E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poezia shqiptare, në Itali me Lekën e Mustafajn

01/06/2010 Është manifestimi më i madh italian kushtuar poezisë. Ky edicion, që shënon të 16-tin është planifikuar të nisë në datë 10 qershor në Xhenova të Italisë. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë do të mbledhë si çdo vit poetë të rëndësishëm e të njohur nga vende të ndryshme të botës.

Nga Shqipëria pritet të marrin pjesë poetët Arjan Leka dhe Besnik Mustafaj, të cilët do të jenë pjesë e seksionit “Europian Voices”, bashkë me 20 poetë nga vende të tjera të botës. Festivalin do ta nderojnë emra të rëndësishëm të poezisë, si amerikani Mark Strand, konsideruar si poeti më i madh i vendit të tij e me dy çmime “Nobel”, afrikano-jugori John Coetzee dhe nigeriani Wole Soyinka.

Tema e këtij viti do të jetë “Rindërtimi poetik i universit”, duke vënë edhe një herë theksin se kjo veprimtari nuk ka të bëjë vetëm me takime mes poetëve, por është “edhe një laborator ku analizohen dhe studiohen tendencat dhe skenarët e ardhshëm të shoqërisë”, përmes syve të krijuesve dhe artistëve.

Gjatë ditëve të këtij festivali nuk do të mungojë edhe një homazh për letërsinë anglosaksone, një maratonë letrare ku thelbi do të jetë “Uliksi” i Joyce.

Festival Ndërkombëtar i Poezisë në Xhenova prej 16 vitesh është kthyer në një pikë takimi mes poetëve nga e gjithë bota. Për shkak të rëndësisë dhe takimit mes kulturave të ndryshme, ky festival njihet nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë që mbrohet prej saj.

Gjatë edicionit të këtij viti, i cili do të zgjasë deri më 20 qershor, do të zhvillohen rreth 90 veprimtari ku do të ketë lexim të poezive, koncerte, konferenca, e performanca të ndryshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›