Basha: Brenda nëntorit vendimi i heqjes së taksave për 4 vjet
TIRANË Brenda këtij muaji kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, do t’i paraqesë Këshillit Bashkiak të Tiranës propozimin për përjashtimin 4 vite nga taksat lokale të ndërmarrjeve të vogla e të mesme që punësojnë më tepër se 50 punëtorë. Ndërkohë që paralelisht me këtë çështje po shqyrtohet rimbursimi i pjesshëm dhe i plotë i të gjitha taksave që mblidhen nga pushteti vendor për kompanitë dhe sipërmarrjet e mëdha. Deklarata është bërë nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me një grup prej rreth 40 biznesmenësh dhe investitorësh nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë pjesë e organizatës së biznesmenëve të rinj. “Po punojmë me IFC, për të pasur një ‘One stop shop’ funksional për licenca dhe leje në Bashkinë e Tiranës. Jam i vendosur të ndërmarr dy masa të tjera, njëra nga të cilat do propozohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak dhe një tjetër që do të diskutohet me qeverisjen qendrore. E para ka të bëjë me sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, përjashtimin për 4 vite nga taksat lokale të të gjitha ndërmarrjeve të vogla e të mesme që punësojnë më tepër se 50 punëtorë, dhe e dyta ka të bëjë me kompanitë dhe sipërmarrjet e mëdha e për këtë qëllim ne po shikojmë rimbursimin e pjesshëm dhe të plotë të të gjitha taksave që mblidhen nga pushteti vendor”, - tha Basha.