E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moralisti Gjoci

Në fakt, është ”amoraliteti” me sa duket konstant i Blerim Gjocit, ai që ndërtohet mbi një fotografi idealiste për vetveten dhe klanin e tij, i cili edhe sot duket se vepron brenda disa strukturave institucionale dhe jashtë institucionale.

Një kohë regjisori serb, Emir Kusturica, kineastët dhe gazetarët kroatë do t’i përshkruante në mënyrë decidive si nacionalistë, edhe pse ky njeri edhe sot e kësaj dite vazhdon të konsiderohet si “baba” i nacionalizmit në kinematografinë ballkanike. Mekanizmi i kompensimit si një mekanizëm psikologjik, sot shumë shpesh, dhe në vazhdimësi, po përdoret si alibi për inversion të konflikteve dhe qëllimeve.

Aktori Blerim Gjoci, i cili në opinionin publik të kineastëve njihet me veprime “amorale” dhe si një manipulator e spekulant i vazhdueshëm i buxhetit publik – që në radhë të parë ndërlidhet me festivalin studentor “9/11” - gjatë dy ditëve të fundit në mënyrë cinike dhe pa hezitim po kërkon “drejtësi” për kinematografinë. Kjo, përkundër faktit që ai në dekadën e fundit dhe në vazhdimësi ka kryer keqpërdorime buxheti - ç’është më e keqja, edhe në emër të viktimave të 11 shtatorit.

Edhe sot në Ministrinë e Kulturës mungojnë letrat, dëshmitë dhe evidencat komplete për atë se si do të shpenzohen me mijëra euro në emër të një solidariteti shqiptaro-amerikan, edhe pse si zakonisht ato përfundojnë në xhepin individual.

”Amoraliteti”, me sa duket konstant i Blerim Gjocit, ndërtohet mbi një fotografi idealiste për vetveten dhe klanin e tij, i cili edhe sot duket se vepron brenda disa strukturave institucionale dhe jashtëinstitucionale. Ankesa e tij parësore, se juria vlerësuese që merret me miratimin dhe përzgjedhjen e projekteve filmike nuk ishte komplete, dhe se ishte në kundërshtim me nenin 43.4, përkatësisht se nuk është respektuar nga Këshilli Drejtues, në bazë të nenit 29.2, në fakt ishte e drejtë dhe konform me ligjin. Ky veprim padyshim se duhet përshëndetur.

Mirëpo kërkesa dytësore, se nevojitet një ristrukturim total i Këshillit Drejtues dhe se është i domosdoshëm edhe shkarkimi i drejtorit të sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, z. Fatos Berisha, është një kërkesë fiktive, për shkak se ajo nuk është në harmoni me konventat në fuqi. Fatos Berisha si drejtor i QKK’së, e menaxhon dhe përfaqëson Qendrën Kinematografike të Kosovës. Ai po ashtu i propozon edhe juritë profesionale (që zyrtarizohen nga një instancë tjetër), mirëpo ai në asnjë mënyrë nuk mund të identifikohet dh s’mund t’i ndryshojë apo deformojë vendimet dhe mënyrën e funksionimit të jurive profesionale - pavarësisht nga autoriteti.

Fatos Berisha është zgjedhur në këtë post para disa muajve, nëse nuk gaboj, dhe shumë shpejt po tregon rezultate pozitive në zhvillimin, reformat dhe afirmimin e kinematografisë kosovare, rezultate këto që kolegu i tij, Zeqir Hamiti, nuk ishte në gjendje t’i realizonte as për gati katër vjet, duke mos qenë në gjendje që kinematografinë kosovare ta prezantonte më larg se Lagjja e Spitalit, në Prishtinë.

Plotësimi i jurisë vlerësuese me dy anëtarë të rinj është vendim i Këshillit Drejtues, mirëpo në ligjin aktual mungojnë informatat se çka mund të ndodhë nëse kjo strukturë nuk është në formacion të plotë. Në rrethanat në të cilat gjendet Këshilli Drejtues, kjo sigurisht që s’është një zgjedhje ideale, Madje, në një kontekst, është relative, njësoj siç është relative edhe kërkesa e Blerim Gjocit, që mbështetet në dëshira dhe interesa të imagjinuara kolektive.

Dua të them se, zhvillimi kinematografik dhe shpenzimi i planifikuar i buxhetit për film për vitin 2011 nuk guxon të rrezikohet nga një njeri me karakter “amoral”, i cili kamuflohet brenda virtyteve morale dhe drejtësisë institucionale. Madje, po të ekzistonin sot kompjuterët e moralit, shumë lehtë do të mund të verifikohej se ky njeri do të mund të jepte përgjegjësi edhe për përvetësime të tjera...

Kërkesa dytësore e Blerim Gjocit, pra, nuk gjen mbështetje në ligjin për kinematografi, megjithëse paraqet një instrument përmes të cilit Blerim Gjoci synon t’i realizojë qëllimet e tij dhelpërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›