Kunati i Lul Bashës, si dikur kunati i shokut Xhemal
I pari foli Fazlliç. Miliona njerëz shihnin imazhet e tij, i arrestuar mes policëve, ndërsa zëdhënësi i policisë së Bosnjës thotë se u arrestua dhe po hetohet për mashtrime financiare dhe trafik armësh. Ai i qetë, pa iu dridhur syri dhe pa bërë ende dush nga rruga e gjatë prej qelisë në shtëpinë e tij të dytë në Londër, thoshte se “nuk jam arrestuar”, se “nuk kam shitur firmë në Qipro” dhe se “gjithçka është shpifje”. I dyti foli Lulëzim Basha, i cili mohoi se kunati i tij është administratori i gjithë firmave që ka themeluar Fazlliç në Shqipëri, derisa i ka shitur.
Pa iu dridhur syri, me një hartim të shëmtuar bën sikur s’ka ndodhur gjë dhe ikën. I treti foli kunati i tij, por ky me e-mail. Thotë që nuk është ortak me Fazlliçin, ndërkohë që gjithë shtypi i ka thënë që je administratori që ke themeluar firmat e Fazlliçit.
Të tre mashtruesit publikë janë të rrezikuar të mbyten, se i kanë hipur së njëjtës varkë, e cila nuk i mban dot.
Z.Basha, i cili e ka dimension natyral të tij gënjeshtrën, thotë se asnjë familjar i tij nuk ka lidhje me Fazlliçin. Në fakt, njeriu që ka kryelidhje me Fazlliçin është Lulëzim Basha. Fituesi i tenderit të rrugës Milot-Rrëshen, që formalisht është një kompani sllovene, është ndërmjetësuar nga një prej ortakëve të Fazlliçit në kompanitë e basteve sportive që drejtoheshin në atë kohë prej kunatit të tij.
Se sa e quan familjar kunatin e tij L.Basha, këtë e di çdo njeri që njeh L.Bashën. I vetmi fat që ka kunati i tij, është se askush nuk është bërë familjar me emrin e tij, Erion Isufi, pasi të gjithë i thërrasin “kunati i Lul Bashës”, si dikur kunati i shokut Xhemal.