E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ardian Paci: Si përvoja personale e ndryshoi artin tim

Si “lindi” videoja e parë, historia e parë për t’ia rrëfyer publikut, prej përrallave që vajza e tij vetëm 3 vjeç u tregonte kukullave nga ngjarjet që ajo kishte përjetuar në Shqipërinë e 1997-ës

Me diplomën e piktorit nga Akademia e Arteve në Tiranë, ai u largua drejt Italisë me një bursë në xhep, dhuruar nga Kisha katolike për të studiuar në Institutin Beato Angelico. Artisti asokohe vetëm 22 vjeç ishte në kërkim të një dimensioni të ri në artin e tij. Ajo që kishte mësuar në shkollë dukej larg asaj që etiketohej si arti bashkëkohor. Arti në Perëndim e bënte të dukej krejt jashtë mode artin për të cilin mbante dhe një diplomë në xhep. Përpiqej të gjente një mënyrë për t’i bërë një “make-up”, siç thotë dhe vetë ai, artit të tij. Nuk po e gjente veten dhe pyetja se cili do të ishte arti i tij e ndiqte kudo gjatë qëndrimit në Itali. U kthye në Shqipëri pas studimeve dhe ende e mundonte pyetja për rrugën që do të ndiqte si artist. Ishte viti 1997 dhe shqiptarët po kalonin vitin e çmendurisë kolektive. Ardian Paci u largua nën krismat e armëve të fshehura në tarraca pallatesh për në Itali. Pikërisht ishte ky moment jo vetëm kthesa e jetës së tij personale, por dhe artistike. Artisti Paci duhej thjesht të kishte qenë pak më i vëmendshëm ndaj asaj që ndodhte rreth e rrotull tij, sepse pikërisht aty fare pranë vetes ai do të gjente rrugën që aq shumë kishte kërkuar. Në një ditë të zakonshme në shtëpinë e tij, vajza e tij vetëm 3 vjeç teksa luante me kukullat e saj “sajonte” histori me fakte që vinin nga kujtesa e një fëmijë që ishte larguar nga gjyshërit nën krisma armësh. Mjaftoi një moment vëmendjeje ndaj tregimit të vajzës dhe Ardian Paci do të gjente rrugën drejt artit që do ta bënte artistin më të njohur shqiptar të artit bashkëkohor në botë.

Në ç’mënyra përvoja e emigracionit u bë një element i rëndësishëm në punën tuaj artistike?

Është padyshim përvoja e jetës sime. Prandaj nuk bëhet fjalë për tematika në sensin klasik të fjalës, d.m.th. si diçka që e sheh nga larg dhe me të cilën trajton një temë të caktuar. Për mua ishte emigracioni që ishte një eksperiencë dhe mbeti si e tillë. Mjedisi në të cilin unë bëja art në Shqipëri ishte tërësisht ndryshe, sepse i tillë ishte dhe mjedisi ku unë kisha studiuar art dhe koncepti që unë kisha krijuar për artin dhe artistin ishte ndryshe. Vetëm kur erdha në Itali arrita të kuptoj boshllëkun, këtë distancë që ekzistonte mes artit që kisha mësuar. Kështu kuptova që nuk mund të rinisja të shprehja artin modern duke u nisur nga gjuha. Vendimi për të transformuar përvojën në një vepër arti nuk u mor në tavolinë, sepse do të kishte qenë një zgjedhje banale nëse do të merrte këtë drejtim. Ndodhi krejt e kundërta, vendosa të përzieja përvojat personale me artin tim, jo vetëm me qëllimin për të përshkruar jetën time, sesa për ta bërë akoma më të gjallë artin që unë kisha vendosur të bëja.

Kur e kuptuat që eksperiencat personale mund të bëheshin art?

