më konkret, shqiptarët. Në një reagim të fortë, albanologët i janë përgjigjur tezës së maqedonsve me fakte historike duke i kritikuar se po dëshmojnë se "e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese".


"Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ashtu si dhe institucionet e tjera shkencore shqiptare, alarmohen nga rishfaqja në Ballkan e metodave tendencioze antishkencore me frymëzim nacionalist, të cilat minojnë urat e miqësisë dhe të solidaritetit ndëretnik që shtetet tona po përpiqen të ndërtojmë", shprehet në një deklaratë për shtyp Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Në të shpjegohet se liria akademike është gjithçka tjetër, përpos liri për të mashtruar.


"Shkenca shpeshherë mund të jetë e ashpër në afirmimin e së vërtetës, por ajo nuk mund të jetë shkencë kur merr përsipër të fabrikojë fiksion dhe të prodhojë urrejtje". Studiuesit shqiptarë shpjegojnë se gjuha shqipe është prova e qartë që tregon vjetërsine e popullit tonë. "Zhvillimi historik i gjuhës shqipe dëshmon qartë për praninë e pandërprerë të faktorit shqiptar në trevat ku shqiptarët banojnë sot.


E faktojnë këtë sidomos marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me greqishten e vjetër, me latinishten, me rumanishten dhe me gjuhët sllave",- thuhet në deklaratën e albanologëve
Sipas tyre, shkencat historike e arkeologjike kanë provuar me kohë se Maqedonia e sotme nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, popullsia e së cilës ishte heterogjene dhe përbëhej nga helenë, trakë e ilirë.


Ndaj sipas tyre, rimarrja, së fundi, nga studiues maqedonas e tezës së vjetër të një "ekspansioni të dhunshëm demografik" të shqiptarëve, pa sjellë kurrfarë argumenti të qenësishëm, tingëllon mjaft arkaike në kushtet e sotme.


Sipas albanologëve me trillimet dëshmohet qartë se "Është e kuptueshme që kombi i ri maqedon, që e fitoi të drejtën shtetformuese mbas shembjes së Murit të Berlinit, ndodhet ende në fazën e ndërtimit të identitetit të vet". "Për fat të keq, botimi akademik i "Enciklopedisë maqedonase", në vend që të ndërtojë një identitet të ri dhe të qëndrueshëm maqedon për të gjithë, padit një krizë të fortë identiteti".


Albanologët shprehen se për fat të keq studiuesit maqedonas duket se nuk kanë nxjerrë mësime nga e kaluara e hidhur e afërt, kur dokumente të ngjashme pseudoshkencore të Akademikëve serbë, sipas albanologëve u përdorën prej ultranacionalistëve shovinistë për të përgatitur fushatat e konflikteve dhe spastrimin etnik në ish-Jugosllavi, duke frymëzuar ndër të tjera genocidin kundër shqiptarëve të Kosovës dhe revoltat e armatosura të shqiptarëve të Maqedonisë.


"Akademikët maqedonas po dëshmojnë se e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese", citohet në deklaratën e djeshme për shtyp. Sipas tyre me trillime antishkencore dhe denigruese ndaj kombeve të tjerë nuk i shërbehet integrimit dhe prosperitetit të popujve ballkanikë.


Në këtë pikë albanologët bëjnë thirrje se pjesa e dhunshme e historisë së copëtuar të Ballkanit, duhet thjesht të mbetet në histori.


Reagimi i albanologeve shqiptare vijne pasi Akademia e Maqedonisë publikoi një enciklopedi para pak ditësh ku në pjesën për shqiptarët përdor termat "arbanasi", "arnautë", "shiptari" me interpretimin se shqiptarët janë njerëz të ardhur nga malet.


Më tej thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë dyndur në shekullin e 16-të dhe 18-të e deri pas luftës së Dytë Botërore duke e ngushtuar popullatën maqedonase, duke e terrorizuar atë dhe dëbuar nga vatrat e tyre.


Akademikët
Gjuha shqipe dëshmi e vjetërsisë


"Zhvillimi historik i gjuhës shqipe dëshmon qartë për praninë e pandërprerë të faktorit shqiptar në trevat ku shqiptarët banojnë sot. E faktojnë këtë sidomos marrëdhëniet gjuhësore të shqipes me greqishten e vjetër, me latinishten, me rumanishten dhe me gjuhët sllave.


