E Diel, 1 Nëntor 2026

Poeti maroken fton Ditët e Naimit

Festivali

Çmimi me emrin e poetit shqiptar shkon në Marok. Zyrtarisht u shpall fituesi i edicionit të 12-të të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Ditët e Naimit” në Tetovë. Juria e festivalit për këtë edicion ka shpallur fitues poetin e madh maroken Abdellatif Laabi, i cili prej shumë vitesh jeton në ekzil në Paris. Vendimi u mor nga një juri e përbërë nga njerëz të letrave, si Agron Tufa nga Shqipëria, në pozicionin e kryetarit të jurisë, Drazhen Katunariç, Kroaci, dhe Remzi Salihu, Maqedoni. Festivali do të mbahet nga data 23- 26 tetor në qytetin e Tetovës. Kryetari i jurisë Agron Tufa bëri një biografi të shkurtër të Abdellatif Laabit, i cili është një nga poetët më të shquar bashkëkohorë marokenë dhe asaj frankofone, njëra nga figurat më të mëdha në Magreb. Redaktor i revistës “Soiffles”, ai burgoset në vitin 1972 . I shpallur si i burgosur i ndërgjegjes nga Amnesty International, u shpall fitues i Çmimit të Lirisë. Lirohet nga burgu në vitin 1980 dhe tani jeton në Francë. Në vitin 1988 shpallet anëtar nderi i akademisë “Malarme”, fitues i çmimit “Alain Bosquet”, etj. Sipas Tufës ky çmim, i jepet Abdellatif Laabit, pasi ai “është një enciklopedi e magjishme e shpirtit njerzor, që ngryset dhe shkrepëtin nga hareja e pikëllimit”. Në edicionin e sivjetëm kanë konfirmuar pjesëmarrjen 35 poetë nga 24 vënde të botës, Kanada, SHBA, Kili, Islandë, Holandë, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Gjermani, Francë, Marok, Izrael, Palestinë, Turqi, Qipro, Hungari, Kroaci, Serbi, Bullgari, si dhe poetët nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Fituesit e mëparshëm të këtij festivali janë Ismail Kadare (Shqipëri ),Desmon Edgan (Irlandë ), Thomas Tidholm (Suedi ), Manlio Argueta (Salvador ), Peter Poulsen (Danimarkë ), Fatos Arapi (Shqipëri )etj .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›