E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenton një fëmijë, merret në mbrojtje nga policia

DURRËS/ Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje drejtuesin e automjetit nga frika e hakmarrjes së familjes


DURRËS - Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje një 24-vjeçar i cili ka përplasur një fëmijë në fshatin Nikël. Mësohet se gjithçka ka ndodhur për të shmangur një hakmarrje mes familjes së fëmijës 8-vjeçar dhe vetë të riut, i cili pas ngjarjes është vetëdorëzuar në polici duke treguar për gjithçka që kishte ndodhur.


Ndërsa po hetohet për ngjarjen, mësohet se Julian Qerrushi është marrë në mbrojtje nga uniformat blu për shkak të frikës për ndonjë hakmarrje të mundshme të familjes së të miturit.


Aksidenti


Gjithçka ka ndodhur rreth orës 18:15 pranë fshatit Nikël. Në këtë kohë një furgon pasagjerësh me targë TR 4411 E ka përplasur një fëmijë të moshës 8 vjeç. Mësohet se në çast, drejtuesi i automjetit e ka marrë të miturin dhe është drejtuar për tek Spitali Ushtarak i Tiranës.


Por përgjatë rrugës fëmija ka ndërruar jetë. Pas kësaj, 24-vjeçari Julian Qerrushi, nga fshati Borizanë i Fushë-Krujës ka shkuar në polici ku është vetëdorëzuar për gjithçka kishte ndodhur. Ndërkohë mësohet se familja e fëmijës është nisur drejt spitalit të Tiranës. Por në këtë kohë nga ana e policisë së Tiranës është marrë në mbrojtje drejtuesi i automjetit duke iu druajtur një hakmarrjeje të mundshme të familjes së të miturit.


Hetimi


Burime nga policia, si dhe nga vendngjarja bëjnë të ditur se furgoni i pasagjerëve i drejtuar nga Julian Qerrushi ka qenë duke lëvizur pranë fshatit Nikël. Djali 8-vjeçar i familjes Katroshi ka qenë duke ecur në anë të rrugës, por në një moment i ka prerë rrugën furgonit duke u përplasur prej tij.


Nga dëshmitarë në vendngjarje mësohet se fëmija ka kryer lëvizje të pakontrolluar çka nuk i ka dhënë mundësi shoferit që të reagonte për shmangien e aksidentit. Tentativa për dërgimin e të miturit në spital ka qenë e dështuar për shkak se 8-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.


Oficerët e policisë gjyqësore vijojnë hetimet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes, në një kohë që po mblidhen dëshmitë. Largimi nga vendngjarja i drejtuesit të automjetit e ka bërë më të vështirë zbulimin e së vërtetës.


Aksidentet në ditët e fundit kanë shënuar shifra rekord në të gjithë vendin me numrin e të vdekurve. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit qoftë nga këmbësorët, qoftë nga drejtuesit kanë qenë shkaqe, ndërsa më kryesoret konsiderohen shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i pijeve alkoolike. Vetëm brenda një dite, në vend janë shënuar mbi 7 të vdekur dhe 16 të plagosur në aksidentet rrugore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›