Veçanërisht marrëdhëniet gjuhësore me rumanishten, të cilat shtrihen në elementin autokton të këtyre dy gjuhëve dhe në evolucionin e njëjtë që kanë ndjekur huazimet e hershme latine, dëshmojnë se këta dy popuj kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin në periudhën e antikitetit dhe të mesjetës së hershme dhe se vetëm dyndjet sllave e ndanë botën shqiptaro-rumune në dy pjesë.


Bashkëjetesa e këtyre dy popujve në një periudhë të hershme parasllave është dëshmi e qartë e pranisë së pandërprerë të elementit shqiptar në trevat ku këta banojnë sot, sidomos në pjesën kontinentale në perëndim të Gadishullit Ballkanik.


Nga ana tjetër, të dhënat e toponomastikës antike e mesjetare, disa prej të cilave i përkasin shtresës ilire, kurse disa të tjera janë me origjinë latine, në formën e tyre dhe në zhvillimet që kanë pësuar në gojë të shqiptarëve dëshmojnë për praninë e pandërprerë të elementit shqiptar në trevat ballkanike.


Ndërkaq, toponimet që kanë hyrë më vonë nga gjuhët sllave dëshmojnë për një shtresë më të re, duke vërtetuar se popullsitë sllave kanë ardhur e janë ngulur në trevat e banuara nga shqiptarët në një epokë më të vonë, e njohur si epoka e dyndjeve të mëdha".


Dokumentet


Dokumentet mesjetare të kancelarive të kohës, si dhe udhëtarë e misionarë perëndimorë gjatë shekujve XI-XIV, kanë përmendur ekzistencën në viset e banuara sot nga shqiptarët të një popullsie që fliste një gjuhë origjinale dhe krejt të ndryshme nga latinishtja, nga greqishtja bizantine e nga sllavishtja mesjetare.


Po kështu, në shekullin XV regjistruesit e popullsisë dhe kronistët osmanë i përcaktojnë shqiptarët si një nga elementet etnikë përbërës në territorin e Maqedonisë aktuale. Ky realitet historik është i pranuar nga qarqet shkencore ndërkombëtare qysh në shekullin XIX.


Shtrembërimi i historisë


Akademikët maqedonas po dëshmojnë se e shohin demokracinë si një rrezik dhe jo si një projekt zhvillimi dhe lirie qytetëruese.


Pritej që me idetë e tyre ata ta çonin përpara drejt integrimeve rajonale dhe evropiane republikën e tyre të re, kurse në fakt i lejuan vetes që të tërhiqen prapa nga forca të së shkuarës, duke iu rikthyer politikave përjashtuese e diskriminuese raciste, të frymëzuara nga pseudo-akademizimi i perënduar pansllav.


Me trillime antishkencore dhe denigruese ndaj kombeve të tjerë nuk i shërbehet integrimit dhe prosperitetit të popujve ballkanikë. Shtrembërimi i historisë, fyerja ndaj identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë e të shqiptarëve në përgjithësi, jo vetëm që nuk i sjellin asnjë dobi afirmimit dhe konsolodimit identitar maqedonas, por krijojnë në mënyrë artificiale tensione ndëretnike në vend, duke vënë në vështirësi perspektivat euro-atlantike rajonale.

Kosova


"Enciklopedia maqedonase, skandal i pashembullt"
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka reaguar dje ndaj një botimi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku përdoren referenca përçmuese dhe fyese për shqiptarët si dhe fakte të padëshmuara historike.


Akademia e Kosovës thotë se shpërdorimi i Enciklopedisë për llogari të paragjykimeve etnike mund të jetë vetëm rezultat i urrejtjes.


Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës shkruan se kishte besuar se qëndrimet antishqiptare të një pjese të Akademisë Maqedonase kishin marrë fund para disa vitesh me largimin e ish-Kryetarit të saj që kishte kërkuar ndarjen e vendit dhe shpërngulje të popullatave.


"Gafat elementare në paraqitjen e historisë,vlerësimet primitive shoviniste të popullit tjetër të kujtojnë kohë të kaluara e të errëta", thonë më tej akademikët e Kosovës, të cilët shtojnë se ky skandal i pashembullt për nivelet akademike shtyn të mendohet me tërë seriozitetin për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.


Akademia e Maqedonisë publikoi një enciklopedi para pak ditësh ku në pjesën për shqiptarët përdor termat "arbanasi", "arnautë", "shiptari" me interpretimin se shqiptarët janë njerëz të ardhur nga malet. Më tej thuhet se shqiptarët në Maqedoni janë dyndur në shekullin e 16-të dhe 18-të e deri pas luftës së Dytë Botërore duke e ngushtuar popullatën maqedonase, duke e terrorizuar atë dhe dëbuar nga vatrat e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›