E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 1.5 ton kafe kontrabandë nga Maqedonia

01/06/2010 Shfrytëzohej liqeni, në kërkim 1 shtetas

POGRADEC- Policia Kufitare e Pogradecit bëri të mundur sekuestrimin e 63 thasëve me kafe, ku çdonjëri prej tyre kishte 25 kilogram kafe, ndërsa pesha në total shkonte në 1575 kilogram. Mësohet se kjo sasi kafeje vinte nga Maqedonia me destinacion tregun shqiptar. Tashmë mendohet se me zbulimin e kësaj sasie kafeje, është rënë në gjurmët e trafikut të kafesë që vinte nga Maqedonia. Madje dyshohet se ky aktivitet i paligjshëm realizohej në bashkëpunim me persona të tjerë shqiptarë, të cilët punojnë në Maqedoni, por nuk përjashtohet as mundësia e implikimit edhe të shtetasve maqedonas. Për realizimin e kësaj kontrabande me sa duket shfrytëzoheshin rrugët ujore përmes liqenit të Ohrit, ku kafeja vinte nëpërmjet lundrimit me varka dhe më pas nga bregliqeni drejt Pogradecit transportohej me mjete të tjera. Kjo skemë është përdorur edhe nga kontrabandistët e sasisë prej 1575 kilogram kafe, ku deri më tani është identifikuar vetëm njeri prej autorëve të kësaj ngjarjeje, i cili është Ramazan Hidri, 46 vjeç, lindur dhe banues në Pogradec, ndërsa aktualisht policia po punon për kapjen e tij dhe personave të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë trafik. Personat që po sillnin kafen nga Maqedonia kishin mundur të lundronin deri te bregu i liqenit, madje të bënin shkarkimin nga varka të kafesë dhe ngarkimin e saj në furgon, por pikërisht në këtë kohë kanë pikasur se kishin qenë nën vëzhgimin e policisë dhe po atë çast mund të arrestoheshin, ndaj për këtë arsye, kanë qenë të detyruar të braktisin kafenë e sjellë kontrabandë dhe të largohen në drejtim të paditur. Megjithatë, policia e Pogradecit nuk e ka pasur të vështirë të identifikojë njërin prej autorëve, sepse furgoni i braktisur dhe dokumentacioni i gjetur brenda tij, tregonte se drejtues mjeti dhe pronar i këtij furgoni ishte shtetasi, Ramazan Hidri, kapja e të cilit deri më tani nuk është bërë e mundur. Megjithatë, pritet që me arrestimin e Hidrit dhe personave të tjerë të mundshëm të hidhët dritë mbi këtë ngjarje dhe skemën e plotë se si funksiononte kjo kontrabandë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›