Kriza në SHBA? Janë të tjerët ata që do rrëzohen.
Tërmeti i provokuar në botën financiare ose më mirë në botën e kreditit bankar si dhe paniku i prodhuar në bursë dhe i amplifikuar në median botërore nga grupe e fonde të fuqishme spekulatorësh ndërkombëtarë, ka vënë në lëvizje qeveritë e tërë vendeve të botës. Shumë mendojnë gabimisht se ky është fundi i sistemit financiar botëror e fundi i dollarit si monedhë botërore, fundi i SHBA si superfuqi etj.
Në vitet 1987-1990 ndodhi një krizë e ngjashme e bursës dhe solli si rezultat rënien e sistemit totalitar komunist në shkallë botërore, tani kriza financiare do të sjellë sipas FMN humbjen e 1400 miliardë dollarëve.
Por kjo humbje do të shoqërohet me falimentimin e bankave që kanë gabuar në dhënien e lehtë të kredive, ngadalësimin përkohësisht të ritmeve të zhvillimit të ekonomisë botërore, rënien e sistemeve politike-ekonomike që nuk janë demokratike dhe që nuk rinohen me shpejtësi. Tregu po bën autopastrim. Pastaj do të fillojë një periudhë e re me synime e drejtime të reja zhvillimi. Kapitalet do të zhvendosen në drejtim të kërkimeve në fushat e biogjenetikës, energjisë diellore, energjisë termonukleare, kërkimeve shkencore në fushën e matematikës, fizikës, informatikës etj.
Duhet të kemi parasysh se kur SHBA kanë marrjemendësh, nuk duhet të mendojmë se po rrëzohet, përkundrazi ky gjigant mendon të pastrohet, të ripërtërihet. Janë të tjerët që do të rrëzohen. Kina këto ditë ofron investime të mëtejshme të mëdha në bonot e thesarit të SHBA, me kusht që të ndalohet sa më shpejt kjo krizë që do mund t’i sjellë asaj miliona të papunë. Bankat qendrore të të tëra vendeve të botës filluan sot të ulin taksën e interesit bankar për t’i dhënë frymë investimeve në titujt aksionar të bursës dhe si rrjedhim ekonomisë botërore.
Investitorët shqiptarë duhet të kenë parasysh se investimi në dollarë do të jetë fitimprurës edhe në vitet ardhshme. Leku shqiptar i ekuilibruar në vlerën reale ndërmjet dollarit dhe euros, për mendimin tim, do të jetë një monedhë mjaft e sigurt.