Ishte krejt rastësi. Ndërkohë që isha në shtëpi, dëgjova vajzën time teksa u rrëfente përralla kukullave. Në tregimin e saj kujtimet, të nxitura nga fantazia, krijonin histori që vinin nga memoria e një fëmijë që kishte përjetuar luftën civile në Shqipërinë e 1997-ës. Ajo u rrëfente kukullave përralla që kishin si protagonistë kafshë të ndryshme, të cilat, ndërsa luanin me njëra-tjetrën, papritur gjendeshin të përfshira nga flakët dhe nën breshëri krismash. Kafshët e gjora që kërkonin të largoheshin e t’ia mbathnin nga sytë këmbët. Në këtë situatë vijnë forcat ndërkombëtare që luftonin kudër forcave të errëta. Krejt spontanisht, ndërkohë që luante me lodrat e saj, një fëmijë 3-vjeç mund të tregojë fragmente nga jeta e saj, ndërthurur me fantazinë e të rrëfyerit. Ishte pikërisht kjo eksperiencë që pati një ndikim shumë të fortë dhe të rëndësishëm tek unë, sepse pashë krejt qartë sesi një traumë mund ta rrëfesh edhe si fiction, pa humbur asgjë nga e vërteta. Kështu vendosa që ta pyesja vajzën time të ma rrëfente këtë përrallë ashtu si dhe kukullave, por përballë kameras. Kështu “lindi” videoja ime e parë, historia ime e parë për t’ia rrëfyer publikut.

Ishte pikërisht kjo përvojë personale që ndryshoi këndvështrimin tuaj artistik?

Po, ishte pra kjo video dhe përvoja ime personale që ndryshoi këndvështrimin e një artisti që deri në atë moment ishte në kërkim të një “truku” për artin e tij, në mënyrë që të riniste një tjetër komunikim me artin bashkëkohor, në një artist që u bë shumë i vëmendshëm të shikonte çfarë ndodhte rrotull tij, nga shumë afër deri brenda vetes në një dimension shumë intim, diçka që mund të të hapte mendjen dhe imagjinatën drejt qëllimeve të tjera. Në këtë pikë dua të theksoj se kurrë nuk kam qenë i interesuar drejt autobiografisë në vetvete, nuk më ka interesuar asnjëherë në veprat e mia përshkrimi i eksperiencave të mia. Më ka interesuar në ato momente edhe madje edhe në përvojat personale ku, nisur nga situata, edhe në ato të përjetuara në rrethin tim intim, që përfaqësojnë tematika dhe problematika në sens më të gjerë, më social dhe që u përkasin një pjese të madhe njerëzish.

Në veprat e tua shihet një nevojë e fortë për të reflektuar mbi idenë e bashkësive shoqërore dhe marrëdhënieve që krijohen në këtë bashkësi. Më 21 gusht do të jeni i angazhuar në perfomancën e titulluar “The Encounter” (Takimi) në sheshin e kishës baroko të Shën Bartolomeut në Sicili. Mund të na tregosh diçka më shumë rreth projektit të ri artistik që do realizoni?

Ky projekt lindi nga ato momente kujtimesh që unë i kam përjetuar kryesisht në Shqipëri, gjatë fëmijërisë sime, që nga ritualet, dasmat apo funeralet, ku njerëzit rrinin në radhë dhe i jepnin duart njëri-tjetrit. Shtrëngimi i duarve është një gjest i thjeshtë, i cili është pjesë e jetës sonë të përditshme. Është imazhi i një takimi, një mirëkuptimi mes njerëzve apo e një marrëveshjeje që ka shkuar mirë, por në të njëjtën kohë shtrëngimi i duarve është një copëz nga kujtimet tona të festave apo funeraleve të stërgjyshërve dhe gjyshërve tanë. Është një gjest sa antik aq dhe bashkëkohor. Doja që ta sillja këtë gjest të thjeshtë në kontekste të ndryshme, për të celebruar këtë gjest në vetvete, në mënyrë që me përsëritjen e tij në situata të ndryshme të sillen përvoja të ndryshme jetësore, madje dhe ato të një realiteti të panjohur për ne. Në këtë kontekst, gjatë perfomancës, trupi im është mediumi në të cilin kufijtë e identiteteve të veçanta bashkohen. E për këtë kam zgjedhur sheshin e një vendi në Jug të Italisë, pikërisht për të trajtuar aspektin shoqëror të këtij gjesti të zakonshëm, në një vend ku komuniteti e identifikon veten akoma në shesh. Prandaj zgjodha një shesh italian, për të ftuar njerëzit në këtë procesion laik, ku artisti prezanton veten e në të njëjtën kohë ngushëllohet me anë të një shtrëngimi duarsh në takimet me këta njerëz.

Marrë nga ArsKey, revistë e artit modern dhe bashkëkohor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›