Poeteshat festojnë 30 vjetorin e festivalit të tyre

Ky festival që për 30 vjet mblodhi shumë poete, në këtë vit jubileu ishte nikoqir i shumë krijueseve dhe për herë të parë ndau çmimin ‘Ali Podrimja’.
Bajram Mulaku, kryetari i Vushtrrisë ka pohuar se kjo është një ngjarje e rëndësishme e cila, sipas tij, ka ndikuar shumë në emancipimin e femrës shqiptare.
Ndërsa Xhevaire Izmaku deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga Vushtrria ka përmendur emrat e të gjithëve që kanë qenë pjesë e këtij festivali nëpër vite, duke thënë se pa ta nuk do të arrinte në 30 vjetorin e tij.
“Po festojmë një ngjarje të madhe letrare, një jubile që po shënon 30 vite jetë. Qyteti im i bukur ishte përherë i vogël të bartte gjithë këtë aktivitet por zemrën e kishte të madhe. Qytetarët e Vushtrrisë kur nuk kishin buxhet e as shtet i hapën dyert e shtëpive të tyre, siguruan fjetjen dhe ushqimin për të gjitha pjesëmarrëset”, ka thënë ajo.
Ky festival për disa javë më herët kishte hapur konkursin, duke inkurajuar kështu të gjitha krijueset nga të gjitha trojet shqiptare por edhe nga diaspora që me poezitë e tyre të konkurrojnë në këtë Festival të poezisë.
Të shtunën në ditën e dytë të këtij festivali, pritet të ndahen çmimet kryesore për poezi që janë: Çmimi i parë 500 euro, i dytë 300 euro dhe i treti me 200 euro.
Poetet poezitë e të cilave janë përzgjedhur nga juria për pjesëmarrje në manifestim, u janë mbuluar shpenzimet e udhëtimit me autobus, ato të vendosjes dhe ushqimit. /kosovapress/