E Diel, 1 Nëntor 2026

Batista dhe Menezes në “syrin e ciklonit”, por asnjëri s’rrezikon

SHKRUAN: Jeton Selimi 19-07-2011 10:30

Të ndarë për traditë, të bashkuar në dhimbje. Argjentinasit e brazilianët ndajnë tërbiminin e dështimit të bujshëm në një betejë të rëndësishme, që fillimisht u deklarua mëse e arritshme. Si shi kanë rënë kritikat nga shtypi dhe tifozët, që kryesisht janë vënë kundër dy trajnerëve që kanë dështuar provimin e tyre të parë të rëndësishëm që pas punësimit. Në Argjentinë flitet për “Argentinazo” (aluzion i “Maracanazo”, fitorja e Uruguajit ndaj Brazilit në botërorin e vitit 1950), dhe katalizatori i padiskutueshëm i kritikave është Serxho Batista. Mërzi dhe mosbesim janë ndjenjat që mbizotërojnë mjetet kryesore të informacionit braziliane, të shkuara nga “mallkimi i katër penalltive të humbura që kanë shkaktuar një humbje poshtëruese”, ankohet Lancenet.

Argjentina

Termat më të përdorur në titujt e të përditshmeve ishin “dështim” (Clarin) dhe “kamzhikim” (La Nacion), dy gazetat më me autoritet në Argjentinë. Toni i së përditshmes sportive Ole nuk ishte shumë larg tyre: “Të bërë copash”. Dita pas eliminimit nga Uruguaji ka shërbyer për të marrë veten, por goditja ka qenë aq e rëndë sa për ta harruar do të duhet kohë. Tifozët e kanë manifestuar mërinë e tyre duke e pritur skuadrën në Buenos Aires me një parrullë ku kërkohej kthimi i Maradonës (“Diego kthehu”), duke e akuzuar trajnerin Batista si përgjegjësin kryesor të disfatës. Rezultati i sondazhit i bërë nga La Nacion mbi të ardhmen e stolit albiceleste fliste qartë: 90% e votuesve e ftonin Batistën që të largohej. Kritika nga shtypi kundrejt lojtarëve me “ngeljen në klasë” të Zabaletas, Gabi militos, Banegas, Zanetit, Tevezit, Kambiasos dhe Lavecit (tre të fundit më të kritikuarit). Mezi e kalojnë klasën Burdiso, Pastore, Di Maria, Maskerano e Higuain. Të vetmit që i shpëtojnë nga tërbimi janë Romero, Aguero dhe Mesi, “protagonist i një Copa America të madhe, por edhe njëherë viktimë e mallkimit me fanellën albiceleste. Ka bërë ç’është e mundur dhe e mori skuadrën mbi shpatulla, por fati nuk e la,” shkruan Clarin.

Brazili

Në Brazil mbizotëron fatalizmi. “Poshtërim pas mallkimit të penalltive” është titulli më i fortë (Lance), dhe tifozët e kanë shfryrë zhgënjimin e tyre përmjet rrjeteve socialoe. Për t’u nënvizuar seria e pabesueshme e gabimeve nga lotaria e penalltive. E përditshmja Folha e Sao Paulos ka shkundur nga pluhuri gabimin e Roberto Baxhos në finalen e botërorit të SHBA-ve në vitin 1994. Ai që ka shkuar edhe më tej ka qenë Romario me një koment plot ngjyra të publikuar në Tëitter: “Çfarë m.. skuadre. Këta të çmendur nuk kanë qenë të zotë që të shënonin as një penallti”. Por ndjenja dominuese është zhgënjimi për një eliminim të ardhur pas një dominimi prej 120 minutash ndaj kundërshtarit. “Një eliminim që djeg – shkruan UOL Esporte – dhe që të lë shije të hidhur për atë që pamë në fushë”.

Batista e Menezes

Mbi të gjithë, në shenjestër kanë përfunduar dy trajnerët, që luanin një akt të rëndësishëm të besueshmërisë. Ai që ka dalë më kockat krejtësisht të thyera ka qenë trajneri argjentinas. Fernando Niembro, opinionist i FOXSport, e ka përcaktuar Batistën një “analfabet futbolli. Një i paaftë për të karikuar lojtarët, që nuk ka as idenë më të vogël se çdo të thotë të stërvisësh. Maksimumi që mund të bëjë ai është ndihmësi,” ka përkufizuar Niembro. Menezes kundërshtohet për nisjen e keqe, por gazetarët e Globoesporte dhe Radio Bandeirantes, kanë shfaqur mëshirë duke njohur superioritetin e lojës së bërë nga Selecao kundër Paraguajit dhe aftësinë për t’u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje. Sidoqoftë, duket se që të dy mund të qëndrojnë të qetë, të paktën kjo është kuptuar nga përfaqësuesit e takimeve të krerëve të federatave përkatëse, me komunikata zyrtare të firmosura nga presidentët Grondona e Teikseira. Përshtypja është se polemikat do të vijojnë për disa ditë sin ë Brazil ashtu edhe në Argjentinë, ndërsa nga ana tjetër e Rio La Plata ka festë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›