Poetika e intertekstualitetit

“Poetika e intertekstualitetit” është njëri ndër studimet më të rralla, i cili përshkruan dhe analizon qasjet e ndryshme teorike rreth intertekstualitetit me synimin që të ndërtojë edhe një tipologji të formave dhe praktikave të tij (citimi, aluzioni, vjedhja, parodia etj.) dhe të ilustrojë përmes shembujve të shumtë, mënyrën me të cilën intertekstualiteti kërkon kujtesën dhe diturinë e lexuesit.
Së fundi, autorja parashtron estetikat e ndryshme të vëna në jetë nga shkrimi intertekstual dhe tregon sesi ato ushqejnë imagjinaren e tekstit.
Ky libër strukturohet në disa kapituj, si: Ç'është intertekstualiteti, në të cilin kapitull shtrohen konceptet e Kristeva-s, Genette-s, Riffaterre e deri te Roland Barthes.
Ndërsa, në kapitullin e dytë: Zanafillë, histori dhe teori diskutohet për konceptet teorike të formalistëve rusë në raport me intertekstualitetin dhe autonominë e tekstit letrar, duke marrë për bazë Bakhtinin dhe dialogizmin, pastaj për të provuar një bilanc kritik të nocioneve teorike.
Një ndër kapitujt e rëndësishëm të këtij libri është edhe Poetika e intertekstualitetit, në të cilin tumirën domethëniet e intertekstualitetit, mënyrat e leximit, për të vënë në pah Estetikën e intertekstualitetit, për të cilin mendojmë se është kapitulli më gjithëpërfshirës për teorinë dhe praktikën e intertekstuale në raport me teoritë dhe metodat e tjera të studimit të letërsisë.
Në përmbyllje të këtij libri kemi një antologji të mendimit teorik për zanafillën dhe zhvillimin e intertekstualitetit si nocion, teori dhe proces letrar.
Librin e botoi shtëpia botuese “Parnas” (Prishtinë) dhe ka 265 faqe.