Poezia e tragjizmit, revoltës së fortë, vëzhgimeve të thella
Libri: “Lis i vetëm në fushë”
Autori: Rexhep Shahu
Gjinia: Poezi
Doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, me titull “Lis i vetëm në fushë”. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, me 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë. Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike: poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella. Rexhep Shahu u lind në vitin 1960. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu, bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit. Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër. Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës etj. Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Por Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve të fëmijërisë si larat e dëborës. Veç librit “Lis i vetëm në Fushë”, ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.